Institucionet dështuan me kulturën

  • 21 February 2017 - 08:54
Institucionet dështuan me kulturën

Nuk ka aktivitete të mjaftueshme për të rinjtë,shkruan gazeta Kosova Sot.

Institucionet kosovare, si ato të nivelit lokal, ashtu edhe qendror, kanë bërë pak, për të mos thënë fare për edukimin arsimor dhe kulturor të të rinjve kosovarë. Pavarësisht se shpesh politikanët krenohen me rininë kosovare, duke e cilësuar si pasuri të shtetit, nuk është bërë asgjë për ta. Kështu, kur vjen puna për krijimin kushteve, që rinia të shkollohet dhe edukohet, gjërat nuk shkojë siç thotë politika. Dëshmia më e mirë është rezultati i PISA-s, ku u pa se çfarë bën shteti për edukimin e rinisë kosovare. Hiç më mirë nuk qëndron puna kur është në pyetje edukimi kulturor dhe zhvillimi i talenteve të reja në fusha të ndryshme të artit. Pa infrastrukturë të nevojshme dhe me rrudhje të kuadrit, që merret me veprimtaritë kulturore për fëmijë, edukimi kulturor i fëmijëve dhe të rinjve kosovarë, varet shumë nga emisionet, që transmetojnë televizionet e ndryshme.

Mungon infrastruktura 

Ismet Tahiraj, shkrimtar dhe studiues i letërsisë për fëmijë, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se të rinjtë e vendit tonë kanë mbetur pa busullën orientuese të veprimtarive kulturoartistike. Sipas tij, shumë pak e pothuaj fare nuk është bërë në këtë drejtim, pasi është neglizhuar totalisht forma e edukimit kulturor dhe atij artistik. Ai ka thënë se hiç pak aktiviteteve, fëmijët tanë janë privuar dhe po privohen nga shumë festivale, shfaqje teatrale dhe filmike. "Duhet të hapen festivalet për të rinjtë pse jo dhe konkurse kualifikuese me gara eliminuese, të fitojë ai që meriton apo ai më i miri. Me këtë bagazh të rinjtë krijojnë përvojën personale apo grupore, që me sukses do ta dëshmonin profesionalizmin e tyre që do të shërbente si bazë më vonë në hapat e tyre të pjekurisë, ose moshës së mesme", ka pohuar Tahiraj. Ai ka numëruar mungesën e garave për fëmijë në dramë, film të shkurtër dhe sporte. Sipas tij, mungon edhe infrastruktura adekuate, ku mungojë sallat dhe skenat e përshtatshme për aktivitetet e më të vegjëlve. Krijuesi Tahiraj ka thënë se si rezultat i kësaj, të rinjtë tanë humbin shumë shanse për t'u kualifikuar nëpër festivale ndërkombëtare në shumë disiplina artistike e sportive, veçmas në ato të etnologjisë apo këngëve dhe valleve. "Kush tjetër është fajtor, përveç kompetentët, që as nuk çajnë kokën për të gjetur së paku një hapësirë sado-kudo të kenë ku të zhvillojnë aktivitetin e tyre. Po ashtu mungon dhe përkrahja financiare, çka është primare në sukseset dhe veprimtaritë për fëmijë", ka pohuar krijuesi Ismet Tahiraj.

Mungesa e festivaleve

Ndërsa studiuesi dhe Avni Rudaku ka thënë për "Kosova Sot" se potenciali kulturor e letrar i fëmijëve më shumë zhvillohet nga filmat e huaj vizatimorë e të animuar, sesa nga institucionet tona. Jeta kulturore për fëmijë në vend, sipas tij, është shumë e varfëruar. "Pa shfaqje më të shpeshta dhe më të llojllojshme për fëmijë, pa parqe e hapësira të duhura publike, ku ka aktivitete e jo vetëm ato që servojnë qendrat tregtare", ka pohuar Rudaku, duke shtuar se ka shumë mangësi infrastrukturore, pastaj mangësi të kuadrove kulturore, që merren vetëm me fëmijë, si dhe ka shumë pak qendra kulturore aktive, ku fëmijët dhe të rinjtë do të zhvillonin potencialet e tyre kulturore. "Pavarësisht se për vite kanë ekzistuar disa festivale për fëmijë të karakterit nacional, apo edhe rajonal, viteve të fundit edhe ato nuk po duken më, pothuajse në mbarë vendin. Bile as ndonjë festival i dramës, kukullave, apo i këngëve popullore për fëmijë, si dikur një festival i fëmijëve në kryeqytet, apo edhe ai i "Dodonës" me kukulla", ka thënë Rudaku, duke shtuar se vështirë që gjithmonë arsyet të jenë mjetet financiare. "Më shumë kemi të bëjmë me neglizhencë të institucioneve, ku dominojnë klanizimet dhe preferencat politike po dëmtojnë shumë dhe edukimin kulturor dhe artistik të të rinjve në vend", ka thënë Rudaku. 

(Kosova Sot)