Biblioteka e të verbërve të Kosovës, me kushte të mjerueshme

  • 25 October 2016 - 08:39
Biblioteka e të verbërve të Kosovës, me kushte të mjerueshme

Gjysma e hapësirës është uzurpuar

Biblioteka e të verbërve të Republikës së Kosovës "Syri ynë", në Prishtinë, po funksionin në kushte të mjerueshme. E lënë pas dorë nga përkujdesja institucionale, që nga rifunksionalizimi i saj më 2004, kjo bibliotekë është duke u përballur me ekzistencë. Ministria e Kulturës nën ombrellën e së cilës funksionon kjo bibliotekë, përveç përkrahjes simbolike të ndonjë projekti, ka bërë shumë pak për ta fuqizuar funksionimin e saj. Madje nuk ka përmbushur edhe obligimin e saj ligjor ndaj bibliotekës duke e lënë në mëshirën e kohës,shkruan gazeta Kosova Sot.E vendosur te ish- objekti e Organizatave humanitare, që ligjërisht i takon Shoqatës së Shurdhmemecëve të Kosovës, përveç nevojave profesionale, stafi po përballet edhe me pasojat e uzurpimit. Që nga pas lufta, gjysma e hapësirës së kësaj biblioteke është uzurpuar, duke pamundësuar funksionimin normal të bibliotekës. Një pjesë e mirë e depos së materialit librar të saj ndodhen në zonën e uzurpuar dhe stafi me vështirësi ka qasje në të. Madje, edhe tualeti i bibliotekës është në këtë zonë dhe kryerja e nevojave fiziologjike të stafit varet nga 'vullneti' i uzurpatorëve, e në rastin më të keq edhe nga ndonjë lokal aty afër. 

Shteti duhet ta nxjerrë bibliotekën nga kushtet mjeruese

Pavarësisht kësaj, shënimi i Ditës Ndërkombëtare për të Verbrit "Shkopi i bardhë", edhe këtë vit nuk kaloi pa deklarime pompoze të politikanëve dhe drejtuesve të institucioneve lidhur me përkujdesjen shtetërore ndaj kësaj kategorie. Madje u thanë edhe fjalë të mëdha. Por, zyrtarë të Ministrisë së Kulturës nuk i janë përgjigjur interesimit të Gazetës rreth punës që po bën ko ministri për këtë bibliotekë. Ndërsa për njohës të kësaj fushe, institucionet kanë bërë pak për këtë bibliotekë, e cila është e vetmja në vend e këtij lloji. Ramadan Beshiri, ekspert i bibliotekarisë, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se MKRS-ja ka çaluar në shumë aspekte në përkrahje të kësaj biblioteke dhe projekteve për të. "Nga viti 2010 e këndej, MKRS-ja ka çaluar pak në aspektin e përkrahjes së projekteve për bibliotekën e të verbërve të Kosovës. Mendoj se është dashur më shumë të përkrahet 'Syri ynë", ka thënë Beshiri, duke shtuar se ka munguar vullneti i MKRS-së për të forcuar funksionimin e saj, duke e lënë stafin në kushte të këqija të punës, ku më shumë se gjysma e hapësirës së bibliotekës është e uzurpuar. Ai ka thënë se shteti duhet të ketë një strategji për zhvillimin e kësaj biblioteke, në radhë të parë për ta nxjerrë atë nga kushtet mjeruese në të cilat aktualisht funksionon.

Dështim në funksionimin ligjor të bibliotekës

Por, pavarësisht problemeve, për çdo vit në Alfabetin e Braille janë botuar disa tituj- libra nga "Syri ynë". Dhe kjo është bërë e ditur përmes njoftimeve apo kërkesave që stafi i ka dërguar MKRS-së, duke i kërkuar dhe duke e njoftuar ministrinë rreth nevojave të bibliotekës, ku ndër më të rëndësishmet evidentohen; rregullimi i bazës ligjore, nevoja teknike dhe, mbi të gjitha, sigurimi i një objekti për Bibliotekën Qendrore të të Verbërve të Republikës së Kosovës, pastaj hapja e degëve në rrethe, bibliobusin, etj. "Biblioteka është institucion dhe thesari i dijes dhe informacionit, e cila duhet të ofrojë një shërbim lexuesve duke i plotësuar kërkesat dhe nevojat e tyre me kërkesat adekuate në shkrimin e Braille dhe digjitale për persona të verbër edhe për shkollim dhe studime universitare", thuhet ndër të tjerash, në njërën nga shkresat e stafit të "Syri ynë" dërguar MKRS-së, ku shpaloset puna, rezultatet, kërkesat dhe nevojat aktuale të kësaj biblioteke. Biblioteka "Syri ynë" hyn në kategorinë e bibliotekave të veçanta në kuadër të sektorit publik të bibliotekave, por deri më sot MKRS-ja ka dështuar në funksionimin ligjor të kësaj biblioteke.

 (Kosova Sot)