Dashuria e fshehtë e Mark Markut
E njohin të gjithë si talenti që shkëlqeu në edicionin e vitit të kaluar në Kroaci, në "Kërkohet një yll". E, në fakt, ai tashmë është një yll, por aq i thjeshtë saqë shpreh vetëm falënderime kur dikush interesohet të shkruajë për të. Ky është këngëtari Mark Marku, i cili është edhe një violinist i mirë, por thjeshtësia në rrëfimin e tij tregon se dikur gatuante edhe pica. Megjithëse kënga e tij e parë nuk ishte shqip, kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë një version në gjuhën shqipe, ndërsa Marku tregon se i pëlqen të bëjë muzikë të mirë që do ta pëlqente çdo gjeneratë. Ndiqni rrëfimin e tij modest nga malli për Prizrenin e deri te krahasimi i zërit të tij me të ndjerin Toshe Proeski.
"Kosova Sot": Si jeni dhe më tregoni a po e shijoni suksesin e këngës së parë atje?
Mark Marku: Unë jam shumë mirë dhe së pari ju falënderoj për mundësinë që po ma jepni për këtë intervistë. Sa i përket këngës së parë, më duhet ta pranoj që unë dhe ekipi, i cili punon me mua, jemi të kënaqur me plasimin e kësaj kënge, duke marrë parasysh që unë jam në fillimet e hapave të parë sa i përket këndimit dhe shou-bizit.
"Kosova Sot": E vërtetë që kënga e dytë do të jetë në gjuhën shqipe?
Mark Marku: Po, në fakt jo vetëm kënga e dytë, por edhe kënga e parë dhe të gjitha këngët e mia do të mundohemi që t'i bëjmë edhe në versionin shqip, mirëpo puna na ka mbetur pak mbrapa, sa i përket tregut të Kosovës dhe të Shqipërisë. Pasi unë përpos profesionit primar e kam përfundimin e asaj që së pari e kam filluar në Kroaci shkollën e mesme të muzikës, në Degën e violinës.
Krahasimi me Proeskin
"Kosova Sot": Marku ka vendosur të jetojë gjithë jetën në Kroaci?
Mark Marku: Po, unë me gjithë qejf do të kisha jetuar në Kroaci, duke ditur që me profesionin që e kam më ndodh që shpesh e më shpesh të vij në Kosovë dhe të kaloj ditë me familjen time dhe me shoqërinë që kam atje. Përndryshe, pa marrë parasysh që jeta këtu në Kroaci në një farë mënyre është pak më e mirë se sa jeta në Kosovë, unë sot e asaj dite nuk e kam gjetur ngrohtësinë shpirtërore e atë shoqërore që
më parë më jepnin shokët e shoqet e shkollës, apo ?shokët e mëhallës?.
"Kosova Sot": Kur ju merr malli për Prizrenin, për Kosovën, çfarë bëni për ta shuar këtë mall?
Mark Marku: Shumicën e shokëve këtu në Kroaci i kam shqiptarë, mirëpo prapëseprapë më mungon vendi im. Përderisa jetoja në konvikt (2 vjet e gjysmë), kur mërzitesha i lëshoja këngët e mia më të preferuara shqiptare. E ajo ndodhte aq shpesh sa që edhe cimerët e shokët e konviktit, të cilit ishin të nacionaliteteve të ndryshme (kroatë, boshnjakë, serbë, italianë, kinezë) besomëni që i patën mësuar shumicën e këngëve, i këndonin bashkë me mua.
"Kosova Sot": Ndiheni i lumtur kur ju krahasojnë me zërin e të ndjerit Toshe Proeski?
Mark Marku: Krahasimi ndërmjet meje dhe idhullit tim të ndjerë, Toshe Proeskit, është komplimenti më i miri që kam marrë ndonjëherë, mirëpo njëkohësisht është edhe përgjegjësi më e madhe për mua dhe për punën që e bëj.
"Kosova Sot": Marku ka kohë të dëgjojë dhe të përcjellë muzikën shqiptare?
