Ka tendencë për shmangie dhe bastardim të standardit të shqipes në Kosovë

  • 21 August 2017 - 12:04
Ka tendencë për shmangie dhe bastardim të standardit të shqipes në Kosovë

Gjuha standard në Kosovën e pasluftës vazhdon të jetë në një stad jo të kënaqshëm të përdorimit të saj. Pothuajse të në gjitha fushat, duke filluar nga administrata e deri tek komunikimet publike. Shkrimtarë e studiues të gjuhës shqipe vazhdojnë të alarmojnë lidhur me gjendjen aspak të mirë të standardit të shqipes. Por, jo të gjithë mendojnë se ka një devijim serioz ndaj standardit nga folësit e shqipes në Kosovës.

Bastardimi i standardit

Poeti dhe studiuesi, prof. Dr. Agim Vinca, në një prononcim për 'Kosova Sot", ka thënë se, fatkeqësisht, është e vërtetë dhe ka një tendencë, madje bukur të fortë, për shmangie dhe bastardim të standardit të shqipes në Kosovë. Tendencat e tilla, ka thënë prof. Vinca, janë tejet të dëmshme për kohezionin shpirtëror të kombit të ndarë shqiptar, po i nxisin, herë-herë, njerëzit që janë në krye të disa institucioneve kulturore, arsimore dhe shkencore. Sipas tij, më e theksuara ndër to, përveç idesë së marrë të krijimit të identitetit të ri kombëtar, atij "kosovar", është tendenca e shmangies dhe degradimit të gjuhës standarde shqipe në jetën publike. "Nuk do mend se kjo tendencë joshkencore dhe kundërhistorike, herët a vonë, do të dështojë, por dëme sjell dhe krijon konfuzion sidomos tek të rinjtë. Gramshi thoshte se kush e flet dhe e shkruan vetëm dialektin e jo edhe gjuhën letrare kombëtare "e kupton botën në mënyrë të kufizuar, të fosilizuar e provinciale"", ka pohuar prof. Vinca.

Rënia e standardit letrar dhe normës standarde

 Edhe poeti Zeqir Fazliu ka thënë për "Kosova Sot", se ka një deformimi dhe degradimi nga norma standarde dhe standardi letrar ka rënë në nivelin më të ulët të mundshëm në këto dekadat e fundit. "Nuk respektohet drejtshkrimi,nuk respektohen rregullat gramatikore. Nuk gabojnë njerëzit e rëndomtë, por ata me shkollim universitar. I ngatërrojnë përemrat,emrat nëpër rasa. Me një fjalë, gjuha është bërë lëmsh", ka pohuar ai, duke shtuar se drejtshkrimi është detyrim për çdo gazetar, për çdo poet, për çdo shkrimtar. Detyrim, siç ka thënë ai, është edhe për mediet. Andaj, ka pohuar ai, kush nuk i zbaton rregullat gramatikore e drejtshkrimore do të duhej të sanksionohej.

Institucionet të kujdesen ndaj gjuhës

Kurse shkrimtari Ramadan Thaçi, duke folur lidhur me çështje të normës letrare dhe përdorimit të saj në vend, ka thënë se sot gjuha shqipe flitet shumë keq në mediet audiovizive dhe ato të shkruara, përveç emisionet informative, siç ka thënë ai, pasi ato shkruhen dhe pastaj lexohen. "Në emisionet e tjera argëtuese dhe me tematika të tjera, ajo flitet aq keq sa ajo gjuhë është gjuhë e rrugës që flitet nga shtresa të paarsimuara dhe me nivel të ulët edukativ dhe kulturor", ka thënë ai, duke shtuar se gjuha standarde shqipe do të ruhet me nxjerrjen e një ligji nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për përdorimin e gjuhëve dhe standardeve gjuhësore në mjetet e informim publik.

Gjendja nuk është dhe aq e keqe

Kurse gjuhëtari Shpëtim Elezi, profesor në UP, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se gjendjen e përdorimit të standardit të shqipes nuk e sheh edhe aq të keqe. Duke mos pranuar fjalën bastardim, pasi, siç ka thënë ai, duket një term me konotacion negativ dhe, në të vërtetë, joshkencor, ka potencuar se është e zorshme të thuhet diçka e saktë lidhur me këtë, sepse në Kosovë nuk janë bërë matje sistematike të gjendjes së shqipes standarde në faza të caktuara zhvillimi. "Kemi më shumë përshtypje dhe, ndonjëherë, diskutime të rastit për probleme të veçanta, gjë që pak ndihmojnë për të pasur një ide të qartë për gjendjen e shqipes standarde më parë dhe sot. Pra, mungojnë studimet sistematike mbi situatën reale të përdorimit të shqipes standarde në terren, prandaj hëpërhë nuk mund të thuhet me siguri nëse shkalla e përdorimit të shqipes standarde ka shënuar ngritje ose rënie", ka thënë ai, duke shtuar se konkludimi se dekadave të fundit ka një shmangie nga standardi, ka thënë se në rrethana normale, të ndodhte një gjë e tillë, teorikisht është e pamundshme, por, siç ka thënë ai, duke qenë se shoqëria shqiptare në Kosovë dhe institucionet e saj që nga formimi i shqipes standarde (1972) gjer më sot kanë kaluar në procese jonormale, mund të jetë e pritshme edhe kjo. Për rrjedhojë, ka pohuar ai, kuptohet që edhe fazat e procesit të standardizimit të shqipes në Kosovë nuk janë zhvilluar në rrethana të natyrshme dhe kjo tashmë po manifestohet në rastet e moszbatimit korrekt të shqipes standarde ku në shkallë më të lartë e ku në shkallë më të vogël. Ndërsa ka thënë se në këto dy dekadat e fundit ndjeshëm janë rritur kushtet dhe fushat e përdorimit të shqipes standarde. "Nëse më përpara përdorimi i shqipes standarde është kufizuar më shumë në shkollë, tashmë përveç shkollës shqipja standarde përdoret në medie, në administratë e në domene të tjera. Prandaj, duke qenë kështu, pra, duke pasur më shumë domene të përdorimit, krijohet perceptimi se tash përdorimi i shqipes standarde është në nivel më të ulët se nga çka qenë më parë. Kjo duket kështu, por mund të mos jetë e vërtetë. Për të konstatuar diçka të tillë duhen matje sistematike", ka thënë ndër të tjerash në një prononcim për "Kosova Sot", Shpëtim Elezi, duke shtuar se një rol të rëndësishëm të përdorimit të standardit kanë edhe zhvillimet politiko- ekonomike etj.

(Kosova Sot)