Skandal| Ministria e Kulturës shpenzoi qindra mijëra euro për projekte që nuk u kryen

  • 06 July 2015 - 14:22
Skandal| Ministria e Kulturës shpenzoi qindra mijëra euro për projekte që nuk u kryen

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, gjatë vitit të kaluar ka paguar rreth 200 mijë euro për projekte të cilat nuk kanë përfunduar gjatë vitit 2014 e as deri në qershor të vitit 2015.

Këtë e ka konstatuar raporti i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës i cili ka bërë auditimin e financave të kësaj ministrie për vitin 2014.

“Për ndërtimin e Palestrës Sportive në Istog”, vlera e paguar në total ishte 823,507€. Ishte paguar diku rreth 70% e kontratës derisa ishin përfunduar më pak se 50% të punëve të kontraktuara. (Pas vërejtjeve tona dinamika e punimeve ka filluar të përmirësohet). Për “Palestrën Sportive në Rahovec”, vlera e paguar për punë të pakryera ishte 143,402€“; dhe për “Palestrën Sportive në Skenderaj”, vlera e paguar për punë të pakryera ishte 33,420€”, thuhet në raportin e ZAP-it.

Këto kontrata, siç thuhet në raport, ishin lidhur në 2009 dhe sipas planit të rishikuar dinamik, punimet do të duhej të përfundonin deri në vitin 2014.

“Deri në qershor 2015 ato nuk ishin kryer ende. Projektet nuk kanë qenë të sakta ngase gjatë punimeve është shfaqur nevoja për sasi më të mëdha të materialeve sesa janë të parapara me paramasë dhe të kontraktuara”, thuhet më tej në raport.

Auditori ka vërejtur po ashtu se në këtë ministri ka pasur shumë parregullsi sa i përket procedurave të prokurimit siç janë lidhja e kontratave pa procedura të prokurimit si dhe kryerja e punimeve para procedurave të prokurimit.

“Nga rishikimi i 16 kontratave, ne kemi identifikuar se disa kontrolle nuk janë

zbatuar me konsistencë dhe kanë rezultuar me: Lidhja e kontratave pa procedura të prokurimit – Për kontraktimin e shërbimeve “Intervenimet emergjente në objektet e trashëgimisë kuturore” Ministria nuk kishte hapur tender mirëpo ketë shërbim e kishte marrë në bazë të një Marrëveshje të Mirëkuptimit (MiM) të nënshkruar me Culture Heritage Without Borders (CHWB). Pagesa gjatë vitit për këto shërbime ishin 150,000€. Punimet ishin bërë para procedurave të prokurimit – Tek një kontratë prej 3,600€, punimet kishin filluar para se të zhvillohen procedurat e prokurimit”, thuhet në raport.