Çmimi "Man Booker" përsëri te një amerikan

  • 19 October 2017 - 17:52
Çmimi

S hkrimtari amerikan i rrëfimeve të shkurtra, George Saunders, ka marrë shpërblimin "Man Booker" për romanin e tij të parë, "Lincoln in the Bardo". Libri bazohet në një ngjarje të vërtetë: natën e vitit 1862 kur Abraham Lincoln varrosi djalin e tij 11- vjeçar, Willie, në një varrezë të Uashingtonit. Duke imagjinuar djalin të mbetur rob në 'Bardo' - një shprehje budiste tibetiane që nënkupton njëfarë vendi të harruar - romani i shkrimtarit Saunders flet edhe për të vdekurit e tjerë, po ashtu të zënë rob në varreza dhe jo të gatshëm që ta pranonin vdekjen, të cilët e shikojnë djalin i cili me padurim pret kthimin e t'et.

Romani përmban pjesë nga tekstet historike, biografitë dhe letrat

I shkruar thuajse i tëri në formë të dialogut, ky roman po ashtu përmban pjesë nga tekstet historike, biografitë dhe letrat. Në kritikën e këtij libri, të botuar në "Guardian", kolegu i Saundersit, shkrimtari Hari Kunzru e cilësonte atë si "një rrëfim të madh dhe të guximshëm", që për një kokë e më shumë qëndron më lart sesa shumica e librave bashkëkohorë të trillit. Aty thuhet se shkrimtari i librit ka edhe shumë kënaqësi të tjera, të cilat do t'ua ofrojë lexuesve në të ardhmen. Duke marrë shpërblimin e lartpërmendur, shkrimtari 58 vjeç i lindur në Teksas, ofroi një mbrojtje elokuente të rëndësisë së kulturës. "Në rast se nuk e keni vërejtur, jemi duke jetuar në një kohë të çuditshme, prandaj pyetja kryesore është goxha e thjeshtë. A reagojmë ndaj frikës me përjashtim dhe projektim negativ dhe me dhunë? Apo bëjmë çdo përpjekje për t'u përgjigjur me dashuri? dhe, me besimin se ajo që duket e ndryshme, nuk është aspak e huaj dhe e ndryshme, por jemi vetëm ne, në një ditë tjetër.

"Një vepër e jashtëzakonshme"

Kryesuesja e jurisë, Lola Young, e përshkroi librin si "një vepër të jashtëzakonshme". I shkolluar si gjeofizicien, Saunders filloi relativisht vonë që të shkruante. Përmbledhja e tij e parë me tregime, me titull "CivilWarLand in Bad Decline" u botua në vitin 1996. Saunders është amerikani i dytë me radhë që merr çmimin "Booker", pas fituesit të vitit të kaluar, Paul Beatty.

(Kosova Sot)