A HOQI DORË KOSOVA PASI U TËRHOQ EDHE VETË SHBA-JA NGA UNESCO-JA?

  • 14 October 2017 - 12:37
A HOQI DORË KOSOVA PASI U TËRHOQ EDHE VETË SHBA-JA NGA UNESCO-JA?

Shkruan: Avni Rudaku

ME SHKAS MOSAPLIKIMIN E KOSOVËS NË UNESCO

Kosova ka nevojë për UNESCO-n, sepse nuk ka as kuadro profesionale sikur ka SHBA-ja!

Gënjeshtra e politikanëve zyrtarë të Kosovës është të mostreguarit e qartë të mosaplikimit të Kosovës në UNESCO. Herë thuhej për Ligjet për Liritë Fetare dhe Trashëgiminë Kulturore, herë se janë koordinuar me SHBAnë dhe BE-në, etj. Pse nuk tregonin se për çfarë ishin koordinuar? Pse nuk tregonin qartë se ishte arsyeja e heqjes dorë të Kosovës nga UNESCO-ja për shkak të heqjes dorë të vetë SHBA-së nga kjo agjenci e OKB-së?

Kosova dështoi gjatë herës së parë të votimit për të qenë pjesë e UNESCO-s, anëtare e agjencisë së OKB-së për kulturë, arsim dhe shkencë, duke abstenuar edhe shtetet që e kishin pranuar deklaratën e pavarësisë. Pas dy vjetësh, sërish pritej gjatë këtij viti të riaplikohej për anëtarësim, por Kosova hoqi dorë para pak ditësh. Politikanët kosovarë kishin dhënë arsyetime të ndryshme që Kosova nuk riaplikoi për UNESCO. Sipas medieve kosovare, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Emanuel Demaj kishte thënë asokohe kur diskutohej mbi vonesat e aplikimit të Kosovës në UNESCO, si në vijim: "Kosova nuk ka aplikuar në UNESCO akoma. Jemi në pritje të miratimit të dy ligjeve, Ligjin për Liritë Fetare dhe Ligjin për Trashëgiminë Fetare..." Nëse shohim veprimin e fundit të SHBA-së për heqjen dorë nga UNESCO-ja dhe po ashtu nëse krahasojmë deklaratën e ishministrit Demaj me deklaratën e ministrit aktual të Ministrisë së Punëve të Jashtme, e shohim se e vërteta qëndron krejt diku tjetër, e jo në mosmiratimin e dy ligjeve të mësipërme. Deklarata e MPJ-së së Kosovës, e publikuar në mediet kosovare rreth mosaplikimit në UNESCO, ishte me një nga këto arsyetimet vijuese: "Republika e Kosovës deri më tash është anëtarësuar në mbi gjashtëdhjetë Organizata rajonale, kontinentale dhe globale dhe secili veprim i aplikimit, procedurave apo procesit të anëtarësimit bëhet në koordinim të plotë dhe të ngushtë me aleatët strategjik dhe historikë të Kosovës, respektivisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Kosova është aleate e perëndimit dhe kjo aleancë është e përjetshme dhe e pakthyeshme". Po pse do të ishte thyerje e aleancës me Perëndimin, me riaplikimin në UNESCO?! Sepse nuk do të bëheshim me SHBA-në, por me shtetet që e kritikojnë Izraelin, sikur do të shohim më tej! Po ashtu, jo krejt shtetet e BE-së, kanë qëndrim të njëjtë me SHBA-në rreth Izraelit se si sillet me trashëgiminë kulturore në Jerusalem! Pra, edhe "Perëndimi është i përçarë" (togfjalësh i njohur nga J. Habermas) rreth Izraelit dhe Palestinës, prandaj edhe kjo deklaratë zyrtare e MPJ-së, nuk është as pranë të vërtetës së zhvillimeve globale! Nëse krahasojmë përgjigjet zyrtare të dy ish ministrave të MPJ-së, që është periudhë shumë e shkurtër, e kuptojmë se arsyetimet janë krejtë- sisht të ndryshme dhe kjo tregon edhe për papërgjegjësinë e deklaratave dhe hutimin e opinionit të gjerë publik se, pse Kosova nuk aplikoi sërish në UNESCO. Sipas analizave të zhvillimeve globale në UNESCO dhe raportet konfliktuale të SHBA-së me këtë agjenci të OKB-së, krahasimit të analizave të dy ministrave të MPJ-së, atij në detyrë dhe aktual, Kosova ka hequr dorë nga anëtarësimi në UNESCO, sepse në këtë kohë, SHBA-ja ka hequr dorë nga UNESCO-ja, me shkas Izraelin, doktrinën nacionaliste të bardhë "Amerika e para" të Donalld Trampit dhe qëllimet e Trampit të heqë dorë nga shpenzimet e mëdha financiare të SHBA-së për UNESCO-n.

