Iniciativa e MKRS-së ka shumë të meta

  • 29 August 2016 - 08:29
Iniciativa e MKRS-së ka shumë të meta

Iniciativa e Ministrisë së Kulturës për t'u mundësuar qytetarëve kosovarë që vetë të propozojnë asete të ndryshme të trashëgimisë kulturore për t'u vënë në mbrojtje të shteti, është komentuar në mënyra të ndryshme nga ekspertë të fushë së trashëgimisë. Për disa kjo është parë një iniciativë e gabuar dhe e jashtëligjshme, derisa për të tjerët kjo iniciativë shihet si e qëlluar, pasi qytetarët ruajnë një trashëgimi të bollshme, sidomos nga ajo etnologjike, shkruan gazeta Kosova Sot.

Në fillim të këtij muaj, MKRS-ja ka krijuar një mundësi që qytetarët, që posedojnë vlera të trashëgimisë, që ato t'i propozojnë për t'u futur nën mbrojtje të shtetit. Ministria ka krijuar enkas një mundësi në kuadër të databazës së trashëgimisë për të propozuar artefakte që qytetarët mendojnë se duhet të bëhen pjesë nacionale e trashëgimisë. Pavarësisht kësaj, gazeta nuk ka mundur të marrë një prononcim nga zyrtarë të MKRS-së, lidhur me interesimin e qytetarëve për t'ju përgjigjur iniciativës së MKRS-së, si dhe procedurave që do të zbatohen për të përmbushur synimet nga kjo iniciativë.

Të shpallet e pavlefshme lista aktuale

Në anën tjetër, ekspertë të fushës kanë dhënë mendime të ndryshme rreth kësaj iniciative. Në një prononcim për "Kosova Sot" Qazim Namani, ekspert në fushën e trashëgimisë, ka thënë se nisma e MKRS-së për t'u mundësuar qytetarëve që të propozojnë për t'u futur nën mbrojtje të shtetit pasuri të ndryshme të trashëgimisë kulturore është e gabuar, e jashtëligjshme dhe në kundërshtim profesional për qasje në monumente të kulturës. Ai ka thënë se për futje në mbrojtje të shtetit një objekt duhet të plotësojë disa nga kriteret bazë të caktuara nga konventat ndërkombëtare. "Një objekt mund të ketë vlera kulturore, por nuk do të thotë se ka vlera monumentale, andaj mendoj se vlerësimin e këtyre objekteve e bëjnë profesionistët, e jo qytetarët. Mendoj se hapi i parë që duhet të ndërmarrë MKRS-ja është të lirohet dhe ta shpallë të pavlefshme listën e tanishme për mbrojtje të përkohshme të monumenteve të kulturës, sepse në këtë listë janë të emëruara shumë objekte që nuk ekzistojnë fare dhe objekte të tjera që s'i plotësojnë kriteret për t'u emëruar si monumente të kulturës", ka thënë Namani.

Ky nuk duhet të jetë një proces i mbyllur

Kurse Ylber Vokshi, ekspert në fushën e trashëgimisë, ka thënë për "Kosova Sot", se është ide dhe iniciativë e qëlluar që duhet përshëndetur, që t'u mundësohet banorëve të Kosovës, që të propozojnë vetë vlera të ndryshme të trashëgimisë për t'u futur nën mbrojtje të shtetit. Sipas tij, kjo duhet të bëhet duke i respektuar principet e domosdoshme të transparencës dhe gjithëpërfshirjes, dhe duhet pasur kritere profesionale në procesin e propozimeve dhe përfshirjes së këtyre vlerave të trashëgimisë. "Duke u nisur nga niveli i diturive të mjedisit ku jetojmë, ku çdo gjë e vjetër vlerësohet si trashëgimi, duhet pasur kujdes në procesin e selektimit të propozimeve që do të vijnë. Ka disa gracka që duhet shmangur ai trupi kompetent i MKRSsë për përfshirjen e propozimeve në listë të trashëgimisë si ato që të mos ketë propozime të ngjyrosura me prapavija politike, interesa klanore, regjionale, përfitime materiale, pa vlera, joserioze etj.", ka thënë Vokshi, duke shtuar se forma elektronike për propozime nuk duhet të jetë e vetmja, pasi Kosova nuk mund të mburret me shtrirjen e internetit në të gjitha anët e saj. Sipas tij, ky proces i propozimeve nuk duhet të mbyllet vetëm në periodën e donacioneve të huaja, por duhet të ketë vazhdimësi, bartës duhet të jetë MKRSja, pasi gjithnjë do të ketë asete të reja si rezultat i hulumtimeve në të ardhmen. Vokshi ka thënë se anashkalimi i nivelit lokal- komunave nuk duhet të ndodhë me këto propozime. "Së pari duhet pasur një "filtër"apo vlerësim në Komunë, apo nëpërmes Komunës të shkohet me propozime në MKRS, përndryshe do të ketë ngarkesa të panevojshme në punën e ekspertëvekomisionit të trashëgimisë kulturore në qendër MKRS", ka thënë Vokshi. 

Propozimet online

MKRS-ja që nga fillimi i këtij muaji u ka mundësuar qytetarëve kosovarë që përmes shërbimit të Databazës së Trashëgimisë Kulturore të Kosovës, që t'i propozojnë vetë asetet e trashëgimisë kulturore për ruajtje. "Interesuarit që kanë asete të ndryshme të Trashëgimisë Kulturore, mund të klikojnë në vegzën e internetit, përmes të cilës, mund t'i bëjnë propozimet e tyre: http://dtk.rksgov.net/tkk_propozimi.aspx. Inkurajohen të gjithë ata qytetarë të Kosovës, që konsiderojnë se kanë asete të trashëgimisë arkitekturale, arkeologjike, të luajtshme, shpirtërore apo peizazhe kulturore të propozojnë asetet e tyre për ruajtje", kishte lajmëruar MKRS-ja përmes një komunikate me rastin e bërjes publike të mundësisë së propozimeve. Po sipas kësaj komunikate, pasi që bëhen propozimet, bëhet vlerësimi i tyre nga ekspertët e TK-së të MKRS-së dhe poseduesit e aseteve do të kontaktohen nga ana e zyrtarëve të Ministrisë për procedurat e mëtejme. 

(Kosova Sot)