Një film familjar me plot skena interesante

  • 15 October 2017 - 18:28
Një film familjar me plot skena interesante

Rezonanca fillon që me titullin e filmit."The Meyerowitz Stories (New and Selected)" merr një kënd letrar, në mënyrë indirekte sugjeron se "New Yorker", J. D. Salinger dhe, deri në një shkallë, Woody Allen. Baumbach i qëndron besnik konceptit të rrëfimit të shkurtër, por ai e përdor atë si parim udhëheqës, si dhe si mjet befasie. Pas një fillimi të thjeshtë, paraqitet fjalia e parë e rrëfimit të parë: "Danny Meyerowitz përpiqej që të parkonte". Filmi na sjell në profil mesatarisht të afërt një Adam Sandler me mustaqe, prapa timonit, duke shikuar prapa supeve. Kjo mund të shkaktojë qeshje, por pasi që Danny del nga një vend i pamundur dhe shkon në qendër të Menhetnit, paraqitet një anë tjetër e personazhit. Vajza e tij, Eliza (Grace Van Patten), ka kriposur aventurën e tyre të parkimit me disa këshilla dietale për të atin, gjë që ai e pranon me humor të mirë. Kur në radion e veturës fillon të dëgjohet hiti i vitit 1987, "Head to Toe", i kënduar nga Lisa Lisa & Cult Jam, Danny dhe Eliza këmbejnë kujtime të ngrohta dhe fillojnë që edhe ata të këndojnë. Derisa ai mund të jetë i prirë që të nervozohet rreth parkimit (e, kush nuk nervozohet për një gjë të tillë?) Por, ai del më pas se nervozohet edhe për shumëçka tjetër), në përgjithësi Danny duket si një baba i mrekullueshëm dhe një njeri me zemër të mirë.

VIZITA NË SHTËPINË E NJËRËS PREJ GJASHTË ISH-GRAVE TË TIJ

Por, i ati i Danny't, Harold, menjëherë paraqitet si një kryefamiljar më pak i mirë, kur e vizitojnë djali dhe mbesa - Eliza, vetëm për një natë, meqë i duhet që të largohet; Danny për një kohë më të gjatë, meqë ai sapo ishte ndarë nga gruaja. I luajtur me një aftësi të madhe virtuoze nga Dustin Hoffman, Harold është një skulptor, i cili ndihet se të tjerët nuk e vlerësojnë. Këtë gjë ai e komenton vazhdimisht, gjatë bisedave me të gjithë rreth tij: me Dannyn, Elizan; gruan e tij dhe me kuzhinieren më të keqe në dynja, Maureen (Emma Thompson); me vajzën e tij introverte, Jean (Elizabeth Marvel); dhe, më vonë, me djalin tjetër, Matthew (Ben Stiller), një menaxher të suksesshëm biznesi në Los Anxheles, vizita e të cilit zgjatet nga një seri taksiratesh. Këto personazhe kanë shumëçka për të bërë dhe ata e bëjnë këtë kryesisht në mënyrë qesharake. Meyerowitzët janë modele të një tolerance të veçantë të Menhetnit, të stilit liberal: Skena në të cilën Danny, motra dhe babai i tij reagojnë me një shpërfillje të plotë ndaj filmit të parë studentor të Eliza's, një fantazi gati pornografike rreth një superheroi të quajtur "Pagina-Man", gjë që ka të ngjarë që të përmendet në shumë shkrime kulturore të këtij sezoni. Asnjëri nga Meyerowitzët nuk është tërë- sisht i realizuar, meqë që të gjithë ata vlojnë nga pendimet. Gati çdo gjë që del nga goja e Haroldit mund të cilësohet si akuzë pasive-agresive, sikur p.sh. kur gjatë një vizite të pacaktuar në shtëpinë e njërës prej gjashtë ish-grave të tij (Candice Bergen) ai bën me gisht kah një raft librash dhe thotë: Më duket se ky është libri im 'Buddenbrook'".

MARVEL VJEN ME MËNYRËN E VET ORIGJINALE TË AKTRIMIT

Me këtë film, Baumbach ka arritur një balancë gati të përkryer midis angazhimit dhe shqetësimit. Në filmin "The Squid and the Whale" dhe në atë "Margot at the Wedding", diçka e shtynte atë që të paraqiste zënkat familjare me një sinqeritet, i cili kufizohej me mizori. Zemërimi në këta filma dhe disa të tjerë të tij ishte gjallërues, edhe pse jo aq i domosdoshëm. Pa marrë parasysh sa i egërsuar dhe i mprehtë bëhet filmi "The Meyerowitz Stories", megjithatë ai mbetet një film i butë, në kuptimin e mirë të kësaj fjale. Sikur edhe në filmat e tjerë të Baumbach-ut, aktrimi është spektakular. Zonja Thompson është qesharake, zonja Marvel vjen me mënyrën e vet origjinale të aktrimit dhe zonja Van Patten është me të vërtetë 'një zbulim'. Dhe, derisa personazhi i Stiller'it, Matthew, është edhe serioz e edhe neurotik, në të njëjtën kohë, është Sandler ai që shkëlqen, si duke na bërë të qeshim, po ashtu edhe duke na prekur emocionalisht. Dashuria e Baumbachut për personazhet e tij është e tillë, saqë, derisa filmi kalon minutën e 90-të të tij, bëhet evidente se ai nuk dëshiron përfundimin e tij. Kjo e detyron atë që ta përfundojë atë disa herë më shumë sesa që ka nevojë.

(Kosova Sot)