Ibër Deari, me filmin “Toka” në “DokuFest”

  • 28 July 2016 - 14:41
Ibër Deari, me filmin “Toka” në “DokuFest”

Ibër Deari ka thënë se për herë të parë po merr pjesë me një film në ‘DokuFest’, duke e vlerësuar si një rrugëtim të mbarë për filmin “Toka”.

Filmi artistik i metrazhit të shkurtë “Toka” është zgjedhur të jetë në garë, në kategorinë e filmave kombëtarë në ‘DokuFest’. Filmi “Toka”, me regji të Ibër Dearit, premierën do ta ketë më 9 gusht, kurse vetë Deari është shprehur të jetë shumë i lumtur që filmi i tij po nis rrugëtimin pikërisht nëpërmjet këtij festivali. “Unë ‘DokuFest’-in e kam përcjellë këto vitet e fundit, por ky është viti i parë që do të jem me film. ‘DokuFest’ është një festival që më ka dhënë shumë përshtypje të mira dhe shpresoj që filmi të pritet mirë”, ka thënë Deari, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Filmi në fjalë trajton një temë rreth mentalitetit të familjeve shqiptare me theks të veçantë pasuritë familjare, gjegjësisht patundshmëritë e tyre. Aktorët, Adem Karaga në rolin e Bardhit dhe Afrim Mucaj në rolin Lisit paraqesin konfliktin ndërmjet dy vëllezërve, ndërkohë ky konflikt shpërfaq thelbin e temës të cilën Deari ka zgjedhur ta trajtojë në këtë film. Aktorët tjerë që luajnë në këtë film janë: Amernis Nokshiqi, Sefedin Nuredini, Vebi Qerimi, Sefedin Shabani, Muzbajdin Qamili, Anida Islami dhe Aron Arifi. 

Dhe sa është i kënaqur vetë Ibër Deari me realizimin e filmit, ai ka thënë se filmi tashmë është finalizuar dhe ai si regjisor është i kënaqur me këtë projekt, pjesa tjetër mbetet te publiku. Ai ka thënë se gjithmonë ekziston hapësira e mendimit se ka pasur mundësi të bëhej më mirë, mirëpo ai ka thënë se tashmë filmi është kryer. 

“Sa i përket lojës së aktorëve, këtë film unë ua dedikoj pikërisht aktorëve, pasi që ata kanë qenë motivi kryesor t’ia dalë deri në fund. Me shumë bindje e them se në realizimin apo ekipin e filmit njerëzit më të mirë dhe më të përkushtuar në punë janë aktorët tanë. Meritojnë shumë respekt dhe dashuri”, ka thënë Deari. Filmi “Toka” është realizuar nga produksioni "FrameIn Production”. Ky projekt filmik, i metrazhit të shkurtër, është mbështetur edhe nga Agjencia e fondit të Republikës së Maqedonisë. 

(Kosova Sot)