Konturimi për fillestaret

  • 14 February 2016 - 08:54
Konturimi për fillestaret

Mbizotërojeni këtë teknikë në katër hapa shumë të lehtë

Edhe pse konturimi nuk është një teknikë e re në grim, popullaritet të madh ka arritur vetëm para pak kohësh, me rritjen e popullaritetit të blogereve të ndryshme të bukurisë. Konturat e vizatuara si duhet të fytyrës do t’ju sigurojnë mollëza më të theksuara, hundë më të ngushtë dhe, në përgjithësi, formë më të hollë të fytyrës. Por, popullariteti i konturimit nuk do të thotë se është i lehtë për t’u mbizotëruar, kështu që jua sjellim katër hapa themelorë, me ndihmën e të cilëve do t’i mësoni disa gjëra të nevojshme, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

 

Produktet për konturim

Edhe pse në treg tani ekzistojnë shumë produkte të bëra vetëm për qëllim të konturimit, hijet dhe linjat më të qarta të fytyrës mund t’i krijoni me ndihmën e pudrës së thjeshtë, e cila është për një nuancë ose dy më e errët se ngjyra e lëkurës suaj. Më e rëndësishmja është që pudra në vete të mos ketë xhixha dhe elemente të tjera shkëlqyese, sikur kjo në fotografi.

Image

Forma e fytyrës si udhëzuese

Në vend se fytyrën ta konturoni me ndihmën e shablloneve të gatshme, më mirë merruni me formën e fytyrës suaj dhe me strukturën e eshtrave, në mënyrë që më së lehti të zbuloni se ku duhet që ta hijezoni fytyrën. Mënyra më e thjeshtë për t’i zbuluar pjesët që duhet theksuar është duke i tërhequr faqet dhe duke i vendosur konturat saktësisht nën vrimat e vogla, të cilat formohen në atë mënyrë.

Image

Produkti i duhur dhe brusha

Për konturim mund të përdorni brusha me prerje këndore, por edhe me prerje të drejtë. Megjithatë, forma e brushës varet edhe nga lloji i produktit që e përdorni për konturim. Nëse përdorni pudër në formë kremi, më së miri do t’ju shërbejë brusha e drejtë me qime sintetike. Në anën tjetër, produktet në formë pluhuri më së miri do t’i aplikoni me brushë të butë këndore të bërë nga qimet natyrale.

Image

Më e mira vjen në fund

Në mënyrë që konturat tuaja të duken sa më natyrale, assesi nuk guxoni që t’i vizatoni në fytyrë të patrajtuar me grim. Ato do të duken më të theksuarat në fytyrën e cila përmban bazën, e më së miri është që ajo të jetë nga pudra me teksturë kremi. Gjithashtu, para konturimit aplikojeni hijen, maskarën, ngjyrën për buzë dhe vizatojini vetullat, e në fund aplikojeni të kuqtë për mollëza.

Image

 

(Kosova Sot)