description

Hetohet Agjencia e Veterinës, u keqpërdorën fondet

Publikuar: E enjte 25 Gusht 2011, 21:23 0 Komente

Hetues të Policisë së Kosovës janë duke hetuar rreth dyshimeve se në Agjencinë Kosovare të Ushqimit dhe Veterinës janë keqpërdorur disa fonde.

Hetimi i Policisë është i koordinuar me Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë, përderisa i njëjti i ka për bazë disa transaksione të parave të pagesave për lejet për importin e mallrave, leje këto të cilat i lëshon AVUK-u dhe pa të cilat nuk lejohet importi i produkteve ushqimore.

Sipas burimeve të gazetës, kompani të ndryshme, të cilat merren me importin e produkteve ushqimore, në bazë të ligjit ishin të obliguara t’i nxirrnin lejet për import nga AVUK-u, ndërsa për të njëjtat janë obliguar të paguajnë shuma parash, të cilat më pas dyshohet se nuk janë derdhur në buxhetin e Kosovës.

 

U intervistuan disa persona

Hetimi në fjalë, sipas këtyre burimeve, ka filluar para disa javësh, përderisa gjatë kësaj kohe Policia ka intervistuar një varg personash, në mesin e të cilëve edhe disa pronarë të kompanive importuese, të cilët kanë nxjerrë leje të tilla.

Gjithnjë sipas këtij burimi, Policia ka të dhëna për një numër të madh të kompanive, të cilat kanë kryer pagesa në këtë formë, e të cilat më pas nuk janë deponuar në buxhetin e Kosovës.

Burimi i gazetës nuk ka arritur të saktësojë se sa është dëmi i shkaktuar buxhetit të Kosovës nga këto veprime, mirëpo, sipas tij, Policia është duke e llogaritur këtë shumë, e cila kap një vlerë bukur të lartë financiare. Gjithnjë sipas këtyre burimeve, për ta hetuar këtë rast, Policia është duke u koordinuar edhe me prokuroren kundër korrupsionit në Prokurorinë e Qarkut, Drita Hajdari.

 

Policia e konfirmon rastin

Hetimi në fjalë i Policisë është konfirmuar edhe nga zyrtarët për informim të Policisë së Kosovës.

“Lidhur me këtë rast ju konfirmojmë se Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, njësia në Prishtinë, është duke i zhvilluar hetimet, në konsultime me prokurorin e Qarkut në Prishtinë”, ka thënë Baki Kelani, zëdhënës në Policinë e Kosovës. Ai ka thënë se për momentin Policia nuk mund të japë detaje të tjera rreth këtij hetimi. “Sa u parket detajeve, për shkak të proceduarve hetimore, momentalisht nuk mund t’i bëjmë publike detaje tjera”, ka thënë Kelani.

Gazeta gjatë ditës ka tentuar të kontaktojë edhe me prokuroren e rastit, Drita Hajdari, mirëpo kjo e fundit ka qenë e paarritshme, pasi ndodhet në pushim vjetor, ndërsa, në anën tjetër, zyrtarët e AVUK-ut, të pyetur për këtë çështje, nuk kanë pranuar të japin komente nëpërmjet telefonit.

I pari i AVUK-ut, Valdet Gjinovci, i ka thënë gazetës që t’i drejtojë pyetjet me e-mail, përderisa ka shtuar se për të njëjtat pyetje nuk mund të merren përgjigje gjatë të enjtes.

K. GASHI

Printo Dërgo
  • di

Komente


arkivi i lajmeve