description

I huaji në shtëpi

Publikuar: E shtune 4 Shkurt 2012, 19:47 0 Komente

Kapitulli i parë

Doruntina shikoi orën e saj të shtrenjtë dhe ofshau. E dinte se Beni gjithmonë vonohej, por kësaj here shpresonte se vëllai i saj i madh të paktën një herë, do të arrinte me kohë. Këmbët i ishin mërdhirë në borë, sepse kishte mbathur çizme të holla, kurse trupi i hollë i dridhej në erën e cila frynte aq fort pranë ndërtesës së aeroportit. Meqë ishte e prirë që të ftohej, qysh tani e dinte se ditëve të ardhshme do t'i duhej që të merrte tableta dhe vitamina.

Pas pushimeve të Vitit të Ri, Doruntina i kthehej jetës së saj të rëndomtë - punës në universitetin privat, ku përkujdesej për financat, pagesat, porositë, thënë thjesht, për të gjitha gjërat që kishin të bënin me para. Kthehej në shtëpinë familjare, ku e prisnin babai, nëna, vëllai dhe e fejuara e tij, me të cilën nuk e qonte edhe aq mirë. Pas vetes kishte lënë Barcelonën dhe Bujarin, disa ditë të mrekullueshme të pushimeve të fundvitit dhe pyetjen se a kishte ardhur momenti kritik, kur i duhej të vendoste përfundimisht a të shkonte për të jetuar në Spanjë, e me vet këtë, të martohej, gjë që nuk i pëlqente aq shumë.

Dëgjoi një të frenuar të dhunshëm dhe e diti se kishte arritur Beni. Ai doli nga vetura, e puthi me shpejtësi e më pas e futi valixhen e saj në gepek.

- Më fal që u vonova. Në këtë qytet ka aq shumë njerëz që nuk dinë të vozisin. Mjafton që të bjerë pak borë dhe tërë qyteti bllokohet.

Ajo vetëm i buzëqeshi, duke mos dashur që ta qortonte për ata 20 minuta të kaluar mbi borë. Beni dhe Doruntina kishin të njëjtat flokë ngjyrë kafe të çeltë, sytë e njëjtë të gjelbër, si i ati i tyre, si dhe një ballë të gjerë dhe nga një hundë të vogël, të bukur. Beni ishte tepër i gjatë, por as Doruntina nuk ishte e shkurtër. Ata dalloheshin më së shumti për nga karakteri. Derisa Beni ishte energjik, llafazan, gjithmonë i gatshëm prë të vepruar dhe i shpejtë në marrjen e vendimeve, Doruntina ishte e qetë, e ngadalshme, ndonjëherë si e përgjumur dhe e pavendosur, gjë që u pengonte shumë disa njerëzve.

- Më trego, si ishte Barcelona? Çka bënte dhëndri i ardhshëm?

Asaj nuk i pëlqente kur Bujarin e quanin ashtu. Ajo e njihte Bujarin që nga koha e studimeve në Fakultetin ekonomik, ku kishin qenë në një grup, e shoqërimi i tyre i shkurtë shpejt u shndërrua në një dashuri të zjarrtë, e cila ia kishte dalë që të mbijetonte tash e shtatë vjet. Natyrisht, atë e kishin pranuar të gjithë anëtarët e familjes së saj. Të gjithë e adhuronin, sepse ai rrezatonte optimizëm, vazhdimisht bënte shaka dhe nuk krijonte probleme. Atë e konsideronin djalë pa behane. Edhe Doruntina mendonte se kishte një të fejuar të mrekullueshëm. Shkuarja e tij në Barcelonë i kishte habitur të gjithë. Në fakt, i ati i Bujarit ishte një ekspert i njohur sportiv dhe kishte punuar në Spanjë një kohë të gjatë, prandaj kishte arritur që ta punësonte të birin në një kompani të madhe sigurimesh, duke ia mundësuar një të ardhme më të mirë. Bujari donte që ta merrte edhe Doruntinën me vete, por kjo e fundit nuk mund të vendoste vetëm ashtu, thjesht, që të linte gjithçka që i pëlqente dhe me çka kishte jetuar tërë jetën e saj. Në fakt, ajo nuk ishte egoiste, ajo i thoshte që të shkonte pa të. Tani, pasi që ai e kishte rregulluar jetën në Spanjë, insistonte që edhe ajo të vendoste për martesë dhe për një jetë të përbashkët. Ditëve të fundit më së shumti flisnin për këtë temë.

- Mirë është. Të ka bërë të fala.

- Flm motër, flm. Edhe? A vendose përfundimisht që të shkosh atje, e ta lësh këtë xhehenem?

/vijon/

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve