< VJEDHJET E PRONËS INTELEKTUALE MBESIN PA U NDËSHKUAR - Kulturë - Kosova Sot
VJEDHJET E PRONĖS INTELEKTUALE MBESIN PA U NDĖSHKUAR

VJEDHJET E PRONĖS INTELEKTUALE MBESIN PA U NDĖSHKUAR

DY SHOQATA PËR MBROJTJEN KOLEKTIVE TË TË DREJTAVE TË AUTORIT DHE PRONËS INTELEKTUALE
 "Arsyeja pse krijuesit dhe botuesit pothuajse janë dorëzuar karshi një dukurie të tillë, është neglizhenca e madhe nga autoritetet dhe departamentet e krijuara pikërisht për të luftuar këtë problem dhe nuk kanë bërë ndonjë punë, e cila të jep arsye që të bësh më shumë në këtë drejtim", ka thënë Besian Zeneli
Luftimi i piratërisë në vend po mbetet një mision për gjenerata e ardhshme. Pavarësisht se Kosova tashmë ka një ligj për mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe pronës intelektuale, plagjiatura dhe vjedhjet e pronës intelektuale vazhdojnë në pothuajse të gjithë sektorët ku më pak e ku më shumë, duke mos përjashtuar edhe fushën e kulturë; fushën e librit, filmit, muzikën, etj. Për njohës të zhvillimeve kulturore në vend ka shumë arsye që në vend po çalon lufta kundër piratërisë dhe, sipas tyre, pa 'faj' nuk mbesin të dëmtuarit, të cilët edhe pse kanë njohuri se e drejta e tyre është vjedhur nuk u drejtohen organeve përkatëse. Sipas tyre, shumë prej të dëmtuarave po heqin dorë nga përballja me vjedhësit, për shkak të mbështetjes dhe stimulit të paktë që gjejnë qoftë nga institucionet, qoftë në ligjin për të drejta e autorit. Por, pavarësisht kësaj, krijuesve të dëmtuar ligji u mundëson mbrojtjen dhe administrimin e të drejtave të tyre, qoftë në mënyrë individuale apo edhe kolektive. Ndërsa Zyra e të Drejtave të Autorit dhe të Drejtat e Përafërta u ofron të dëmtuarve mbështetjen e nevojshme për t'u përballur me keqpërdoruesit e të drejtave të autorit.


KËRKOHEN MASA KONKRETE

Valon Kashtanjeva, drejtor i Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë që Ligji për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta parasheh dy forma të menaxhimit të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta, menaxhimi individual i të drejtave, neni 158 i Ligjit, sipas të cilit të drejtat administrohen nga vetë individi apo nëpërmjet përfaqë- suesit të tij në bazë të autorizimit përkatës; dhe menaxhimi kolektiv i të drejtave, që bëhet nga shoqatat për administrim kolektiv, të licencuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ai ka thënë se MKRS-ja ka licencuar dy shoqata për menaxhimin kolektiv të të drejtave. "VAPIK, që është shoqatë për menaxhimin kolektiv të të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta në fushën audio- vizuale, dhe APIK është shoqatë për menaxhimin kolektiv të të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta në fushën e muzikës", ka thënë Kashtanjeva, duke shtuar se Zyra për të Drejtën e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, vetëm bënë koordinimin e luftës kundër piraterisë, nuk ka kompetenca në zbatim të ligjit. "Palët e dëmtuara duhet të drejtohen në Inspektoratin e tregut apo në Policinë e Kosovës për të kërkuar marrjen e masave konkrete kundër piraterisë", ka thënë ai.

NUK PËRKRAHEN KRIJUESIT

 Por, për krijuesit dhe njerëzit e kulturës as ligji dhe as zyra nuk po ndikojnë në luftën kundër piratërisë. Shkrimtari mr. Skënder R. Hoxha, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se është e keqe e madhe kur në zhvillimet krijuese, në përgjithësi, e në ato letrare, në veçanti, në Kosovë nuk funksionon përkrahja institucionale e krijuesve për të botuar veprat e tyre, nisur nga Drejtoritë Komunale për Kulturë, Rini e Sporte e deri te Ministria e Kulturës. Sipas tij, edhe në rastet kur ndodh ndonjë përkrahje participuese, ka raste kur mjetet financiare në mënyrë pirateske keqpërdoren derisa vijnë te autori. "Kjo dukuri e dhimbshme gjatë viteve të kaluara kemi shembuj të ketë ndodhur në Drejtoritë e Kulturës...., së komunave të Deçanit, Pejës, Gjakovës, por që nuk përjashtohet mundësia të kenë ndodhur edhe nëpër komuna të tjera! Për mospërkrahje financiare krijuesit ngrenë zërin, por zyrtarët piratë përgjigjen: "Në mungesë të mjeteve..., Kërkesa është me vonesë...", e arsyetime të tjera të paqëndrueshme", ka thënë ai. Ndërsa ka shtuar se të gjitha ato drejtori, që shkelin të drejtat e krijuesve, apo nuk i përfillin ato, duhet të kritikohen haptas dhe në rastet konkrete edhe të denoncohen nga komuniteti krijues. Ndërsa, krijuesi Dan Ibrahimi është shprehur se institucionet duhet të jenë më të vëmendshme karshi interesimit të pakët që të dëmtuarit i bëjnë për të lajmëruar vjedhjet. "Interesimi i paktë i krijuesve për të denoncuar piraterinë është fakti demoralizues që këtu nuk i jepet institucionalisht rëndësi kësaj anomalie që po e gërryen krijimtarinë muzikore, letrare etj.", ka thënë Ibrahimi. Kurse, Besian Zeneli, përfaqësues i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, ka thënë se pirateria vazhdon të mbetet problemi më i madh, i cili në vazhdimësi krijon vështirësi për botuesit dhe krijuesit. "Arsyeja pse krijuesit dhe botuesit pothuajse janë dorëzuar karshi një dukurie të tillë është neglizhenca e madhe nga autoritetet dhe departamentet e krijuara, pikërisht për të luftuar këtë problem dhe nuk kanë bërë ndonjë punë, e cila të jep arsye që të bësh më shumë në këtë drejtim", ka thënë Zeneli.

(Kosova Sot)
 

20 orë e 15 minuta më parë