Imazhi i Kosovës në një studim 370 faqesh

  • 07 July 2015 - 14:08
Imazhi i Kosovës në një studim 370 faqesh

Libri i cili flet për imazhin ndërkombëtar të Kosovës, me parathënie të Artan Fugës, ka gjithsej 374 faqe dhe gjendet edhe në libraritë e Prishtinës dhe Tiranës.

Doli nga shtypi libri më i ri shkencor  "Komunikimi në diplomacinë publike- Soft power-i dhe imazhi ndërkombëtar i Kosovës", më parathënie nga Artan Fuga, e studiuesit të komunikimeve dhe mediave Hasan Saliu. Libri është një studim më shumë se trevjeçar, i mbrojtur në vitin 2013 në Shkollën e Doktorale të Departamentit të Gazetarisë dhe të Komunikimit dhe Informacionit në Universitetin e Tiranës, e drejtuar nga prof. dr. Artan  Fuga (akademik), i cili ka hapur për herë të parë kërkimet e thelluara në komunikime dhe studime mbi mediat, transmeton "Kosova Sot ONLINE".

Akademik Fuga në parathënien e këtij libri thotë se autori i këtij libri, dr. Hasan Saliu, ka meritën se është i pari që e ka aplikuar në një studim tërësor në botën shqiptare, në librin shqip, me sukses të plotë, dhe duhet të shërbejë për të bërë të ndjeshëm qytetarin, vendimmarrësit, politikanët, se një opinion pozitiv te popujt e tjerë ndaj aksioneve dhe qenies të një populli, është një faktor i madh lehtësues i realizimit të strategjisë së tij.  Dr. Fuga shton se autori ka punuar disa vite rresht për ta nxjerrë këtë libër që lexohet ndoshta për disa orë, aq  i qartë dhe i strukturuar mirë që është.

Ndërsa, autori thotë se ky libër shkencor sjell disa risi. Risia e parë është vetë punimi si risi, sepse deri më tani nuk ka pasur një studim të veçantë në gjuhën shqipe për diplomacinë publike, pra  komunikim me publikët e jashtëm dhe imazhin ndërkombëtar të një vendi dhe shumë risi tjera që autori i ka paraqitur në hyrjen e librit...

Në përgjithësi ky libër shkencor, ngërthen trajtimin e një sistemi të ndërlikuar ku marrin pjesë aktorë të ndryshëm shtetërorë dhe joshtetërorë, të cilët komunikojnë me publikët e huaj, me qëllim që t'i informojnë dhe ndikojnë ata.

Në tërësi libri është i organizuar në tri pjesë të ndarë me kapituj. Pjesa e parë përfshin koncepte  teorike, pjesa e dytë diplomacia publike në Kosovë, dhe e treta:  modele krahasuese : praktikuesit e mëdhenj të diplomacisë publike dhe vendet e rajonit.

Libri në fjalë gjendet edhe në  Bibliotekën e AAB-së,  e cila do të jenë në dispozicion të studentëve dhe stafit të këtij institucioni, për qasje sa më të thellë në botën e shkencës e hulumtimit profesional.

Hasan Saliu përveç që është dekan dhe profesor në Fakultetin e Komunikimit Masiv në AAB, është ligjërues edhe në Universitetin publik të Tiranës – studimet master në komunikime. Ai ka qenë organizator dhe bashkorganizator i disa konferencave shkencore për mediat dhe komunikimet, anëtar i bordeve shkencore në disa konferenca, dhe deri më tani ka botuar 15 punime shkencore në revista shkencore shqiptare dhe ndërkombëtare në fushën e komunikimeve masive dhe medieve.

(Kosova Sot)