Institucionet gojëmbyllura rreth riaplikimit për anëtarësim në UNESCO

  • 30 May 2017 - 09:09
Institucionet gojëmbyllura rreth riaplikimit për anëtarësim në UNESCO

HESHTJA FLET PËR DËSHTIMIN E MPJ-SË NË FUSHËN E LOBIMIT

"Heshtja vjen po ashtu nga imazhi negativ i Kosovës në skenën ndërkombëtare, ku Kosova paraqitet në listën e shumë organizatave si një vend ku krimi dhe korrupsioni nuk luftohen ende sa duhet, dhe nuk është e gatshme të ketë të ardhme me rezultate të tilla në arenën ndërkombëtare", ka thënë njohësi i zhvillimeve ndërkombëtare, Selam Hajrizi

Frrok Kristaj: Shteti serb po bën një propagandë të madhe anti-Kosovë për mospranim në UNESCO
Qeveria e Kosovës, konkretisht Ministria e Punëve të Jashtme vazhdon të jetë e mbyllur lidhur me mundësinë e riaplikimit për anëtarësim sivjet në UNESCO. Që nga nëntori i vitit 2015, kur Kosova për pak nuk arriti të bëhet pjesë e këtij organizmi të OKB-së, institucionet gradualisht e kanë nisur ta largojnë këtë çështje nga agjenda e tyre, duke krijuar një mjegull rreth këtij problemi. Përderisa në anën tjetër autoritetet serbe, në vazhdimësi lobojnë që Kosovës t'i pamundësohet anë- tarësimi. Që nga disfata e 2015-s, autoritetet kosovare janë treguar shumë të rezervuara, duke mos dhënë asnjë informacion nëse do të shfrytë- zohet mundësia për aplikim këtë vit, duke pasur parasysh se Asambleja e UNESCO-s pritet të mblidhet në muajt e fundit të vitit. Për njohësit e marrëdhënieve dhe zhvillimeve ndërkombëtare në vend, autoritetet kosovare po tregohen shumë joserioze dhe të padijshme sa u përket marrëdhënieve ndërkombëtare. Sipas tyre, heshtja dhe mosbërja publike e në agjende lidhur me mundësinë për anëtarësim në UNESCO tregon paaftësinë e institucioneve për mbrojtjen e interesave ndërkombëtarisht. 

Heshtja e dyshimtë

Selam Hajrizi, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka thënë se heshtja e MPJ-së për anëtarësimin dhe lobimin për UNESCO dhe njohje të pavarësisë së Kosovës në vende të tjera, siç janë vendet e Lindjes se Mesme vjen nga joserioziteti dhe mosnjohja e politikës ndërkombëtare nga disa zyrtarë të MPJ -së, të cilët, sipas tij nuk kanë njohuri as sa u përket politikave lokale. Ai ka thënë se diplomacia është një fushë shumë serioze dhe UNESCO një organizatë prestigjioze dhe këtë nuk e kanë kuptuar siç duket tek MPJ- ja jonë. "Heshtja vjen po ashtu nga imazhi negativ i Kosovës në skenën ndërkombëtare, ku Kosova paraqitet në listën e shumë organizatave si një vend ku krimi dhe korrupsioni nuk luftohet ende sa duhet dhe nuk është e gatshme të ketë të ardhme me rezultate të tilla në arenën ndërkombëtare", ka thënë njohësi i zhvillimeve ndërkombëtare, Hajrizi. Sipas tij, me këtë heshtje dhe neglizhencë, pasojat do të jenë tejet negative pasi Serbia do të bëjë lobime anti-Kosovë dhe ajo do jetë fituese në skenën ndërkombëtare, duke e degraduar imazhin e Kosovës. Krerët tanë institucionalë, ka thënë më tej Hajrizi, duhet të jenë më shumë të fokusuar në skenën ndërkombëtare për të lobuar tek organizatat e huaja për të tërhequr investimet dhe ardhjen e diplomatëve të shteteve të zhvilluara ekonomike. "Kosova ka nevojë për një ekip diplomatik të nivelit akademik e ndërkombëtar në paraqitjet e saja nëpër botë, përndryshe pasojat do të jenë tejet të mëdha kundër Kosovës, duke mos u respektuar fare në botë dhe duke u larguar nga synimet e saja të BE-së dhe botës euroatlantike", ka thënë eksperti i çështjeve të marrëdhënieve ndërkombëtare Selam Hajrizi.

Mungesa e lobimit

Ndërsa Reshat Sahitaj, shkrimtar dhe njohës i zhvillimeve ndërkombëtare, ka thënë se pavarësisht se MPJ-ja është një ministri që duhet të kishte rezultate të pritshme ajo ka dhënë të kundërtën. Sipas tij, nuk është e mjaftueshme vetëm të aplikohet dhe të paguhet ndonjë individ, siç u pagua një vajzë në Paris, vetëm pse ajo ishte bija e një shkrimtari të njohur. Sahtitaj ka thënë se janë disa faktorë që ndikojnë në sensibilizimin e zyrtarëve të shteteve të tjera, që Kosovën ta pranojnë në UNESCO. "Është e domosdoshme që paraprakisht të organizojnë tryeza me shkencëtarë të huaj, historianë, letrarë, këngëtarë, arkeologë, të shkruhen libra mbi vlerat kulturore të shqiptarëve, libra me vlera arkeologjike, takime të ndryshme kulturore në Kosovë dhe jashtë Kosovës, promovime të librave të ndryshme në gjuhë dhe shtete të huaja, ekspozita të ndryshme, koncerte të ndryshme brenda dhe jashtë vendit tonë", ka thënë ai, duke shtuar se aplikimi është çështje teknike, që e ka bërë Kosova, por MPJ-ja nuk e ka bërë asnjë hap për sensibilizimin e faktorit ndërkombëtar. Kjo ministri, ka thënë ai, është treguar e dështuar për shumë arsye të mundshme. "Mospranimi është dështim i ministrit dhe i tërë stafit të tij. Në fakt, kjo ministri përbëhet nga zyrtarë jokompetentë e jo të sinqertë. Nga puna e kësaj ministrie nuk kanë ardhur as njohjet e shtetit të Kosovës, por të gjitha njohjet janë rezultat i zyrtarëve të SHBA-së dhe disa vendeve mike si Franca, Gjermania etj", ka pohuar ai. Edhe publicisti dhe njohësi i zhvillimeve kulturore në vend, Frrok Kristaj, ka thënë se institucionet po tregohen të padenja, kur është në pyetje mbrojtja e interesit shtetëror, siç është rasti me mundësinë për pranim të Kosovës në UNESCO. Bile, sipas tij, edhe në këtë kohë zgjedhjesh, partitë politike po tregohen tepër të painteresuara për mbrojtjen interesave të vendit karshi sulmeve serbe. "Shihni garën zgjedhore, për çudi askush nuk po përmend këtë mundësi. Përderisa në anën tjetër shteti serb po bën një propagandë të madhe anti-Kosovë për mospranim në UNESCO", ka thënë Kristaj. Gazeta nuk ka mundur gjatë ditës së djeshme të marrë një prononcim nga zyrtarë të MPJ-së lidhur me mundësinë që këtë vit vendi të riaplikojë për pranim në UNESCO.

(Kosova Sot)