"Zbulimet" e reja nuk e baltosin dot figurën madhore të Skënderbeut

  • 16 August 2017 - 09:04

Rudaku: Po përplasen për dy kategori shoqërore, të dyja ekstreme dhe dogmatike

F igura e Skënderbeut dhe lufta e tij ishte e drejtë e gjithëpopullore dhe mbrojtëse, për liri dhe çlirim të vendit ndaj osmanëve dhe venedikasve. Andaj edhe sulmet e fundit që po i bëhen figurës së Skënderbeut dhe luftës së tij, për vite me radhë, nuk janë asgjë tjetër pos kalkulime të qëllimshme dhe hipoteza kuturu. Kështu kanë thënë në një prononcim për "Kosova Sot" historianë dhe studiues të zhvillimeve kulturore në vend. Sipas tyre, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është kryeheroi ynë kombëtar, strategu e burrështetasi më i madh i shqiptarëve, që udhëhoqi luftën për liri kundër pushtimit osman, për bashkim politik-shtetëror të popullit shqiptar. Lulëzim Lajçi, historian dhe sekretar shkencor në Institutin Albanologjik, ka thënë për "Kosova Sot" se nga shumë ekspertë gjenialiteti i tij ushtarak është krahasuar me atë të Lekës së Madh. 

Ligj për mbrojtjen e figurave

Lajçi ka thënë se gjeneralmajori James Wolfe, komandant i ushtrisë angleze në rrethimin e Kuebekut në Kanada, i shkruante Lordit Sidnei se "Skënderbeu ua kalonte të gjithë oficerëve, të lashtë dhe modernë, në udhëheqjen me një ushtri të vogël defensive". Lajçi ka thënë se formimi i shtetit mesjetar shqiptar, me në krye Skënderbeun, ishte hapi më i rëndësishëm për bashkimin politik të shqiptarëve, edhe pse nuk arriti të përfshinte të gjitha trojet shqiptare mesjetare."Po pse sulmohet sot Gjergj Kastrioti Skënderbeu? Unë mendoj se përmes këtyre shkrimeve nuk po sulmohet Skënderbeu, por në të vërtetë përmes tij po sulmohet vizioni i tij, vizioni drejt Evropës. Pra, mohuesit e tij gjatë shekujve dhe rimohuesit e ditëve tona janë në të vërtetë mohuesit e vizionit properëndimor të shqiptarëve. Pikërisht këtu del 'tradhtari' Skënderbe. Pra, Skënderbeu ishte 'tradhtar' që u vu në krye të një lëvizjeje për ta mbrojtur vendin e tij dhe nuk 'bashkëqeverisi' me osmanë", ka thënë ai, duke shtuar se prandaj Skënderbeu duhet të shikohet si njeriu që me "tradhtinë" e tij shpëtoi qytetërimin perëndimor. Andaj ai bën një apel, që në të ardhmen të punohet në një ligj që do t'i mbronte figurat kombëtare nga baltosja e çfarëdo forme. Sipas tij, debatet e ndryshme, të cilat mëtojnë të sjellin ndonjë ide hipotetike rreth luftërave të Skënderbeut, me qasje "zbulime të reja të të thënave historike", aspak nuk e zbeh rëndësinë historike të luftës së Skënderbeut. "Ajo është luftë gjithëpopullore dhe mbrojtëse, për liri dhe çlirim të vendit, ndaj osmanëve dhe venedikasve, të cilët veç e kishin pushtuar vendin", ka potencuar Muhadri, duke shtuar se Skënderbeu në interes të vendit bënte marrëveshje politike të arsyeshme, si me osmanët dhe venedikasit, pastaj me aleanca ushtarake, si me Napolin. Ai ka thënë se Skënderbeu kishte institucione ushtarake të dala nga Kuvendi i Lezhës. Andaj, ka thënë ai, parcializmi i luftës me karakter krahinor është i paqëndrueshëm, duke pasur para së gjithash efektet etnike shqiptare kundër osmanëve, fuqia ushtarake më e madhe e kohës. 

Grupet që sulmojnë Skënderbeun

 Avni Rudaku, njohës i zhvillimeve socio-kulturore dhe kolumnist, duke folur rreth debateve dhe deklarimeve të shumta mbi Skënderbeun, që për vite janë duke u bërë, ka thënë se Skënderbeu në fakt është metaforë, por edhe alegori. "Në çfarë kuptimi? Po përplasen për të dy kategori shoqërore, të dyja ekstreme dhe dogmatike: njëra palë është eurocentriste dhe që e ndërlidh krishterimin me civilizimin evropian e perëndimor, duke qenë islamofobe, me stereotipe për çdo gjë që i përket Lindjes dhe islamit, prandaj bëhen ithtarë të zjarrtë e fanatikë të kundërshtimit të ndonjë pikëpamjeje edhe shkencore për figurën e Skënderbeut dhe rrjedhimisht duke falur pushtuesit e tjerë romakë, bullgarë, serbë etj.", ka thënë ai. Kategoria tjetër dogmatike, sipas tij, është ajo e cila e ndërlidh Skënderbeun vetëm me luftëtarin e krishterë, i cili ka vrarë myslimanë etj. Këta për Rudakun janë 'islamistë fanatikë', të cilët nuk çajnë kokën për rrethanat e asaj kohe, aleancat me të fortit, pavarë- sisht fesë, rëndësinë historike-simbolike etj. "E Mustafa Nano përfaqëson një palë të tretë, i cili ka mbështetës në numër të vogël, madje më të vogël se vetë dy kategoritë e përmendura. Sipas Nanos, nuk ka ndonjë problem nëse serbët thonë se ai ka qenë serb nga ana e nënës. Fakti se serbët duan ta përvetësojnë nuk duhet të bëhet pengesë ta pranojmë një gjë të tillë. Por, Nano nuk ka ofruar asnjë fakt të ri, nuk ka dëshmi të reja shkencore dhe bën punën e publicistit, provokuesit etj.", është shprehur Rudaku.  

(Kosova Sot)