Miliona eurove nuk u dihet destinacioni

  • 30 June 2016 - 08:50
Miliona eurove nuk u dihet destinacioni

Hapet rruga për hetim nga prokurorët.

"Gjatë auditimit kemi vërejtur se, si pasojë e menaxhimit jo të mirë të procesit të dhënies së subvencioneve, si dhe mungesës së mekanizmave adekuatë, që do t'i kushtëzonin përfituesit që të raportojnë për projektet e subvencionuara, një numër i konsiderueshëm i avancave-projekteve të subvencionuara nga vitet paraprake, në vlerë prej mbi 6 milionë euro, kanë mbetur të paarsyetuara", thuhet në raportin e ZAP-it

Nëse Prokuroria e Kosovës do ta mbajë fjalën, për të hetuar raportet e Auditorit të Përgjithshëm, atëherë do të ketë mjaft punë në Ministrinë e Kulturës. Janë gjashtë milionë euro të dhëna nga MKRS-ja si subvencione për subjekte të ndryshme, për të cilat nuk është raportuar se si janë shpenzuar, pa përfshirë këtu edhe rastet e tjera të keqpërdorimit të parasë publike në këtë ministri. Gjithë kjo shumë nga përfitues të pandërgjegjshëm është grumbulluar për vite, duke mos sjellë dëshmitë mbi shpenzimet e parasë publike, çka e ka bërë MKRS-në të pafuqishme përballë keqpërdorimeve. Më e keqja është se në shumë raste shumë prej atyre OJQ-ve kanë përfituar përsëri nga ministria. Gjithë këto të dhëna janë evidentuar në raportin e Auditorit të Përgjithshëm për pasqyrat financiare të MKRS-së për vitin 2015. 

Milionat e paarsyetuara Në raportin e Auditorit, lidhur me mosarsyetimin adekuat të subvencioneve të përfituara, janë gjetur mangësi. Auditori konstaton se dhë- nia e subvencioneve nga MKRS-ja ka për qëllim realizimin e projekteve të kulturës, rinisë, sportit dhe trashëgimisë kulturore, kurse pas përfundimit të këtyre mjeteve përfituesit pritet që shpenzimin e mjeteve të përfituara ta arsyetojnë me dorëzimin e dëshmive të dokumentuara. Megjithatë, sipas të gjeturave të ZAPit, kjo nuk po ndodh me projektet e financuara nga MKRS-ja për arsye të ndryshme. "Gjatë auditimit kemi vërejtur se si pasojë e menaxhimit jo të mirë të procesit të dhënies së subvencioneve, si dhe mungesës së mekanizmave adekuatë që do t'i kushtëzonte përfituesit që të raportojnë për projektet e subvencionuara, një numër i konsiderueshëm i avancave-projekteve të subvencionuara nga vitet paraprake, në vlerë prej mbi 6 milionë euro, kanë mbetur të paarsyetuara", thuhet në raportin e ZAP-it për pasqyrat financiare të MKRS-së për 2015. Po ashtu, auditori ka gjetur keqpërdorime edhe në një rast të subvencionimeve, ku sipas të gjeturave te projekti për ofrimin e trajnimit falas për 200 të rinj në vlerë 39,130 euro mungonin dëshmitë relevante për pagesat, konkretisht transferet bankare. "Si dëshmi ishin sjellë fatura me data më të hershme sesa datat e realizimit të projektit dhe disa (paragonë) blloqe. Po ashtu, në bazë të raportit të bartësit të projektit vetëm 89 persona kanë marrë pjesë në këto trajnime, derisa shpenzimet janë mbuluar për 200 të rinjtë", thuhet në raportin e auditorit. Sipas raportit, numri i madh i projekteve të paarsyetuara bën të pamundur konfirmimin nëse objektivat e ministrisë janë arritur, si dhe dëmtojnë menaxhimin e buxhetit dhe mund të shkaktojnë përdorimin e fondeve në kundërshtim me synimet e planifikuara."Ministri duhet të sigurojë që projektet e subvencionuara të jenë subjekt i monitorimit të rregullt nga zyrtarët e Ministrisë, për të siguruar respektimin e kërkesave-afateve për raportim nga përfituesit për mënyrën e shfrytëzimit të mjeteve. Aty ku nuk respektohen kërkesat dhe afatet kohore për arsyetimin e shpenzimeve duhet të ndërmerren masat e nevojshme ndëshkuese", thuhet në raportin e ZAP-it. 

Shpirti i ngulitur korruptiv MKRS-ja nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës për të komentuar të gjeturat e auditorit gjatë ditës së djeshme. Përderisa njohësit e zhvillimeve kulturore në vend e shohin si pasojë e politizimit të skajshëm që po u bëhet institucioneve shtetërore. Në një prononcim për "Kosova Sot", shkrimtari Argjend Hasani potencoi se fenomeni i keqpërdorimit të parasë publike është trashëguar nga ish-sistemi i kaluar komunist, ku një pjesë e madhe e tyre sot trashëguan dhe instaluan mentalitetin e keqpërdorimit të parasë publike për interesa personale, por edhe partiake. Sipas tij, gjetjet e auditorit, ku vërtetohen keqpërdorime në financat publike, për vite të tëra në MKRS dhe në disa ministri, vjen si rezultat i instalimit të një mentaliteti komunist.

(Kosova Sot)