"The Square" film i cili e meritonte të shpërblehej

  • 30 May 2017 - 14:14

SHPËRBLIMET E FESTIVALIT TË FILMIT NË KANË

Diane Kruger ka marrë titullin e aktores më të mirë, për rolin e një femre të vetëdijshme, por që vuan nga çrregullimi i personalitetit borderline, në një film, i cili nuk e meriton që të mbahet mend, siç është "Fade", me regjisorin Fatih Akin

Pati edhe dëshpërime dhe zhgënjime

Çdo gjë ka mbaruar, meqë juria e Festivalit të filmit, në Kanë, e udhëhequr nga Pedro Almodovar, ka publikuar listën e çmimeve. Diane Kruger ka marrë titullin e aktores më të mirë, për rolin e një femre të vetëdijshme, por që vuan nga çrregullimi i personalitetit borderline, në një film i cili nuk e meriton, që të mbahet mend, siç është "Fade", me regjisorin Fatih Akin. Megjithatë, Palma e artë (Palme d'Or) iu dha filmit të regjisorit Ruben Ostlund me titull "The Square", që ishte vendim i mirë, përkundër asaj se kritikët thonë që ai nuk ishte filmi më i mirë që garonte për këtë çmim. Kemi të bëjmë me një film të gjatë, që flet rreth një drejtori ambicioz të galerisë së arteve, i cili pëson një- farë krize nervore pasi që ia vjedhin telefonin, ku fillon që t'i qajë hallet me personelin e galerisë, por edhe me vizitorët. Është një film i bërë në mënyrë brilante. Për t'ua ofruar një pasqyrë më të afërt të asaj që sjell ky film, ju tregojmë se është edhe një personazh, një artist, i cili shtiret të ishte majmun dhe ai sillet që t'i argëtonte patronët e pasur të galerisë së arteve. Ky rol u luajt me mjaft mjeshtëri nga aktori amerikan dhe nga trajneri i lëvizjeve, Terry Notary. Ky film sjell edhe komedi të zezë, thënë shkurt, për të gjithë ngapak. Natyrisht, të gjitha vendimet e jurisë janë kompromise, prandaj me gjasë ky nuk është filmi të cilin do ta kishte përzgjedhur çdo anëtar i jurisë. Kjo nuk d.m.th. se nuk kemi të bëjmë me një film i cili nuk e meriton këtë çmim. 

Zhgënjimi i regjisorit rus

Filmi i dalluar i regjisorit Robin Campillo-s, "120 Beats per Minute" mori shpërblimin "Grand Prix", gjë që edhe pritej. Kemi të bëjmë me një film plot pasione, euforik rreth lëvizjes "ACT UP" në Paris, në fund të viteve të '80-ta dhe në fillim të viteve të '90-ta të shekullit të kaluar, e cila lëvizje kishte bërë kampanjë të dhunshme, duke kërkuar përparime në gjetjen e ilaçit kundër sidës. Është një film fuqia emocionale e të cilit ndërtohet në mënyrë progresive me kalimin e kohës. Thënë ndryshe, është një film të cilin mezi presim ta shikojmë pasi që të fillojë të shfaqet në kinema. Edhe pse pjesa më e madhe e aktorëve të këtij filmi nuk ishin emra të njohur, kjo nuk i pengoi ata që të aktronin si mos më mirë. Sa u përket zhgënjimeve, apo dëshpërimeve, në rend të parë mund ta përmendim filmin e regjisorit rus, Andrei Zvyagintsev, me titull "Loveless", i cili ishte favorit i shumëkujt për çmimin më të madh të festivalit. Ky është një film me një qartësi dhe qëndrueshmëri prej diamanti. Ky film arriti që ta merrte shpërblimin e jurisë, i cili mund të konsiderohet si njëfarë medaljeje e bronztë, nëse "Grand Prix" është medalje e argjendtë. Filmi flet rreth një çifti rus që janë duke u shkurorëzuar, ku prindërve iu duhet që të punojnë bashkë, pasi që djali i tyre 12 vjeçar zhduket. Kjo është një traumë e madhe, implikimet e së cilës janë përpunuar dhe paraqitur me mjeshtëri në skenat e filmit të mrekullueshëm të regjisorit Zvyagintsev. 

Phoenix vjen me një aktrim të mrekullueshëm

Një film tjetër që meriton të përmendet, është edhe ai i regjisores Lynne Ramsay me titull "You Were Never Really Here", i cili është i zhanrit dramë kriminalistike. Kishte të tillë që shpresonin për fitoren e këtij filmi, duke bërë që Lynne të bëhej regjisori i dytë femër që do ta merrte këtë shpërblim (Palmën e artë) deri më tani. Aktori Joaquin Phoenix, që luan në këtë film, mori titullin e aktorit më të mirë. Phoenix vjen me një aktrim të mrekullueshëm, të rolit të një ish-ushtari, i cili tani angazhohet nga një firmë private për të bërë punë të pista për të pasurit. Phoenix e luan për mrekulli këtë rol edhe pse, dorën në zemër, në festival kishte edhe aktorë më të zottë. P.sh., aktori Robert Pattinson dha një performancë për lakmi me rolin e tij në filmin e vëllezërve regjisorë, Safdie. Filmi mban titullin "Good Time". Ajo që habit ka të bëjë me faktin se edhe aktori Ben Stiller, i cili kohëve të fundit ka pësuar një rënie të konsiderueshme të cilësisë së aktrimit, shkëlqeu në komedinë e regjisorit Noah Baumbach, "The Meyerowitz Stories".  
 

(Kosova Sot)