Turp dhe papërgjegjësi, sa vonë u del gjumi pushtetarëve tanë

  • 20 August 2017 - 09:01
Turp dhe papërgjegjësi, sa vonë u del gjumi pushtetarëve tanë

SHKRUAN: AVNI RUDAKU

Kur Kosova kishte aplikuar për në UNESCO, shumica ishin entuziastë dhe të bindur se anëtarësimi ishte më se i sigurt. Por ne kishim dyshimet tona dhe ato i bazonim kryesisht në diplomacinë e dobët kosovare, fuqinë e ngathtë negociuese dhe kryesisht propagandën aktive të Serbisë, sidomos pas trazirave të marsit 2004. Ashtu edhe doli fatkeqësisht, Kosova nuk u anëtarësua në UNESCO pse këtë e thoshte ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme dhe presidenti aktual Hashim Thaçi, të cilën gjë e kishim theksuar që në titullin e kolumnes javore disa ditë para votimit në gazetën "Kosova Sot". Kosova nuk u votua jo vetëm nga kundërshtarët e përhershëm të pavarësisë së Kosovës, por edhe nga shtetet të cilat edhe sot e kësaj dite vazhdojnë ta mbështesin politikisht dhe financiarisht vendin tonë. Ishte po ashtu gabim të mendohej se pranimi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës do të duhej të nënkuptonte edhe votim automatik për çdo rrugëtim dhe anë- tarësim në organizatat ndërkombëtare. Sidoqoftë, para dy vjetësh dështuam, por jemi në vitin 2017 dhe vërehen vonesa të paarsyeshme rreth aplikimit të sërishëm në UNESCO. Para pak ditësh, ministri në detyrë, Emanuel Demaj, për mediet kosovare kishte deklaruar: "Kosova nuk ka aplikuar në UNESCO akoma. Jemi në pritje të miratimit të dy ligjeve, Ligjin për Liritë Fetare dhe Ligjin për Trashëgiminë Fetare, të cilat ende nuk kanë kaluar. Jemi duke punuar, jemi duke i parë të gjitha mundësit dhe opsionet, besoj që kemi edhe pak kohë për të aplikuar dhe do të shohim si do të shkojnë rrjedhin gjërat." Dhe, fjalia tjetër e shkëputur e ministrit, ishte kjo: "Pa miratimin e këtyre dy ligjeve nuk mund të lëvizim, nuk mund të aplikojmë, nëse nuk mundemi këtë vit e lëmë vitin tjetër." Autoritetet dhe diplomacia kosovare ka dështuar rrënjësisht të sqarojë se si liritë fetare janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të gjitha ligjet e tjera ekzistuese dhe nuk mund të paraqitet pengesë mungesa e Ligjit për Liritë Fetare për të aplikuar dhe për t'u pranuar Kosova në UNESCO. Edhe Ligji për Trashëgimi Fetare është i plotësuar me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, Ligjin për Institucionet Kulturore. Këto ligje mund të shqyrtohen e rishqyrtohen. Pastaj ndryshimi i ligjeve dhe plotësimi me ligje të reja si për muzetë, etj., janë procese të vazhdueshme. Me rëndësi është që nuk ka për momentin ndonjë ligj për trashëgimi kulturore me përmbajtje diskriminuese, prandaj nuk mund të mbetet pengesë mungesa e Ligjit për Liritë Fetare për t'u anëtarësuar Kosova në UNESCO! Është e pakuptimtë dhe e papërgjegjshme nga ana e MPJ-së, e cila nuk ka bërë asnjë përpjekje për ta bindur faktorin ndërkombëtar se kjo nuk është pengesë për UNESCO! Nëse do të shkohet me 'Ahtisaari Plus' në emër të këtyre dy ligjeve për shkak të zgjerimit të ndonjë të drejte dhe eksluziviteti të KOSit, edhe kjo duhet të jetë e papranueshme si kusht për anëtarësim në UNESCO. Nuk ka asnjë të drejtë që i mungon KOS-it me vetë dokumentin e Ahtisaarit. Mjafton leximi i aneksit V të këtij dokumenti dhe të kuptohet se të gjitha detajet për të drejtat dhe liritë e KOS-it janë të parapara aty, sakaq edhe ato të mira bujqësore që bëjnë në fushat e tyre përreth manastireve, të lirohen nga doganat.

