Diskriminimi dhe pagat e ulëta godasin aktorët e teatrit

  • 28 March 2017 - 08:29
Diskriminimi dhe pagat e ulëta godasin aktorët e teatrit

Dramaturgu Sokol Plakolli proteston para TKK-së, kërkon dekriminalizimin e këtij institucion.

"Për të eliminuar gjithë këto anomali, që sot përballet aktori i Trupës rezidente të TKK-së, duhet hartuar dhe fuqizuar një rregullore për angazhimin e aktorëve në shfaqjet e repertorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, vlerësimin real të tyre, rritje të rrogave jo vetëm për aktorë, por edhe për stafin teknik, pa dyshim edhe kushte për zhvillim të veprimtarisë teatrore", ka thënë Naim Berisha, nënkryetar i sindikatës.

Të hënën është shënuar Dita Botërore e Teatrit, me ç'rast janë evidentuar një sërë problemesh, që nga diskriminimi në angazhimin e aktorëve kosovarë në shfaqjet teatrore deri tek pagat e vogla dhe kushtet aspak të mira për aktrim. Edhe ndërhyrjet politike e klanore, që kanë vazhduar me të njëjtin ritëm, po e pengojnë zhvillimin e një teatri profesionist. Drejtues të Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar, por edhe vetë aktorët rezidentë kanë evidentuar problemet, me të cilat po përballet sot TKK-ja. Sindikata bën thirrje që institucionet përgjegjëse të bllokojnë diskriminimin brenda edhe vetë Trupës rezidente të TKK-së. Sindikata kërkon që të bëhet hartimi i një rregulloreje për angazhimin e punëtorëve brenda vetë Trupës rezidente, duke akuzuar menaxhmentin e TKK-së për diskriminim dhe shumë parregullsi brenda TKK-së. Trupa rezidente e TKK-së kërcënon me grevë në rast se nuk ka rritje pagash.

Të ndalet diskriminimi Në një prononcim për "Kosova Sot", nënkryetari i Sindikatës, Naim Berisha, ka thënë se SHSPTKK-ja ka konstatuar keqpërdorimet sa i përket angazhimit të aktorëve në shfaqjet e TKK-së. Sipas tij, po bëhen diskriminime, edhe brenda vetë trupës rezidente dhe për këtë e bën përgjegjës drejtorin artistik të TKK-së. Sipas tij, situata e krijuar që prej miratimit të Ligjit për teatrin rezultoi me krijimin e klaneve brenda TKK-së, diskriminimin e qëllimshëm të aktorëve të caktuar, keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e buxhetit të TKK-së, duke lidhur kontrata mbi vepër pa nevojë dhe pa kriter, rrënimin e sistemit të vlerës dhe konkurrencës së shëndoshë brenda Trupës rezidente dhe aktorëve të jashtëm. Sindikata në dhjetor të vitit të kaluar i paraqiti kërkesë zyrtare Këshillit Drejtues të TKK-së, për inicimin e procedurës së miratimit të Rregullores: "Për Angazhimin e Aktoreve të Trupës Rezidente dhe Aktorëve të Jashtëm" me numër të protokollit 478/16, në mënyrë që të gjitha këto delikte të eliminohen. "Për të eliminuar gjithë këto anomali që sot përballet aktori i Trupës rezidente të TKK-së, duhet hartuar dhe fuqizuar një rregullore për angazhimin e aktorëve në shfaqjet e repertorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, vlerësimin real të tyre, rritje të rrogave, jo vetëm për aktorë, por edhe për stafin teknik, pa dyshim edhe kushte për zhvillim të veprimtarisë teatrore", ka thënë Naim Berisha, nënkryetar i SHSPTKK-së, duke kujtuar problemet që sot përballet skena teatrore në vend në Ditën Botërore të Teatrit. Ai ka thënë se tashmë me kohë SHSPTKKja u është drejtuar organeve kompetente për këtë diskriminim dhe anomalitë e tjera që po përballet TKK-ja. Gazeta nuk ka mundur të marrë një prononcim nga menaxhmenti i TKK-së lidhur me akuzat e SHSPTKK-së për diskriminim. Ndërsa, Institucioni i Avokati të Popullit ka konfirmuar se ka pranuar ankesën e SHSPTKK-së lidhur me shqetësimet e ngritura dhe është duke e hetuar rastin. Majlindë Sinani Lulaj, zëdhënëse, ka thënë për "Kosova Sot" se Institucioni i Avokatit të Popullit ka pranuar ankesë lidhur me çështjet e ngritura nga SHSPTKK-ja dhe mbi bazën e kësaj ankese është hapur rast dhe çështja është në proces hetimi. "Në parim, rastet të cilat janë në procedurë hetimi nuk komentohen nga ana e Avokatit të Popullit", ka thënë ajo. 

Frika nga Rregullorja As MKRS-ja nuk është përgjigjur në pyetjen e gazetës lidhur me SHSPTKK-në për hartimin e rregullores për diskriminim dhe akuzave për shkelje ligjore. Kurse Arian Krasniqi, kryetar i Këshillit Drejtues të TKK-së, lidhur me shqetësimet e ngritura nga sindikalistët e TKK-së dhe kërkesat e tyre, ka thënë se aktualisht Teatri Kombëtar i Kosovës, krahas shumë rregulloreve të tjera, vitin e kaluar ka përgatitur edhe "Rregulloren për pagesat e honorarëve të artistëve të angazhuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës", si dhe "Rregulloren për stimulimin dhe përgjegjësitë në punë të artistëve rezidentë dhe të stafit teknik në Teatrin Kombëtar të Kosovës". Sipas tij, të dy këto rregullore janë nënshkruar nga ministri i Kulturës dhe janë në fuqi. "Aktualisht po punohet edhe për inicimin e hartimin edhe të disa rregulloreve të tjera, që e bëjnë më të lehtë dhe më produktive sferën e menaxhimit në TKK", ka thënë Krasniqi. Krasniqi ka thënë se KD-ja mirëpret nismat dhe propozimet që vijnë nga menaxhmenti qoftë për fillimin e hartimit të rregulloreve të reja, qoftë për ndryshimin dhe plotësimin e atyre ekzistuese. "Sa i përket angazhimit të aktorëve të Ansamblit rezident, është përgjegjësi e menaxhmentit të TKK-së që këtë angazhim të tyre në projektet e TKK-së ta bëjë e organizojë dhe ta bëjë konform kompetencave dhe përgjegjësive ligjore", ka thënë Krasniqi. Në Ditën Botërore të Teatrit, dramaturgu Sokol Plakolli ka protestuar sërish kundër padrejtësive, që po u bëhen artistëve vendorë. Po ashtu në TKK është zhvilluar edhe një performancë në shenjë proteste kundër diskriminimit

(Kosova Sot)