Brad Pitt apo Angelina Jolie: Cili prej tyre është yll më i madh?

  • 27 September 2016 - 15:55
Brad Pitt apo Angelina Jolie: Cili prej tyre është yll më i madh?

Pas ndarjes së çiftit më të suksesshëm në Hollivud  

Ata kanë kaluar një kohë të gjatë së bashku, duke ua shkrirë zemrat adhuruesve të tyre të shumtë, andaj edhe mund të keni harruar se cili prej tyre është yll më i madh

Bashkë, Brad Pitt dhe Angelina Jolie kanë përbërë njërin prej çifteve më të fuqishme në botë dhe padyshim, më të suksesshmin në industrinë e filmit. Ata kanë kaluar një kohë të gjatë së bashku, duke ua shkrirë zemrat adhuruesve të tyre të shumtë, andaj edhe mund të keni harruar se cili prej tyre është yll më i madh. Më poshtë ua kemi sjellë disa fakte, që mund t’ju ndihmojnë në këtë gjykim, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Çmimet e fituara

Gjatë karrierës së tyre të bujshme, Angelina dhe Brad kanë fituar një sërë çmimesh të rëndësishme. Jolie ka tri statuja ‘Globi i Artë’ dhe nga një çmim ‘Oscar’ dhe ‘SAG’ për rolin e saj në filmin e vitit 1999 “Girl, Interrupted”. Pitt, në anën tjetër, ka gjithashtu një çmim ‘Oscar’, për rolin e producentit në filmin “12 Years a Slave”, që ka fituar çmimin për filmin më të mirë në ceremoninë e vitit 2012 si dhe nga një çmim ‘Globi i Artë’ dhe ‘Emmy’ për filmin “Twelve Monkeys” respektivisht “The Normal Heart”. Pra, në këtë pikë, që të dy janë yje të mëdhenj dhe nuk mund të thuhet që njëri është më i mirë se tjetri.

Aktivitetet e bamirësisë

Janë të arriturat e Jolie-t në fushën e bamirësisë ato që e dallojnë nga ai që shumë shpejt do të jetë ish bashkëshorti i saj. Përkundër faktit që edhe mbiemri i Brad-it është pjesë e emrit të Fondacionit “Jolie-Pitt” dhe përkundër asaj se edhe aktori dhe producenti i famshëm është angazhuar shumë për bamirësi, është Angelina e cila fiton në këtë seksion, meqë më shumë ka shkelur në tokën e vuajtur sesa në qilimin e kuq.

Përfitimet nga aktrimi

Sa i përket shumës që e fitojnë nga projektet në të cilat marrin pjesë duhet theksuar që Brad Pitt qëndron dukshëm më mirë, ndonëse në këtë gjë mund të ndikojë edhe dallimi i madh i pagesës mes aktorëve meshkuj dhe atyre femra. Pitt vlerësohet që fiton rreth 31.5 milionë dollarë në vit, ndërsa Jolie e fiton pak më shumë se gjysmën e kësaj shifre. Edhe për filmin “Mr. & Mrs. Smith” ka pasur një dallim të madh në pagesat që u janë bërë, me Pitt-in që ka marrë 20 milionë ndërsa Jolie 10 milionë dollarë.

Marrëdhëniet me publikun

Jolie, gjatë gjithë karrierës së saj, ka qenë në kontakt me adhuruesit e saj të shumtë dhe me njerëzit të cilët kanë pasur nevojë për ndihmën asaj, andaj lirisht mund të thuhet që ajo është triumfuese në këtë seksion.

Bukuria e jashtme

Ndonëse që të dy janë tejet joshës, Brad Pitt është shpallur dy herë “Mashkulli më tërheqës në botë”, andaj, me një dallim të vogël, e fiton këtë ‘betejë’. 

(Kosova Sot)