Kosova pa shkollë profesionale të baletit

  • 26 May 2016 - 08:37
Kosova pa shkollë profesionale të baletit

Shkollat e muzikës në Prishtinë dhe në Prizren kanë degë të baletit, por kjo po shihet si e pamjaftueshme.

"Koha ka dëshmuar se vetëm dega aktuale në kuadër të shkollës së muzikës nuk mjafton, duke pasur parasysh edhe kushtet aspak të mira me të cilat është përballur, por edhe kurrikulat e reja nuk mundësojnë përgatitje adekuate të balerinëve. Baleti është një shkollë krejt tjetër nga shkolla e zakonshme profesionale, me specifika të veçanta, dhe për krijimin e një balerini duhen tetë vjet, 4 shkollim të ulët dhe 4 shkollim të mesëm profesional", ka thënë Brahimaj.

Kosova ka nevojë për themelimin e një shkolle tetëvjeçare profesionale të baletit. Duke përjashtuar dy degët, një në kuadër të Shkollës së Mesme të Muzikës në Prishtinë dhe një në Prizren, Kosova kurrë nuk ka pasur një shkollë profesionale të baletit klasik. Themelimi i një institucioni të tillë shihet si shumë urgjent nga njohësit e fushës. Madje, sipas ekspertëve, themelimi i një shkolle të tillë është vonuar. Ka vite që çështja e themelimit të kësaj shkolle ka mbetur pezull dhe pavarësisht premtimeve institucionet ende nuk kanë bërë as lëvizjen më të vogël. Që nga themelimi i Degës së Baletit në Shkollën e Muzikës në Prishtinë, Baleti Kombëtar i Kosovës ka ofruar infrastrukturën e nevojshme për funksionimin e kësaj dege, por vitet e fundit ky bashkëpunim ka ngecur. Të rinjtë nuk kanë ku ta shprehin talentin e tyre Balerini Sinan Kajtazi, solist në Baletin Kombëtar dhe kryetar i Këshillit Drejtues të BK-së, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se themelimi i një shkolle profesionale do të duhej të përfundonte moti, pasi është një projekt që nuk i kushton shumë shtetit. "Mendoj që krahas shkollës duhet të ndërtohet edhe Teatri i Operës dhe Baletit, në mënyrë që balerinët e dalë nga kjo shkollë të kenë ku të sistemohen.

Fatkeqësisht kushtet momentale që i ka Baleti Kombëtar i Kosovës nuk janë premtuese për një të ardhme të mirë për gjeneratat e reja", ka thënë Kajtazi, duke shtuar se baleti është art elitar dhe si i tillë kërkon kushtet e veta specifike. Sipas tij, baleti është art fizik dhe ne si popull kemi talente të jashtëzakonshme. "Shkolla e baletit në rend të parë do të siguronte një të ardhme më të sigurt për Baletin Kombëtar të Kosovës dhe po ashtu shkolla e baletit do t'i mundësonte aftësim jo vetëm atyre që dëshirojnë që një ditë të jenë balerinë, por edhe fushave të tjera të kërcimit, si kërcimin modern po ashtu edhe rrymat e tjera të kërcimit. Konsideroj që shkolla e baletit është bazë shumë e mirë për një kërcimtar të çfarëdo stili qoftë", ka pohuar Kajtazi, duke shtuar se shteti është i obliguar t'u ofrojë të rinjve një mundësi të tillë. Edhe drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj, njëri nga iniciuesit për hapjen e drejtimit të Baletit në Shkollën e Mesme të Muzikës "Preng Jakova", ka thënë së tashmë janë pjekur kushtet për një shkollë të veçantë baleti, e cila do të mundë- sonte krijim të kuadrove profesionale, që nga shkollimi i ulët deri tek ai i mesëm profesional. Brahimaj prej vitesh ka nisur punën për të bindur institucionet për themelimin e një shkolle të tillë, e cila do të ishte nën kujdesin e Baletit Kombëtar. "Koha ka dëshmuar se vetëm dega aktuale në kuadër të shkollës së muzikës nuk mjafton, duke pasur parasysh edhe kushtet aspak të mira që është përballur, por edhe kurrikulat e reja nuk mundësojnë përgatitje adekuate të balerinëve.

Baleti është një shkollë krejt tjetër nga shkolla e zakonshme profesionale, me specifikat të veçanta, dhe për krijimin e një balerini duhen tetë vjet, 4 shkollim të ulët dhe 4 shkollim të mesëm profesional", ka thënë Brahimaj, duke shtuar se ka marrë premtime nga Ministria e Arsimit për themelimin e një shkolle të mesme të baletit, por fillimisht duhet gjetur lokacioni. Tani Brahimajt i mbetet të realizojë edhe një takim me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, për gjetjen e lokacionit.  (Më gjersisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës Kosova Sot)

(Kosova Sot)