Mark Marku: Në fakt, vitin e fundit nuk jam shumë në rrjedha se çka ose kush po dëgjohet në shqiptari, mirëpo i kam dy motra, Donikën dhe Rronën, të cilat jetojnë në Kosovë, dhe ato rregullisht më dërgojnë këngë në "Facebook", kështu që nuk jam edhe krejt 'OUT' njohurive të estradës sonë.
"Kosova Sot": Artisti më i mirë shqiptar për ju?
Mark Marku: Sa i përket anës së artit të këndimit, nuk kisha pasur dëshirë që t'i hyj në hak asnjë këngëtari, e mos ta përmendi punën e ndonjërit, kështu që po e lë anash këndimin dhe po e qes në shesh një dashuri timen të fshehtë për artin, e ajo është aktrimi. Në fushën e aktrimit fjalën artist, sipas meje, do ta meritonin i ndjeri Faruk Begolli (nuk ka ndonjë film të tij që nuk e kam parë) dhe artisti aktual, i cili nuk po dorëzohet ende, edhe pse ka përcjellë gjenerata e gjenerata, Enver Petrovci.
Bashkëpunimi
"Kosova Sot": Çfarë di të bëjë tjetër me shumë dëshirë Marku, përveçse di të këndojë?
Mark Marku: Përveç këndimit, jam dhe violinist dhe merrem me violine qysh nga mosha 6-vjeçare, dhe sukseset e mia të para këtu në Kroaci i kam pasur me violinë, ku 3 herë kam qenë solist nën përcjelljen e orkestrës profesioniste të Zagrebit. Përpos muzikës, e njoh edhe punën në restorant, pasi e kam mësuar gjatë sezonit veror zanatin që të bëj akullore dhe të gatuaj pica (qesh).
"Kosova Sot": Cila është një artiste e huaj, apo shqiptare, që ëndërroni të keni një duet me të?
Mark Marku: Ka shumë këngëtarë e këngëtare me të cilët do të kisha dëshirë të bashkëpunoja, por këtë po ia lëmë kohës ta tregojë të veten.
"Kosova Sot": Keni marrë ndonjë kompliment, apo mesazh urimi për suksesin tuaj nga artistët shqiptarë dhe nga kush?
Mark Marku: Komplimente direkt nuk më kujtohet që kam marrë nga ndonjë person i estradës shqiptare, mirëpo komplimente të rregullta dhe përkrahje të pandalshme kam marrë nga ministri i Kulturës, Memli Krasniqi.
"Kosova Sot": Projekti i radhës në muzikë?
Mark Marku: Projekti i radhës nuk ka ndonjë emër të veçantë, përpos që kisha pasur dëshirë që të bëj muzikë të mirë, të cilën do ta dëgjonin të gjitha gjeneratat, e shpresoj se jam në rrugë të drejtë sa i përket këtij aspekti.
Intervistoi: M. Gjokaj
- Kur bien maskat
- Gjenet, të cilat shkaktojnë kancerin e mëlçisë
- Dafina vazhdon të luajë me flokët e saj
- Elvisi pas BB5 gati biznesi i ri
- Rovena Domi një mis që të djegë
- Dashurinë e vërtetë mund ta gjeni, pa marrë parasysh moshën
- Kur bien maskat
- Jogurti e forcon pjellorinë dhe vetëbesimin
- Mendoni pozitivisht, jetoni më gjatë!
- Disa këshilla për një bark të rrafshët
- Revolucioni plastik
- Kur bien maskat
- A vuani nga kokëdhembjet seksuale?
- Pesë ushqimet nga të cilat plakemi më shumë
- Vitaminat B1 dhe B2 zbutin PMS-në
- Ndihmojini fëmijët të ballafaqohen me zemërimin
- Prishtinasi e bën të qajë Gertën
- Dafina çdo sekondë me Ledrin
- Flori flet me ironi për kundërshtarët
- Kur gabojnë femrat teksa vënë grimin!




ad_d.jpg)


Komente