Neglizhenca e MASHT-it rrezikon eksponatet e muzeut etnologjik

  • 25 June 2016 - 08:43
Neglizhenca e MASHT-it rrezikon eksponatet e muzeut etnologjik

"Megjithëse vitin e kaluar u premtua një mbështetje nga Këshilli i Shkencës së MASHT-it për inventarizimin e sallës, kjo gjë nuk ndodhi", ka thënë Hysen Matoshi,raporton Gazeta Kosova Sot

V itin e kaluar Ministria e Arsimit kishte ndarë një grant prej diku 9.500 eurove për t'i mundësuar Institutit Albanologjik konservimin dhe ekspozimin të artefakteve etnologjike, të cilat ruhen në një sallë të veçantë dedikuar pikërisht për këto artefakte. Por, ekzekutimi i këtij granti nuk është bërë duke e lënë në një pozitë mjaft të keqe gjithë atë trashëgimi me vlerta të veçanta etnokulturore. Instituti ruan eksponate me vlera të rëndësishme etnologjike, të cilat janë ekspozuar në një gjendje aspak të mirë, pikërisht për shkak të pamundësisë së IAP-së për të pajisur sallën me vitrinat dhe elementet tjera që nevojiten për konservimin, restaurimin dhe ekspozimin e këtyre eksponateve. Gazeta nuk ka mundur të marrë një prononcim nga zyrtarë të MASHT-të gjatë ditës së djeshme lidhur me problemin. Neglizhenca institucionale ndaj trashëgimisë kulturore nuk është diçka e re dhe deri më sot si MASHT ashtu edhe institucionet tjera përgjegjëse kanë dështuar në ruajtjen dhe trajtimin si duhet të kësaj trashëgimie. 

VITRINAT E KALBURA Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se ekspozita etnografike e Institutit Albanologjik është në gjendjen aktuale për mungesë fondesh për blerjen e vitrinave adekuate dhe të aparaturës tjetër të domosdoshme, si entomanekinë, llamba speciale për ndriçim etj. Matoshi ka thënë se pas rinovimit të objektit, ndodhi edhe dëmtimi i rëndë i vitrinave, të cilat ishin kalbur krejtësisht nga rrjedha e shiut. Sipas Matoshit, pasi objekti ishte pa kulm dhe për rrjedhojë lëshonte pikën, u shtrua nevoja e një mbështetjeje për inventarizimin e kësaj salle, e cila tani, pas rinovimit të objektit, e ka dyfishin e hapësirës. "Megjithëse vitin e kaluar u premtua një mbështetje nga Këshilli i Shkencës së MASHT-it për inventarizimin e sallës, kjo gjë nuk ndodhi", ka thënë Hysen Matoshi. Ai ka thënë se duke marrë parasysh faktin se bëhet fjalë për eksponate të rëndësishme për identitetin e shqiptarëve, rrjedhimisht edhe për identitetin e Kosovës, ndihma e premtuar për inventarizimin dhe funksionalizimin e kësaj ekspozite nuk do të duhej të vonohej. Eksponatet që ka instituti, si veshje popullore dhe vegla tradicionale pune, janë me interes për trashëgiminë tonë materiale e shpirtërore. Ato në një periudhë të mëhershme janë konservuar me fondet e Institutit, por gjithashtu duhet thënë se ato janë ruajtur edhe gjatë periudhës okupimit dhe të luftës në Kosovë në saje të punonjësve të Institutit Albanologjik. "Tani është koha që shteti i Kosovës t'i kushtojë vëmendje kësaj trashëgimie të rrallë, e cila, me një mbështetje modeste, do të mund të bëhej një atraksion edhe për vizitorët e huaj në Kosovë, por në mënyrë të veçantë, kjo ekspozitë është një burim i paçmueshëm për studiuesit e kulturës shqiptare", ka thënë ai. (Më gjersisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës Kosova Sot)

(Kosova Sot)