LARGIMI I SHBA-SË

Sipas njoftimeve nga mediet, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrë vendim për largim nga UNESCO, ndonëse kanë shprehur edhe vullnetin e tyre për ta rishikuar këtë vendim, i cili do të hyn në fuqi në fund të vitit 2018. Sipas gazetës me impakt global "Nju Jork Tajms", arsyetimi i SHBA-së për zemërimin ndaj UNESCO-s, ishte cilësimi i kësaj agjencie të OKB-së, si "paragjykues ndaj Izraelit". Arsye tjetër është cituar nga kjo media se është edhe borxhi i SHBA-së për 550 milionë dollarë apo më shumë, dhe ndonëse është tërhequr, SHBA-ja ka ofruar gatishmëri për dhënie të ekspertizës së saj në UNESCO, por vetëm si një vëzhguese jo anëtare. Më tej, në artikullin e plotë të gazetës amerikane, thuhet se që në vitin 2011, SHBA-ja kishte theksuar se çdo agjenci e Kombeve të Bashkuara që pranon Palestinën si anëtare të plotë, nuk do të financohej. "22 për qind e buxhetit të UNESCO-s ishte varur nga SHBA, sikurse thekson gazeta. Edhe gjatë Luftës së Ftohtë, SHBA-ja ishte tërhequr nga UNESCOja, pasi thuhej se UNESCO ishte ndjeshëm e ndikuar nga Moska dhe tepër kritike ndaj Izraelit. UNESCO duke e shpallur Hebronin si trashëgimi botërore në rrezik dhe në vitin 2015 kishte miratuar një rezolutë duke i dënuar veprimet e Izraelit për trashëgiminë në Jerusalem dhe masat e paligjshme kundër lirisë së adhurimit" - vazhdon shpjegimin gazeta për kontekstin historik të raporteve SHBAUNESCO. Politika e jashtme e Donalld Trampit sikur përmendet po në të njëjtin burim, thuhet se është mbrojtja e Izraelit, prandaj kjo është përshëndetur edhe nga liderët e Izraelit, duke thënë se edhe ata do të tërhiqen, pasi UNESCO në vend të ruajtjes së trashëgimisë botërore, po e 'shtrembëron atë'. Ndërsa revista tjetër me rëndësi globale, "Time", citon autorë që thonë se historia e rëndësisë së UNESCO-s për SHBA-në, ndërlidhet që nga Lufta e Dytë Botërore. "...sistemet shkollore në Evropë po kalonin "denazifikimin" dhe, si pjesë e këtij procesi, SHBA-të donin të ishin të sigurta se mësonin me saktësi Luftën e Dytë Botërore. UNESCO-ja ishte një mënyrë për të ndikuar në ato kurrikula. Po ashtu, gjatë Luftës së Ftohtë, zyrtarët amerikanë e përfytyronin UNESCO-n si një avokat për fjalimin e lirë në një epokë propaganduese komuniste. Por, ndërsa më shumë anëtarë u bashkuan me organizatën - rreth 160 anëtarë deri në korrik 1983 - krijuesit e politikave amerikane u shqetësuan se zërat e tyre do të mbyteshin. Anëtarët më të rinj ishin "kryesisht shtetet e reja të dekolonizuara e të pavarura të Afrikës dhe Azisë", të cilët "priren të jenë më pak mbështetës të politikave amerikane, dhe më shumë përkrahëse të pozicionit të bllokut sovjetik"." Ose citohet në magazinën "Time" edhe një fjali e një përfaqësuesi amerikan në Kombet e Bashkuara, që është shumë me rëndësi: "Vendet që kanë votat nuk paguajnë faturën, dhe ata që paguajnë faturën nuk kanë votat". Po ashtu në këtë artikull rreth historikut të marrëdhënieve të acaruara të SHBA-së me UNESCO-n, përmendet viti 1974, "kur UNESCO votoi për ta larguar Izraelin nga grupi punues rajonal sepse thuhej se Izraeli kishte ndryshuar "tiparet historike të Jerusalemit" gjatë gërmimeve arkeologjike dhe "trushpëlarjes" në territoret e pushtuara arabe. Kongresi amerikan i kishte pezulluar menjëherë hisen për UNESCO-n, gjë që e detyroi agjencinë të zbusë sanksionet e saj. Në vitin 1976 Izraeli u ripranua; në vitin 1977, SHBA rifilloi financimin."(po aty, artikulli nga "Time"). Edhe në vitin 1980 përmendet një konferencë e mbajtur në Beograd, ku "kishte mosmarrëveshje dhe konflikte të shteteve komuniste dhe të "Botës së Tretë" rreth reformave në medie me shtetet perëndimore." Pra, me këto të dhëna nga "Nju Jork Tajms" dhe "Tajm" mund të kuptohet indirekt se ndër arsyet shtesë pse Kosova vendosi të mos aplikonte në UNESCO është edhe ky zhvillim përkeqësues në raportet aktuale SHBA-UNESCO.

