Institucionet shtetërore heshtin për krimet serbe

  • 18 September 2017 - 08:57
Institucionet shtetërore heshtin për krimet serbe

Institucionet shtetërore të Kosovës kanë dështuar të informojnë publikun botëror lidhur me krimet që ka kryer shteti serb për gati një shekull ndaj popullsisë shqiptare, jo vetëm të Kosovës, por edhe të hapësirës tjetër shqiptare në ish- Jugosllavi. Madje, edhe për luftën e fundit fare pak është bërë. Pothuajse mungojnë fare botimet të përkthyera në gjuhën angleze, sidomos dokumenteve autentike mbi krimet, monografinë e shumë dëshmi të tjera, të cilat do të informonin botën rreth krimeve serbe mbi popullsinë e Kosovës. Për fat të keq, edhe ato botime, kryesisht individuale mbi këto krime që botohen në gjuhë të huaja më shumë promovohen në vend dhe i servohen opinionit të këtushëm.

Qeveria të ndajë fonde

Në anët tjetër, Serbia vazhdon të ndihet komode, përkundër krimeve, bile edhe të akuzojë shqiptarët për krimet, duke i paraqitur si kriminel dhe shkatërrues të trashëgimisë serbe, duke botuar shumë libra në gjuhë të huaja, filma e forma të tjera në gjuhë të huaj dhe duke i shpërndarë ato, fillimisht nëpër ambasadat e huaja dhe pastaj nëpër botë. Kjo është pohuar edhe nga studiuesit tanë. Në një prononcim për "Kosova Sot", historiani Shkodran Imeraj, hulumtues i pavarur në Institutin e Historisë së Kosovës, një nga të paktët që merret me hulumtimin e krimeve të kryera nga serbët, ka thënë se është e qëndrueshme se institucionet e Republikës së Kosovës nuk kanë bërë aq sa duhet apo më mirë të thuhet nuk kanë bërë asgjë, në argumentimin e gjenocidit që është kryer në Kosovë nga ana e shteti serb gjatë gjithë periudhës 1912-1999, e posaçërisht në argumentimin e fakteve të masakrave që janë kryer nga serbët gjatë luftës së fundit 1998-1999. "Siç dihet, unë jam i vetmi punonjës shkencor në Institutin e Historisë së Kosovës në Prishtinë, i cili merrem me hulumtimin dhe argumentimin e gjenocidit serb që është kryer në Kosovës gjatë periudhës 1998-1999, dhe bëj apel që shteti ynë, gjegjësisht Qeveria e re të ndajë fonde shtesë për Institutin tonë dhe të rritet puna për mbledhjen dhe argumentimin e gjenocidit që është kryer në Kosovës nga ana e shteti serb", ka thënë ai, duke shtuar se është për keqardhje, por duhet të cekim se mungojnë në masë të madhe botime në gjuhën shqipe në lidhje me gjenocidin serb në Kosovës. Ndërsa ka pohuar se për botimin në gjuhën angleze të dëshmive, monografive e formave të tjera, përmes të cilave do të njihej bota për këto krime, ka thënë se nuk është bërë hiçgjë. "Është koha e fundit që institucionet tona të bëjnë më shumë në argumentimin e gjenocidit serb me botimet nga institucionet e thirrura shkencore", ka thënë historian Imeraj

Institucionet, pengës për botime

Edhe poeti Zeqir Fazliu, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se institucionet tona kanë dështuar edhe në këtë lëmi. Përderisa ka thënë se Serbia është në ofensivë dhe bën propagandë ditë e natë duke i falsifikuar ngjarjet që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës së fundit. "Është fatkeqësi që agresori po barazohet me viktimën. Lufta ka ndodhur në Kosovë, njerëzit tanë kanë mbrojtur derën e shtëpisë, vendin e vet. Serbia e pati pushtuar Kosovën, ajo bëri gjenocid, i përzuri afër një milion shqiptarë", ka pohuar Fazliu. Më tej ia ka pohuar se shoqëria jonë po vuan nga sindroma e harresës, dhe, siç ka vazhduar ai më tej, nuk është sa duhet në nivelin e detyrës. "Pra,Serbia i shfrytëzon dobësitë tona. Kemi rënë në gjumë e po flemë. Por,armiku s'fle kurrë. Duhet të kemi kujdes dhe shumë dashuri për Kosovën tonë të lirë", ka potencuar poeti Fazliu. Ndërsa Argjend Hasani, studiuesi dhe autor librash mbi krimet serbe ndaj popullsisë dhe trashëgimisë shqiptare, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se sa u përket botimeve, si dhe dëshmive të luftës në gjuhë të huaja, jo që nuk janë përkrahur, por fatkeqësisht ato janë penguar nga institucionet e Kosovës. "Kjo është ironike, sepse në njërën anë bartësit e institucioneve hedhin rërë në sytë e opinionit me deklarata pompoze pseudoatdhetare në drejtim të përkrahjes së botimeve të tilla, ndërsa nga ana tjetër ato injorohen. Arkivimi dhe botimi i fakteve të luftës çlirimtare janë deficitare edhe në gjuhën shqipe, e lëre më në gjuhët e huaja", ka pohuar Hasani, duke shtuar se botimet private nuk ia arrijnë as për së afërmi të plotësojnë boshllëkun e botimeve në gjuhë te huaja. Mungesa e përkrahjes-subvencionimit nga dikasteret gjegjëse, ka shtuar Hasani, pamundëson publikimin e botimeve që kanë një rëndësi të veçantë jo vetëm për lexuesin vendor, por edhe për ata ndërkombëtarë.

(Kosova Sot)