Daniel Radcliffe: Nuk dua që njerëzit ta harrojnë ‘Harry Potter’-in

  • 29 September 2016 - 17:05
Daniel Radcliffe: Nuk dua që njerëzit ta harrojnë ‘Harry Potter’-in

Flet aktori i serisë së famshme

”Mendoj që njerëzit po më japin lëvdata të pamerituara sa i përket përshtatjes në role të ndryshme”, ka thënë ai

Seria e famshme “Harry Potter” ka pasur shumë ndikim në karrierën e aktorit Daniel Radcliffe, që ka luajtur rolin kryesor në të. Kjo gjë mund të vërehet nga rolet e shumta që i janë ofruar, përfshirë këtu edhe atë të personazhit kryesor në filmin “The Woman in Black” në vitin 2012. Një vit më vonë, ai e ka luajtur rolin e Allen Ginsberg-ut në filmin “Kill Your Darlings” të regjisorit John Krokidas, film ky që kishte marrë shumë kritika pozitive.

Tani Radcliffe është duke punuar në dy nga projektet më kontroverse që ai ka punuar ndonjëherë, meqë do ta luajë rolin e agjentit të CIA-s, që është një racist i bardhë në filmin “Imperium”, si dhe atë të një “kufome që ngjallet” në filmin “Swiss Army Man”. Kritikët e filmit kanë vlerësuar që ai këto veprime po i bën me shpresën që do të jetë në gjendje ta lërë prapa vetes imazhin e krijuar nga “Harry Potter”. E, kur është pyetur për këto pretendime, aktori 27-vjeçar ka thënë që kjo gjë nuk është aspak e vërtetë.“Nuk dua që njerëzit ta harrojnë ‘Harry Potter’-in dhe jam shumë krenar me ata filma”, ka thënë ai, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Dëshiron role të reja

“Gjithashtu nuk dua të përsëritëm duke treguar se çka kam bërë me personazhin e Harry-t, mirëpo sa i përket rolit në filmin “Woman in Black” dhe tani në “Imperium” mendoj që njerëzit po më japin lëvdata të pamerituara sa i përket përshtatjes në role të ndryshme. Ata thjesht janë mësuar të më shohin duke luajtur në një rol për një kohë të gjatë. Mirëpo, e vërteta është që të gjithë aktorët duan ta kenë një karrierë sa më të larmishme që është e mundur. Jam fatlum që po mund ta bëj një gjë të tillë”.

Filmi i tij i ri “Imperium” për momentin është duke u shfaqur nëpër kinema, ndërsa filmi tjetër “Swiss Army Man” do të shfaqet premierë këtë të premte.

(Kosova Sot)