“Mendje Djallëzore”, premierë në Pejë

  • 03 July 2015 - 17:24
“Mendje Djallëzore”, premierë në Pejë

Të shtunën, më 4 korrik publiku do të ketë rastin të shohë premierën e një drame moderne në teatrin “Istref Begolli” në Pejë, e cila trajton fatin e individit në një sistem shtetëror ku vetëm drejtësi nuk ka.  “Mendje djallëzore”, është një dramë e autorit, gazetarit dhe redaktorit Blerim Haxhiaj. Regjinë e ka bërë Elmaze Nura . Shfaqja pritet të sjellë emocione të forta te publiku, transmeton Kosova Sot.

Vendi degradon, nëpërkëmb vlerat, parimet dhe shoqëria hyn në një krizë të thellë besimi. Frika e dyshimi, i pushtojnë të gjithë. Një grusht njerëzish të veshur me pushtet, nuk qeverisin më. Ata sundojnë.  Individi i shkelur, e ngre kokën dhe denoncon krimin që po e errëson të ardhmen e vendit. Ajkuni është një burrë i ndershëm, nëpunës i zoti.  Ai nuk e duron padrejtësinë, të keqen, mashtrimin. Një ditë vendos të flasë. Jeta e tij merr një kthesë të tmerrshme. Në Han, askush nuk guxon t’i kundërvihet Shefit. Shteti është në duart e tij, por kjo nuk do të zgjasë shumë. Ai tash nuk jeton më, megjithatë sistemi që ka ushqyer, me urrejtje e tradhti, nënshtrim dhe imoralitet, i ka rrënjët e thella. Mesazhi i dramës është se të jesh i ndershëm në Han është një mision gati i pamundur, ndërsa heroi e pëson për shkak të rrënimit të vlerave njerëzore.

Në burgun e Hanit, Oresi, një trafikant i afërt më pushtetin, do t’ia prishë vetminë shtetarit të prangosur. Hetuesi  do t’ia ofrojë Ajkunit , një “marrëveshje” për pranimin e krimit që nuk e ka bërë. Për të pranuar krimin, si shantazh, futet në lojë edhe zhdukja e vajzës së tij, Leas. Gruaja, Bora, jeton mes ëndrrës së prishur për një jetë të lumtur dhe akuzave të rënda  ndaj burrit të saj. I izoluar nga familja, i braktisur nga miqtë,i dëbuar nga puna, Ajkuni, vendos t’i shkojë deri në fund. Pas grilave të burgut, heroi i Hanit, shndërrohet në një antihero!
 

Në këtë shfaqje luajnë aktorët : Mentor Zymberaj, Flormend Shabaj, Aida Alidemi, Fidan Moni, Agon Balaj, Fisnik Sykaj. Muzikë e ka bërë Memli Kelmendi, skenografia dhe kostumet nga Fatbardha Shala, ndërsa dizajni i Dritave është bërë nga  Asllan Hyseni dhe Ali Thaqi. Shfaqja “Mendje djallëzore” është mbështetur nga komuna e Pejës.

Premiera është të shtunën me 4 korrik 2015 në orën 19.00 në “Teatrin Istref Begolli” në Pejë. Repriza jepet të hënën më 6 korrik në orën 19.00.

(Kosova Sot)