Verë e "thatë" kulturore në kryeqytet

  • 23 June 2017 - 09:41
Verë e

KOMUNA E PRISHTINËS ENDE NUK KA PLAN PËR DITËT E NXEHTA TË VERËS

Institucionet kulturore duhet të bëjnë më shumë

Krijuesi Dan Ibrahimi ka pohuar se nuk pret ndonjë organizim nga Komuna e Prishtinës gjatë këtyre ditëve të nxehta në kryeqytet

Vera e thatë dhe pa ndonjë ndryshim nga vitet e kaluara tashmë ka nisur në Prishtinë. Repriza e njëjtë tregon se edhe gjatë këtyre tre muajve të verës, asgjë nuk do të ndryshojë për dallim nga vitet e kaluara. Përjashto aktivitetet tashmë tradicionale, që mbahen gjatë verës, e ndonjë aktivitete ad -hoc, gjasat për një verë 'të thatë' kulturore janë të mëdha. 

Rritet numri i vizitorëve

Pa ndonjë aktivitet kulturor-argëtues, shfaqje apo festival që do të tërhiqte publikun, pritet të kalojnë mbrëmjet gjatë verës në kryeqytet. Pavarësisht se që nga paslufta, edhe pse kohë pushimesh, numri i vizitorëve që frekuentojnë Prishtinën gjatë këtyre muajve po vjen duke u rritur. Komuna e Prishtinës ende nuk ka bërë të ditur të ketë gati ndonjë plan për ditë e nxehta të verës dhe, si duket, shpresat mbesin tek institucionet apo aktivitetet kombëtare, që mbahen nga niveli qeveritar. Gazeta "Kosova Sot" nuk ka mundur të marrë një prononcim nga zyrtarë të Komunës lidhur me planifikimet komunale për të pritur vizitorët gjatë verës në kryeqytet, duke lënë të kuptohet se nuk mund të pritet shumë 'kulturë' gjatë kësaj vere në kryeqytet, shkruan gazeta Kosova Sot.

Pritjet nën zero

Për krijuesin dhe publicistin Shaqir Foniqi, pavarësisht se në vend, veç- mas në kryeqytet, mbahen përvitshëm disa aktivitete tradicionale, si: Seminari i Shqipes, Ditët e Diasporës, e ndonjë tjetër, kjo nuk mjafton, Megjithatë, ka thënë ai, edhe këto aktivitete nuk bën të nënçmohen, nëse arrijnë të organizohen. "Është krijuar bindja se edhe ato manifestime, të shumtën mbahen shkel e shko, vetëm sa për ta ruajtur kontinuitetin dhe për të arsyetuar buxhetin. Sa u përket aktiviteteve shtesë, nuk jam në dijeni për ndonjë manifestim të ri. Ka mundësi të organizohen ditët e filmit, ndonjë koncert, ekspozitë, orë letrare etj., por e tërë kjo mbetet të shihet", ka thënë Foniqi për "Kosova Sot", duke shtuar se edhe qytetarët, sikur nuk kanë ndonjë interesim kushedi sa të madh, kur dihet se ditët e pushimit i kanë të pakta dhe dëshirojnë për të pushuar diku në bregdet, ose me familjarët e vet. "Mirëpo, kjo nuk është arsye që Prishtina mos të bëhet joshëse për ta gjatë verës përcëlluese!", ka pohuar ai. Kurse Dan Ibrahimi ka pohuar se nuk pret ndonjë organizim nga Komuna e Prishtinës gjatë këtyre ditëve të nxehta në kryeqytet. Për shkak, siç ka thënë ai, organizimin e dobët dhe aspak joadekuat të vetë kërkesave që vijnë nga diaspora. "Por, edhe interesimin po ashtu të dobët dhe jo shumë adekuat të Komunës së Prishtinës për të organizuar ndonjë aktivitet të rëndësishëm për njerëzit nga diaspora", ka thënë Ibrahimi, duke cekur këtu duhet që Prishtina është kryeqytet dhe këtu nuk mund të flasim rreth këtyre aktiviteteve pa e përfshirë edhe Qeverinë dhe Ministrinë e Diasporës, të cilat projektet brenda Prishtinës i synojnë të ndara nga KK e Prishtinës, siç ka thënë ai, për shkaqe politike. "As ata, madje akoma më pak, nuk kanë bërë gjë të dukshme në drejtimin në fjalë", ka potencuar Ibrahimi për "Kosova Sot".

Të gatshëm për publikun

E, në anën tjetër, institucionet kulturore apo edhe OJQ-të janë të gatshme, që të kontribuojnë në pasurimin kulturor të netëve prishtinase gjatë verës, por presin sinjalin komunal. Xhemail Luta, drejtor dhe themelues i Teatrit të të Rinjve në kryeqytet, ka thënë për "Kosova Sot", se gjatë kësaj vere në Prishtinë të ketë një skenë verore, dhe institucioni që ai drejton do të mund të kontribuonte për këtë. "Ne jemi të vetëdijshëm se sa është e rëndë- sishme që qyteti ynë të ketë një skenë verore dhe të kishim çdo natë nga një program të ndryshëm kulturor, skena artistike, pse jo edhe teatër, etj. Duhet të kemi një skenë verore moderne në kryeqendër për lloj-lloj pjese teatrore nga trupat alternative të vendit. Ne si Teatër i të Rinjve të Qytetit çdo vit kemi mundësi të vëmë në skenë 2 deri 3 pjesë teatrore të moshave të ndryshme", ka thënë Luta. Ndërsa ka kujtuar aktivitetet dhe shfaqjet që ka realizuar TRQ-ja e Prishtinës gjatë 24 vjetëve të funksionimit, i cili pati të njëjtin fat, sikurse populli i Kosovës, por pas luftës nuk gëzoi përkrahjen e Komunës për të përmbushur misionin që ka, pavarësisht punës së palodhshme të menaxhmentit të tij. 

(Kosova Sot)