Romani kosovar nuk i thyen muret për t'u përkthyer në gjuhë të huaja

  • 22 August 2017 - 08:42
Romani kosovar nuk i thyen muret për t'u përkthyer në gjuhë të huaja

P ërkthimi i letërsisë shqipe të autorëve kosovarë në gjuhët e huaja vazhdon të jetë në pikën më të ulët, sidomos romani, pavarë- sisht se letërsia shqipe, e krijuar nga autorë kosovarë, nxjerr emra dhe vepra me nivel të kënaqshëm. Arsyet për këtë mospërkthim janë të ndryshme. Por, jo pa faj janë edhe institucionet tona, të cilat nuk kanë bërë apo bëjnë sa duhet për promovimin dhe mbështetjen e afirmimit të shkrimtarëve tanë në gjuhë të huaja, sidomos në gjuhët e rajonit. Duke sfiduar pengesat dhe problemet, një punë e mirë, sipas studiuesve, është duke u bërë nga studiues dhe shkrimtarë shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në shumë vende evropiane, të cilat në shumë raste marrin iniciativa për përkthimin e veprave shqipe në gjuhët e vendeve ku jetojnë. Ndërsa festivalet dhe manifestimet ndërkombëtare letrare që mbahen në vend kanë dhënë dhe po japin rezultate, duke dërguar veprat e shkrimtarëve tanë në vende të ndryshme, të cilat falë po këtyre lidhjeve po përkthehen duke u vënë në dispozicion lexuesve të shumë vendeve evropiane.

Faktorët që pengojnë

Për shkrimtarin dhe studiuesin Argjend Hasani, mospërkthimi i letërsisë shqipe të krijuesve kosovarë në gjuhë të huaja ndodh për disa arsye. Sipas tij, duhet një përkushtim më i madh i institucioneve për të gjetur rrugë alternative për të mbështetur përkthimin e letërsisë shqipe të Kosovës në gjuhë të huaj, duke u fokusuar në romanin shqip. Ai ka thënë se ka shumë faktorë, duke numëruar ata kryesorë, për mospërkthimin e romaneve në gjuhë të huaja, si paragjykimet, kostoja bukur e lartë që duhet përballuar për një përkthim, vështirësitë në kontaktimin e shtëpive botuese nga jashtë, mospërkrahja apo mossubvencionimi i autorëve dhe shtëpive botuese për përkthimin e romaneve etj."Të gjithë këta faktorë që i përmenda më lart janë stopuesit kryesorë që pengojnë depërtimin e romanit të përkthyer në duart e lexuesit të huaj jo vetëm në trojet shqiptare, por kudo nëpër botë", ka thënë ai.

Mungesat financiare dhe konkurrenca

Shkrimtari Arsim Halili, duke folur rreth pengesave që dalin dhe pamundësojnë përkthimin e letërsisë shqipe në gjuhët të huaja, ka thënë se sikurse gjithë letërsitë e vogla edhe shqipja po përballet me probleme të natyrave të ndryshme, që nga konkurrenca, marketingu, deri tek vështirësitë financiare dhe mungesa e madhe e donatorëve apo sponsorëve të ndryshëm. "Letërsia shqipe, e veçmas proza e gjatë për të marrë rrugë ndërkombëtare, natyrisht se duhet të ketë një treg të sigurt. Por, fat të keq, përkthimi është mjaft i kushtueshëm", ka thënë ai. Sipas tij, letërsia shqipe për shkak se nuk arrin të ketë një konkurrencë lojale me letërsitë e tjera të mëdha e ka të vështirë depërtimin. Ndërsa ka thënë se rastet individuale të përkthimit të veprave, kryesisht poezisë, ndodhin, por, siç ka thënë ai, shpeshherë cilësia e përkthimeve lë për të dëshiruar. "Natyrisht në këtë relacion pengesë është edhe qasja në shtëpitë botuese ndërkombëtare sa e marrin rriskun për ta distribuuar librin me vendin ku bëhet përkthimi i një vepre të letërsisë shqipe", ka thënë krijuesi Arsim Halili. Hasani ka thënë se ka shumë faktorë pse ndodh kjo, duke numëruar ata kryesorë për mospërkthimin e romaneve në gjuhë të huaja, si paragjykimet, kostoja bukur e lartë që duhet përballuar për një përkthim, vështirësitë në kontaktimin e shtëpive botuese nga jashtë, mospërkrahja apo mossubvencionimi i autorëve dhe shtëpive botuese për përkthimin e romaneve etj.

(Kosova Sot)