Scarlett Johansson, mbretëresha karizmatike e fantazisë shkencore

  • 28 March 2017 - 18:47
Scarlett Johansson, mbretëresha karizmatike e fantazisë shkencore

VAZHDON TË BEFASOJË ME PERFORMANCËN E SAJ

Sekuenca e betejës ujore është e dizajnuar, që të bëhet totem i kinemasë moderne
Me rolin e saj të robotit organik në filmin "Ghost in the Shell", kjo aktore e ka vulosur pozitën e saj si invaduesja jonë e preferuar e hapësirës

Hollivudi me shpejtësi kishte bërë vend mbi qilimat e tij të kuq për aktoren e re Scarlett Johansson në vitin 2003, kur ajo për herë të parë kishte bërë namin me rolin e saj në filmin e regjisores Sofia Coppola, "Lost in Translation". Ishte e qartë se kjo bombë bionde nga Nju-Jorku, e cila ishte aq e aftë në ndarjen e ekranit me pesimistin Bill Murray, do të vazhdonte që të na befasonte përgjatë viteve me performancën e saj. E bukur, misterioze dhe karizmatike, ajo tanimë ishte një trofe i dëshirueshëm për çdo aktor kryesor. Megjithatë, 14 vjet më pas, Johansson është stabilizuar dhe formësuar si një lloj i ndryshëm i idhullit të ekranit. Pas një mori rolesh në filmat "blockbuster", aktorja tani është bërë ndoshta prijëse e gjeneratës së saj në filmat e zhanrit të fantazisë shkencore. 

Ana aventuriere e Johanssonit

Nga e premtja, Johansson, 32- vjeçare, do të shihet duke luftuar për një vend më të lartë në të ardhmen. "Ghost in the Shell", filmi i saj i ri me robotë organikë, bazohet te personazhet e animuara japoneze dhe ofron një skenë luftarake që zhvillohet në një liqen urban distopik. Kemi të bëjmë me një sekuencë ujore, e cila është e dizajnuar që të bëhet totem i kinemasë moderne, sikur edhe përleshja horizontale në filmin "The Matrix", apo skena e ikjes në filmin "Inception". Pa marrë parasysh se a do të arrijë filmi i ri i regjisorit britanik, Rupert Sanders statusin e një filmi klasik të fantazisë shkencore, është e qartë se Johansson, e cila fitoi rreth 12.4 milionë funte, e ka orientuar karrierën e saj gjithnjë e më shumë kah rolet befasisht të dhunshme dhe shpesh dekurajuese. Kjo anë aventuriere e Johanssonit ishte më së shumti evidente në vitin 2013, kur luajti rolin e alienit në filmin "Under the Skin". Një film i tmerrit me regji të britanikut Jonathan Glazer, ky film ishte rrezik i madh për aktoren, jo vetëm për shkakun se ajo do ta luante rolin e një mishngrënëseje, një alieni nga një planet tjetër, jo vetëm për shkak se filmi ishte vështirë për t'u bërë, por edhe për shkak se asaj i ishte dashur që të punonte në një lokacion, në Glasgou, duke u vozitur në një automobil "Transit" dhe duke ndërvepruar me njerëz realë, ku shumë prej tyre nuk e kishin idenë se ishin duke marrë pjesë në film. Ky rrezik u shpagua. Shumë kritikë u pajtuan me Peter Bradshaw të "Guardian"-it, i cili e quan filmin "Under the Skin" "befasues në aspektin vizual dhe tepër shqetë- sues, shumë të frikshëm, shumë bizar, por edhe shumë erotik". 

Duket sikur aktorja do të vazhdojë me praktikimin e aftësive të saj komike

Në të njëjtën kohë, kur doli trileri bizar i regjisorit Glazer, një rol me zë të cilin Johansson e kishte incizuar për regjisorin Spike Jonze, e nënvizoi lëvizjen e aktores kah filmat e fantazisë shkencore. Ajo luajti rolin e Samanthas, një sistem operativ magjepsës në filmin e tij, "Her". Më pas, që nga viti 2012, ajo është parë me rolin e Natasha Romanoffit, "Black Widow" nga seria "Marvel Avengers". Ajo më pas u pa në rolin e "Black Widow" tri herë dhe aktualisht është duke punuar në filmin "Avengers: Infinity War". Në filmin e vitit të kaluar, "Captain America: Civil War", aktorja shkëlqeu me rolin e saj, të shoqëruar me efekte të shumta speciale. Në anën tjetër, filmi "Ghost in the Shell" premton të jetë më i qetë dhe një argëtim më gjakftohtë. Bazuar në serinë e librave komikë "Kodansha", filmi "Ghost in the Shell" është bërë duke përdorë skenat nga përshtatja origjinale e filmit, si dhe nga vazhdimi i tij, "Ghost in the Shell 2: Innocence", por edhe nga seria "Stand Alone Complex". Personazhi kryesor, Major, është një personazh i komplikuar, gjë që edhe e joshi Johanssonin. "Ajo është duke përjetuar një përvojë unike, si dikush që kishte një ide rreth asaj se kush ishte ajo, e më pas kush është ajo tani, si dhe personi për të cilin ajo mendon se është", shpjegon aktorja. "Të ishe e aftë t'i luaje këto tri palë - egon, superegon dhe idin... kjo ishte tepër joshëse". Megjithatë, ende nuk është e qartë a e ka lënë Johansson njëherë e mirë prapa reputacionin e saj kinematografik si aktore e dramave, në favor të roleve me robotë dhe superheronj. Në vitin 2003, ajo la një përshtypje të thellë me rolin e saj në filmin "Pearl Earring", e më pas edhe me rolin krahas aktores Natalie Portman, në filmin me titull "The Other Boleyn Girl". Duket sikur aktorja do të vazhdojë me praktikimin e aftësive të saj komike. Së fundmi, Johansson është paraqitur në emisionin kryesor satirik amerikan, "Saturday Night Live", duke krijuar një miqësi me njërin prej të pranishmëve të përhershëm të këtij emisioni, Kate Mckinnon. 

(Kosova Sot)