Drama jetësore e Tupac Shakurit

  • 20 June 2017 - 14:10
Drama jetësore e Tupac Shakurit

Me kokë të rruar si xham, me një veshje "piratësh" dhe me tatuazhe frikë- suese, me shikimin ngulitës të një princi arab, Tupac Shakur ishte idhulli i superyjeve të muzikës hiphop: nuk ishte reperi më i ashpër, as më virtuoz, apo vizionar, por një figurë e cila ngriste nihilizmin e rrugës, duke e përzier atë me një bravurë seksi. Për një kohë të caktuar, ai ishte po aq edhe yll i filmit, sa ishte edhe yll i repit. Në një nivel të caktuar, jeta e Tupacut dukej sikur një film, i cili të zhvillohej para syve.

Biografia e këngëtarit

"All Eyez on Me", kjo dramë biografike, e cila është bërë rreth tij, i kanalizon këto kontradikta, edhe pse jo gjithmonë di se çka të bëjë me to. Përfshirës, por sipërfaqësor, me atmosferë të pasur, por me një nivel jo aq të lartë të dramës, në fund të fundit, nuk është se kemi të bëjmë me ndonjë film tepër të mirë. Por, përkundër kësaj, ai ia vlen që të shikohet, meqë në brishtësinë dhe urinë e vet, si dhe në dëshpërimin e fshehur të dhunës së tij, filmi na sjell diçka nga ambienti ku jetoi Tupac Shakur: një vend, i cili donte të ishte i tëri rreth krenarisë dhe fuqisë, por në fakt ishte rreth fluturimit mbi humnerë. Filmi zgjatë 2 orë e 20 minuta dhe, duke pasur parasysh që Tupac kishte vetëm 25 vjet kur ishte vrarë në një konflikt me të shtëna në Las Vegas, më 7 shtator të vitit 1996, kjo kohë do të duhej të mjaftonte që ta rrëfente storien e tij me intimitet dhe rrjedhshmëri. Megjithatë, filmi "All Eyez on Me", me regji të veteranit të videove muzikore, Benny Boom, është një film biografik i shkollës së vjetër, i cili na rikujton pse ishin zbehur filmat e tillë: ai ngjan në ekranizimin e një shkrimi të "Wikipedia"-s.

I kënaqur me suksesin në teatër

Thënë këtë, Demetrius Shipp Jr., i cili luan rolin e Tupacut, me të vërtetë na bën për vete. Ai duket për mrekulli sikur yll i repit, por Shipp e realizon Tupacun edhe në aspektin emocional, duke na sjellë para sysh nxënësin buzëqeshës të shkollës së lartë, i cili ishte i kënaqur me suksesin në teatër, por ai në të njëjtën kohë është edhe një adoleshent i lënë pas dore, që ishte rritur nga e ëma, Afeni Shakur, gjë që e kishte bërë atë të ishte gjatë tërë jetës skeptik. Afeni luhet nga Danai Gurira. Duke pasur një nënë të tillë, nuk është për t'u habitur që Tupac rritet të jetë një militant pa kauzë. Ai mund ta vërente padrejtësinë rreth vetes dhe, pasi që arrestohet në Oklend për mosrespektim të shenjave të trafikut, sadizmi i policit sikur e godet atë në shpirt. Megjithatë, çdo mënyrë e re të cilën ai e zgjedh për ta përkufizuar burrërinë e vet - si yll i repit, si luftëtar, si hamshor, si lider aktivist, për të bëhet një performancë e lartë dhe tepër e vetëdijshme. Është mbresëlënëse intervista, të cilën ai e jep derisa është në burg. Në vitin 1995 ai kishte qëndruar nëntë muaj në burg. Filmi përqendrohet te fëmijëria e tij në Nju-Jork, te lëvizja e tij në Baltimor dhe Oklend, te miqësia e ngushtë që e formon me Jada Pinkett (Kat Graham), te koha kur ai bëhet yll, kur iu kërkua që t'i bashkohej "Digital Underground", te roli i tij i vitit 1992 si një sociopat zemërakull në filmin "Juice" (një rol të cilin ai e luajti për mrekulli dhe për të cilin thuhet se kishte pasur ndikim te sjellja e tij jashtë ekranit). Aty janë edhe videot e tij të hershme muzikore, për këngët si "Same Song", apo kënga që përmban një protestë sociale, "Brenda's Got a Baby".

Akuzat për dhunim

Filmi "All Eyez on Me" sjell edhe incidentin i cili rezultoi me akuza për dhunim, të cilat u ngritën kundër Tupacut dhe pjesëtarëve të suitës së tij. Kur gjendet në burg, jeta dhe karriera e tij duken sikur rrënoja. Me qëllim që të shpëtonte, ai nënshkruan një pakt me djallin: Marion "Suge" Knight, me sipërmarrësin e frikshëm të "Death Row Records". Kush e vrau Tupac Shakurin? "All Eyez on Me" nuk e thotë këtë, por të paktën na kursen nga teoritë e ndryshme të konspiracionit. Sipas të gjitha gjasave, Tupac kishte rënë viktimë e dhunës midis bandave, pa pasur ndonjë lidhje me luftërat midis reperëve.

(Kosova Sot)