VËREJTJET E RAPORTIT TË FUNDIT TË PROGRESIT 2016

Nëse i rikthehemi shqyrtimit të Raportit të fundit të Progresit 2016, regjistrohen akoma vërejtje për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. "…Përparimi i kufizuar në garantimin efektiv të të drejtave të pronësisë dhe kthimin dhe riintegrimin e personave të zhvendosur mbetet një shqetësim, ashtu si edhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore. (Raporti i Progresit 2016, f.2) Si vërejtje tjetër, përmendet trajtimi i ndërtimeve pa leje. "Mbrojtja e trashëgimisë kulturore, përfshirë bashkëpunimin ndërmjet Kishës Ortodokse Serbe dhe autoriteteve të Kosovës, mbetet një sfidë. Legjislacioni për trajtimin e ndërtimeve pa leje duhet të zbatohet plotë- sisht." (po aty, f.2) Dhe tash dalim në atë pjesën që e thotë edhe ministri në detyrë Demaj, rreth legjislacionit. "Autoritetet e Kosovës kanë filluar të ndërmarrin hapa për miratimin e legjislacionit për të rivendosur të gjitha dispozitat thelbësore të përfshira në Aneksin V të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit (PGJS), në lidhje me menaxhimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe në Kosovë." (po aty, f.3) Po, ç'përmban aneksi V i dokumentit të Ahtisaarit?

ANEKSI V I MJAFTUESHËM, MADJE EDHE I TEPRUESHËM

Aneksi V i Ahtisaarit ka shumë nene që lidhen me të drejtat dhe privilegjet e plota të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë (KOS), duke ia siguruar edhe emrin e tillë, që nuk lejon më asnjë mundësi për rishqyrtimin e cilësorit 'serbe', duke presupozuar se gjithçka që i takon ortodoksisë do të jetë serbe, e që do të ishte cenim edhe i të drejtave dhe lirive të njeriut. Po e ilustrojmë me një shembull praktik. Nëse një person shqiptar ateist, agnostik, apo i një feje të caktuar një ditë do të konvertohet në fenë ortodokse në Kosovë, gjasat janë që në asnjë mënyrë të ndihet komod e të kryejë ritualet ortodokse në manastiret aq të vjetra ortodokse në Kosovë, ngase që në emër paragjykohen si 'serbe'. Në Shqipëri është situatë krejtë- sisht tjetër për ortodoksët shqiptarë, por për ortodoksët potencialë shqiptarë të Kosovës, ndjekja e ritualeve ortodokse në manastire me promovime gjuhe nacionaliste apo me këto eksluzivitete të quhen 'serbe', është mjaft problematike. Atëherë, hap revolucionar do të ishte sikur të kishim edhe një Kishë Ortodokse Shqiptare në Kosovë, e cila do të thyente asociacionin 'ortodoksserb', sepse ortodoks mund të jetë kushdo, sikur mund të jetë edhe mysliman, katolik, budist, ateist, agnostik etj.! Po nejse, në aneksin V të Ahtisaarit, thuhet si në vijim rreth pronave: "Kosova garanton që prona e luajtshme dhe e paluajtshme si dhe asetet tjera të Kishës Ortodokse Serbe, do të jenë të paprekshme dhe nuk do t'i nënshtrohen eksproprijimit." Po ashtu, aq e detajuar është fusha e të drejtave të Kishës Ortodokse Serbe, sakaq ekziston edhe një nen rreth doganave: "Kosova do t'i ofrojë Kishës Ortodokse Serbe privilegje doganore dhe tatimore, krahas atyre privilegjeve të cilat i gëzojnë të gjitha fetë në Kosovës, për aktivitetet ekonomike të Kishës që janë specifike për vetë-qëndrueshmërinë financiare, siç janë, të qëndisurat dhe veshjet fetare, qirinjtë, pikturimi i ikonave, punimet e drurit dhe zdrukthëtarisë, verërat, konjak, mjalti dhe produktet tjera të bletës. Këto privilegje do të përfshijnë, importimin dhe blerjen e produkteve relevante, materialeve, makinerisë dhe veglave; dhe eksportimin e produkteve të cilat rezultojnë nga aktivitetet e lartpërmendura." Pastaj një sërë ndalesash rreth zonave të mbrojtura, duke siguruar që nuk do të lejohet asnjë ndërtim tjetër, si ndërtimi i një pompe benzine, rruge, klubi nate, etj. Me një fjalë, janë të gjithë mekanizmat e sigurisë për Kishën Ortodokse Serbe(KOS), të cilat janë të paraqitura në dokumentin e Ahtisaarit. Prandaj, as ligji për liritë fetare e trashëgimisë fetare, nuk mundet më të tejkalojë këto kompetenca të KOS-it, si kusht për anëtarësim në UNESCO. Nuk ka specifika të tilla as për shumicën e monumenteve të tjera të trashëgimisë kulturore në Kosovë, sa ka për KOS-in!

