Sfidat reale në komunitetin virtual

  • 28 July 2016 - 08:34
Sfidat reale në komunitetin virtual

P latformat e internetit dhe aplikacionet e celularëve të mençur po zhvillohen me një shpejtësi aq të madhe saqë duket që shumë shpejt një lojë si puna e "Nerve" mund të jetë e gatshme për shkarkim. Duke kombinuar funksionin e videove bashkë me karakteristikat e marra në rrjetet sociale, ky aplikacion fiktiv mbledh komunitetet e 'shikuesve', të cilët angazhohen me 'lojtarët', që garojnë për para duke kompletuar sfida që jepen nga pjesëmarrësit në lojë, e që duhet të kompletohen brenda 24 orëve.

Me gamën e aktorëve të rinj dhe joshës dhe me një platformë të kampanjës nëpër media, filmi "Nerve" nuk pritet ta ketë të vështirë gjetjen e audiencës, megjithatë nuk pritet as që të jetë trend për një kohë të gjatë, pasi që njerëzit shpejt do ta kuptojnë mesazhin e thjeshtë të filmit. Vajza e turpshme bëhet pjesë e "lojës" Loja, e cila zhvillohet në film, e, në bazë të së cilës e ka marrë emrin filmi, quhet "Nerve" dhe ka të bëjë me paraqitjen e sfidave të ndryshme, për pjesëmarrësit në lojë, sfida këto që, në raste, mund t'i kalojnë kufijtë. Filmi është interesant sepse producentët kanë arritur që, me pak punë në krijimin e një perspektive të inxhinierisë sociale, ta shndërrojnë një adoleshente, që nuk është shumë e dhënë pas jetës virtuale, në një person të fiksuar, nëpërmjet përshtatjes së një aplikacioni të ri. Venus "Vee" Delmonico (Emma Roberts), një vajzë e turpshme në shkollë të mesme, ka jetuar një jetë shumë të thjeshtë, duke qenë pothuajse gjithmonë nën hijen e shoqes së saj të ngushtë, Sydney-t (Emily Meade), deri në momentin kur Sydney e sfidon Vee-në që të ndryshojë.

Pasi që injoron letrën që e njofton se është pranuar në universitet - fakulteti i arteve - Vee vendos që t'i bashkohet komunitetit "Nerve", ku 'shikuesit paguajnë që të shikojnë derisa lojtarët luajnë dhe fitojnë para e lavdi' duke i pranuar dhe kompletuar sfidat që vinë nga lojtarët tjerë. Në këtë komunitet Vee takohet me Ian-in (Dave Franco) pasi që ai bëhet pjesë e sfidës së saj, kur e zgjedhë për të qenë 'i huaji që ajo e puth' për pesë sekonda në publik në këmbim të 100 dollarëve. Shkëndijat e dashurisë Ian-i, që gjithashtu është një lojtar i rryer i lojës "Nerve" dhe Vee duket se shkojnë shumë me njëri-tjetrin, gjë të cilën e vëren edhe audienca, të cilët kërkojnë që atyre dyve t'u jepen më shumë sfida për t'i kompletuar së bashku, gjë kjo që u sjellë një shumë të madhe parash, megjithatë, pa kaluar shumë kohë, Vee e kupton që loja ka nxjerrë shumë informacione nga rrjetet e saj sociale dhe nëse vazhdohet në këtë mënyrë do ta vinte në rrezik personalitetin e saj si dhe atë të familjes. Natyrisht, nga sidat e shumta që Vee dhe Ian i kalojnë me njëritjetrin, ata përjetojnë edhe disa shkëndija, që mund të jenë pikënisje e një lidhjeje të dashurisë. Pjesa e mbetur e filmit kryesisht trajton peripecitë me të cilat Vee duhet të përballet në lojë dhe në jetën reale, ku spikasin bisedat që ka me nënën e saj, Nancy (Juliette Lewis), që është tejet e kujdesshme në mbrojtjen e së bijës. Premiera e filmit është shfaqur dje, më 27 korrik.

(Kosova Sot)