DILEMË DIPLOMATIKE: INTERESI I KOSOVËS DHE INTERESI I SHBA-SË

Mund ta bëjmë një pyetje thelbësore mbi marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në: A është çdo gjë që është interes i SHBA-së, interes edhe i Kosovës?! Duket e thjeshtë, por është ndër përgjigjet më të komplikuara. Për eurocentristët dhe uesternocentristët, por edhe për politikanët që varen më shumë nga qëndrimet e të huajve sesa nga opinioni i gjerë publik e lokal, çdo interes i SHBA-së, është edhe interes i Kosovës pa e diskutuar fare! Me një fjalë, formulimi i tyre është i këtillë: Interesat e Kosovës dhe të SHBA-së janë qind për qind të përputhshme! Në anën tjetër, mund të flasim edhe për një anë tjetër të marrëdhënieve diplomatike Kosovë-SHBA, që nënkupton se interesi i Kosovës është interes që jo domosdoshmërisht përputhet gjithmonë edhe me interesin amerikan. Shembulli praktik mund të jetë heqja dorë e Kosovës nga aplikimi në UNESCO, pas heqjes dorë të vetë SHBA-së nga UNESCO-ja. Nëse SHBA-ja nuk ka nevojë për UNESCO-n dhe përqindjen më të madhe të financimit të vetë UNESCO-s e ka bërë me mjetet e veta financiare, atëherë Kosova ka nevojë për UNESCO-n, sepse është shtet i dobët financiarisht, politikisht, ndërkombë- tarisht, e tjerë e tjerë. Kosova ka nevojë për UNESCO-n, sepse nuk ka as kuadro profesionale sikur ka SHBA! Mirëpo, duke hyrë edhe më tej në çështjet globale, e kemi thënë edhe në kolumnet tona rreth kësaj teme, se dështimi dhe suksesi i Kosovës në anëtarësimin në organizata globale, është sukses dhe dështim i Perëndimit, ngase në UNESCO është edhe betejë ndërmjet superfuqive globale (SHBA, Rusia, Kina, BE-ja etj.), superfuqive rajonale (Irani, Arabia Saudite, etj.); apo konfliktit të Perëndimit neoliberal e socialdemokrat dhe Kinës e Rusisë autoritariste. Kushdo që ka aleatë më shumë, ka edhe vota apo kokrra kah ana e tij! Po ashtu, nëse SHBA nuk është në UNESCO, ndikimi i saj tek anëtarët e tjerë është më i vogël, por edhe motivimi i saj është minimal në lobim. Nëse SHBA-ja pezmatohet në UNESCO-n për shkak të Izraelit, atëherë Kosovën nuk e njeh Izraeli, por politikisht, secili pozicionim kundër Izraelit, presupozohet se është edhe kundër SHBA-së, pasi që janë dy aleatët më të fuqishëm në planet. Por gënjeshtra e politikanëve zyrtarë të Kosovës është të mos treguarit e qartë të mosaplikimit të Kosovës në UNESCO. Herë thuhej për Ligjet për Liritë Fetare dhe Trashëgiminë Kulturore, herë se janë koordinuar me SHBA-në dhe BE-në, etj. Pse nuk tregonin se për çfarë ishin koordinuar? Pse nuk tregonin qartë se ishte arsyeja e heqjes dorë të Kosovës nga UNESCO për shkak të heqjes dorë të vetë SHBA-së nga kjo agjenci e OKBsë? Marrë zhvillimet në tërësi, rezulton se përnjëmend arsyeja e mosaplikimit paskësha qenë që SHBA janë në konflikt me UNESCO-n dhe Kosova ka hequr dorë nga aplikimi, sepse nuk e ka mbështetjen e SHBA-së. Ky është rasti më interesant i definimit dhe gjetjes së ndonjë dallimi në mes të "interesit amerikan" dhe "interesit të Kosovës"! 

(Kosova Sot)