Ilaçet natyrale për përtëritjen e lëkurës

  • 14 February 2016 - 23:51
Ilaçet natyrale për përtëritjen e lëkurës

Të gjithë dëshirojnë të duken të rinj përgjithmonë! Mirëpo, sfidat për arritjen e një dukje rinore janë të pafundme me aknet, rrudhat dhe shenjat e zeza që bëjnë që lëkura të duket më e plakur dhe si rrjedhojë jo e shëndoshë. Mirëpo, për fat të mirë, ekzistojnë ilaçe natyrale, të cilat mund t’i përdorni për përtëritjen e lëkurës, disa prej të cilave ua kemi sjellë më poshtë, bashkë me mënyrën e përdorimit.

Image

Trangulli, ilaç për lëkurë të shëndoshë

Ekzistojnë shumë arsye për të përdorur më tepër tranguj, pasi që ndikon shumë në eliminimin e shenjave të errëta në lëkurë. Për më tepër, trangulli, që përmban sasi të madhe të ujit, është i mirë edhe për trajtimin e lëkurës së djegur nga dielli. Trangulli ndihmon edhe në eliminimin dhe parandalimin e celulitit si dhe, siç mund të keni dëgjuar shpeshherë, luan rol kyç në trajtimin e lëkurës së fryrë përreth syve, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Përdorimet e trangullit në përtëritjen e lëkurës

1. Copëtojeni trangullin pasi që ta keni qëruar dhe nxirreni lëngun e tij, duke e shtypur në një leckë. Merrni një topth pambuku, zhyteni në lëngun e trangullit dhe aplikojeni në lëkurë. Lëreni lëngun që ta kryejë punën e vet për sa më shumë që të keni mundësi. Nëse është e nevojshme mund ta pastroni lëkurën me ujë. Përsëriteni këtë proces çdo ditë, deri në arritjen e rezultateve të dëshiruara. Një tjetër alternativë është zhytja e një lecke në lëng trangulli dhe vendosja e saj përmbi fytyrë. Qëndroni 10-15 minuta me sy mbyllur dhe pastaj largojeni leckën, para se ta pastroni fytyrën.

2. Përzieni trangullin e copëtuar me jogurt dhe përzierjen e fituar aplikojeni në fytyrë. Lëreni përzierjen që ta kryej punën për 15-20 minuta para se ta pastroni fytyrën.

Image

Magjia e bananes për përtëritjen e lëkurës së plakur

Nuk ka pemë më ushqyese sesa bananet, pasi që përmbajnë sasi të madhe të magnezit, kaliumit, hekurit, zinkut, jodit dhe vitaminës A, B, E dhe F. Nëse dëshironi të çliroheni nga rrudhat, aknet dhe fryrjet e lëkurës, përdoreni bananen si maskë të fytyrës. Si rrjedhojë do ta fitoni një lëkurë më të shëndoshë, që duket shumë më e re.

Përdorimet e bananes për përtëritjen e lëkurës:

1. Shtypeni një banane mesatare dhe masën e fituar aplikojeni në fytyrë, qafë dhe kudo që dëshironi të keni lëkurë më të re. Prisni për 15-20 minuta dhe pastaj pastrojeni fytyrën, fillimisht me ujë të vaktë dhe pastaj edhe me të ftohtë.

2. Nëse keni lëkurë shumë të thatë, përzieni një gjysmë banane të shtypur me 120 gramë jogurt dhe një lugë gjelle mjaltë. Përzieni të gjithë përbërësit mirë dhe me përzierjen e fituar trajtojeni lëkurën e fytyrës dhe qafës. Lëreni përzierjen që ta kryej punën e vet për 10-15 minuta, para se ta pastroni fytyrën me ujë të ftohtë.

3. Një tjetër alternativë është ta përzieni bananen me vaj të vitaminës E, me pak avokado të shtypur, tërshërë dhe mjaltë, pasi që si rrjedhojë do të fitoni një përzierje, që funksionon për mrekulli në përtëritjen e lëkurës. 

Përdorni këto ilaçe natyrale 1-2 herë në javë dhe fitoni lëkurë me dukje më rinore.

Image

Avokado për përtëritjen e lëkurës së thatë

Kur flitet për trajtimin e lëkurës shumë të thatë dhe me rrudha, asgjë nuk mund të ndihmojë më shumë sesa avokado. Avokado është e mbushur përplot me acide yndyrore omega-3 dhe vitaminë A, D dhe E, që ndihmojnë në zbutjen e lëkurës suaj. Për më tepër, yndyra që gjendet në avokado krijon një lloj shtrese mbrojtëse në lëkurë, që ju mbron nga faktorët që ndikojnë në plakjen e parakohshme të lëkurës.

Përdorimet e avokados për përtëritjen e lëkurës

1. Përzieni një avokado të shtypur me 1-2 lugë gjelle vaj ulliri. Përzieni të dy përbërësit mirë e mirë, derisa ta keni fituar një pastë të trashë. Përzierjen e fituar aplikojeni në fytyrë dhe qafë dhe lëreni të qëndrojë për 30-60 minuta. Pastrojeni fytyrën me ujë të vakët, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

2. Nëse nuk dëshironi të merreni me përzierje thjesht merrni një sasi të konsiderueshme të vajit të avokados. Bëjini masazh trupit ose vetëm lëkurës ku keni më tepër probleme me këtë vaj dhe si rrjedhojë do të fitoni lëkurë më rinore.  

Image

Domatja për përtëritjen e lëkurës

E mbushur përplot me antioksidues, domatja është një ilaç i përkryer për mbrojtjen e lëkurës nga rrezet e dëmshme ultraviolete. Për më tepër, prania e madhe e vitaminës C në domate e bën atë një perime të shkëlqyer për përtëritjen e lëkurës si dhe mbrojtjen e saj nga dëmtimet që mund të shkaktohen nga radikalët e lirë, që janë ndër shkaktarët më të mëdhenj të plakjes së lëkurës.

Përdorimet e domates për përtëritjen e lëkurës:

1. Përzieni 3 lugë gjelle lëng domateje me një lugë gjelle lëng limoni dhe dy lugë gjelle ajkë deri sa ta keni krijuar një pastë homogjene. Pastën e fituar aplikojeni në lëkurë dhe lëreni ta kryej punën e vet për 15-20 minuta. Përfundimisht, pastrojeni lëkurën me ujë të ftohtë. Përsëriteni këtë trajtim 1-2 herë në javë.

2. Nëse nuk keni lëkurë të thatë mirëpo mëtoni të çliroheni nga puçrrat dhe shenjat tjera në lëkurë, trajtojeni atë me ‘mish’ të domateve, të cilin duhet ta lini të qëndrojë për 20-25 minuta, para se ta pastroni lëkurën.

3. Për t’u çliruar nga lëkura e djegur përzieni 3-4 lugë gjelle nga pjesa e butë e domates me 3 lugë gjelle jogurt, 1 lugë gjelle trangull të copëtuar, 1 lugë gjelle xhel të aloe-verës dhe 3 lugë gjelle tërshërë. Përzierjen e fituar aplikojeni në lëkurë dhe lëreni ta kryej punën e vet për 10-15 minuta. Përfundimisht, pastrojeni lëkurën me ujë të vaktë dhe aplikoni zbutës.

Përdoreni këtë ilaç natyral 1-2 herë në javë për rezultate sa më të mira.

Image

(Kosova Sot)