Drama e vuajtjes së kosovarëve nuk u transmetua si duhet në celuloid

  • 20 February 2017 - 08:45
Drama e vuajtjes së kosovarëve nuk u transmetua si duhet në celuloid

KINEMATOGRAFIA KOSOVARE DËSHTOI ME FILMAT ME TEMATIKËN E LUFTËS

Çalojnë si me filmin artistik, ashtu edhe me dokumentarët

"E di që flitej për një film të madh, madje ishin ndarë edhe rolet kryesore, por u hesht, nuk u bë dhe asgjë askujt. Paratë u avulluan", ka pohuar Foniqi, duke shtuar se zelli për llafe po del të jetë më i madh se për punë

Dhjetëra masakra të kryera nga forcat serbe ndaj popullsisë civile në Kosovës gjatë luftës së fundit nuk janë prezantuar si duhet nga kinematografia vendore, qoftë si filma artistikë të metrazhit të gjatë apo edhe dokumentarë. Pavarësisht se janë bërë me bollëk filma me tematika të tilla, nga kineastët tanë ende nuk kemi një film reprezentues, sidomos për audiencën e huaj për gjithë ato masakra të kryera nga serbët. Filmat më të mirë me tematikë të tillë janë bërë nga të huajit. Për kritikët dhe kinastët tanë ka shumë arsye pse kinematografia jonë ende qëndron mbrapa për pasqyrim të ngjarjeve të dhimbshme që ka kaluar Kosova gjatë luftës së fundit. Sipas tyre, nuk është në pyetje vetëm mungesa e mjeteve financiare, por edhe përkushtimi, serioziteti dhe vullneti i kineastëve për të bërë filma që do të përballeshin me prodhimet e industrisë filmike euroamerikane, shkruan gazeta Kosova Sot.

Avullimi i fondeve

Në një prononcim për "Kosova Sot", publicisti dhe njohësi i zhvillimeve kulturore në vend, Shaqir Foniqi, ka thënë se është vështirë të gjesh një arsye bindëse për mungesën e filmave për dhe rreth masakrave të tmerrshme që i kanë kryer forcat serbe në Kosovë. "Pse-të janë të shumta, por edhe çudia çuditet vërtet pse ndodh kështu. Të themi nuk ka para, kjo tezë nuk pi ujë, të themi nuk dinë, as kjo nuk qëndron, të themi nuk guxojnë kjo të tmerron, pra po del se nuk ka organizim dhe mbase as interesim! E di që flitej për një film të madh, madje ishin ndarë edhe rolet kryesore, por u hesht, nuk u bë dhe asgjë askujt. Paratë u avulluan", ka pohuar Foniqi, duke shtuar se zelli për llafe po del të jetë më i madh se për punë. Foniqi ka thënë se po të kishte vullnet do të kishte me dhjetëra filma të tillë."Që të jem i sinqertë, Agim Sopi, Blerta Zeqiraj, Isë Qosja, Ekrem Kryeziu, kanë bërë filma me këtë tematikë, por nuk është ajo që kërkohet në pyetjen tuaj. Të shohim e të presim. Neve asgjë nuk na bëhet vonë. Kështu ka ndodhur gjatë gjithë historisë sonë", ka pohuar Foniqi.

Të huajt e paraqesin më mirë luftën e Kosovës

Regjisori Mahir Musliu ka thënë se ka pasur tendenca për të bërë filma të tipit holivudian, për të hedhur dritë mbi këto ngjarje të tmerrshme, mirëpo, sipas tij, shpeshherë këto vepra filmike kanë mbetur të izoluara përbrenda Kosovës. "S'e di, ndoshta këta filma artistikisht nuk kanë qenë të punuar mirë, në mënyrë që të shpërthejnë edhe jashtë Kosovës. Kinemaja dhe filmi propagandistik është shumë i vështirë për t'u realizuar, sepse regjisorët nganjëherë nuk mund ta ndalin gjuhën patetike të të shprehurit dhe kjo ka të ngjarë të jetë njëra ndër arsyet e rënies së filmit në konstruksion dhe pabesueshmëri artistike", ka pohuar Musliu. Në anën tjetër, sipas tij, suksesi i të huajve me tematika të tilla është evident, ndonëse këta i shikojnë ngjarjet ftohtë dhe jashtë temperamentit nacional e patriotik."Thjesht nuk i ekzagjerojnë dhe mundohen t'u përmbahen ngjarjeve pa karikime të mëdha", ka thënë Musliu. Kurse për aktorin Selatin Ademi bërja e një filmi mbi masakrat e kryera nga serbët gjatë luftës së Kosovës kërkon buxhet dhe seriozitet të madh nga të gjithë. Ai ka thënë se për të bërë filma të tillë duhet një bashkëpunim i madh i gjithë spektrit kinematografik në vend, sidomos nga skenaristët dhe regjisorët. "Duhen miliona për një film të tillë, përkushtim dhe argumentim konkret, pasi temat për dëshmimin e masakrave dhe tmerreve të tjera kërkojnë profesionalizëm të lartë", ka pohuar Ademi, duke mos përjashtuar edhe mospërkushtimin e kineastëve për t'u marrë me tema të tilla. Ademi ka thënë se kinematografia jonë duhet të merret jo vetëm me tematikat rreth masakrave, por edhe me tema të tjera të dhimbshme, siç ishin ato të kidnapimit të njerëzve nga autoritetet serbe dhe që për një kohë të gjatë u mbajtën si robër lufte.  
 

(Kosova Sot)