KRITIKAT NDAJ MPJ-SË

• Asnjë vonesë MPJ nuk mund ta arsyetojë me bllokimin e formimit të legjislaturës dhe Qeverisë së re, ngase nga viti 2015 do të mund të shqyrtonin kërkesat për ligjet e reja rreth bashkësive fetare. Ku ishin qe dy vjet për t'i analizuar këto kërkesa/ligje dhe vetëm pak kohë para mundësisë së aplikimit të sërishëm në UNESCO, arsyetohen me bllokimin e Kuvendit?! Zvarritjet në formimin e institucioneve të Kosovës janë pengesa me pasoja edhe në fushën e kulturës, sikur e kemi përmendur në një nga kolumnet e fundit, por kjo ndërlidhet vetëm edhe me shfrytëzimin e 'kohës e momentin e fundit' të aplikimit. Nuk është dashur në asnjë mënyrë të vijmë deri në momentin e fundit për t'i bërë gjërat aq të rëndësishme shtetërore sikur është aplikimi për herën e dytë në UNESCO. Vonesat në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhjen e kryeministrit të ri, janë pengesa nëse mendohet kryerja e punëve vetëm në 'momentin e fundit'; • Është papërgjegjësi e madhe e një ministri në detyrë që me aq lehtësi të thotë: "Pa miratimin e këtyre dy ligjeve nuk mund të lëvizim, nuk mund të aplikojmë, nëse nuk mundemi këtë vit e lëmë vitin tjetër." Si mund të thuash aq kollajshëm, e lëmë për vitin tjetër?! Po ashtu, nuk është i verifikuar pohimi se nuk mund të aplikojmë pa miratimin e këtyre dy ligjeve. Në asnjë deklaratë të shteteve kundërshtare dhe atyre abstenuese, nuk është thënë se miratimi i këtyre dy ligjeve do t'i bënte ato ta votonin anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Ekziston edhe një fakt tjetër: Si aplikuam herën e parë pa miratimin e këtyre dy ligjeve, ndërsa herën e dytë, nuk mundemi?! • MPJ duhet të merr përgjegjësi që nuk është marrë intensivisht me procesin e aplikimit në UNESCO që prej dështimit të saj gjatë herës së parë. • MPJ duhet të bëjë të qartë se jo me çdo kusht duhet të anëtarësohemi në UNESCO, nëse shkohet edhe me 'Ahtisaari Plus' rreth ekskluzivitetit në të drejta e liri për KOS-in, sepse vetëm aneksi V i dokumentit të Ahtisaarit, është i mjaftueshëm për të garantuar se nuk do të ketë asnjë lloj diskriminimi, madje aty ka edhe diskriminim të tejshquar pozitiv. • MPJ duhet të shfrytëzojë dokumentin e Sabri Bajgorës në shtetet që abstenuan gjatë herës së parë dhe që kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Bajgora ka bërë një punë të shkëlqyeshme rreth dokumentimit me fotografi e përmbajtje të shkatërrimit të objekteve fetare islame nga forcat paramilitare dhe militare të Serbisë gjatë viteve 1998-1999. Është ndër dokumentet e publikuara nga Ministria e Punëve të Jashtme, të cilin e ka edituar albanologu i shquar Robert Elsie bashkë me Petrit Selimin. I shkruar në gjuhën angleze, titulli i dokumentit në gjuhën shqipe quhet "Shkatërrimi i trashëgimisë islame në luftën e Kosovës 1998-1999". Këtë dokument nuk duhet lënë vetëm në faqen e MPJsë, por të shfrytëzohet në të gjitha takimet, të shpërndahen kopjet e tij ngado nëpër ambasadat kosovare në vendet e huaja, etj. Ndoshta e kishim përmirësuar vetëm diçka këtë dokument, që të mos keqlexohet si trashëgimi islamike, por si trashëgimi kulturore e Kosovës, në mënyrë që të mos krijohet përshtypje e gabuar se këtu ka pasur luftë në mes të ortodoksëve ekstremistë të cilat kanë djegur xhamitë e myslimanëve kosovarë, apo djegia e kishave ortodokse nga myslimanët ekstremistë në Kosovë! Përkundrazi, ka qenë një luftë me baza etnike, e jo me premisa fetare! • Duhet të botohet gjithsesi dokumenti në shumë gjuhë rreth qasjes që ka pasur Kosova ndaj trazirave të marsit 2004, duke treguar detajisht për dënimet me ligj dhe burgosje të personave të përfshirë në trazira; kontekstin politik të atyre viteve; milionat e derdhur për rinovimin e trashëgimisë së dëmtuar ortodokse, masat e marra mbrojtëse dhe policore, e tjerë e tjerë.

 (Kosova Sot)