MË SË PAKU INVESTOHET NË TRASHËGIMINË SHPIRTËRORE

  • 21 October 2017 - 13:46
MË SË PAKU INVESTOHET NË TRASHËGIMINË SHPIRTËRORE


ME SHKAS FUTJEN E ASETEVE TË REJA NË LISTËN PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME

Nëse nuk ndahen buxhete për investime në trashëgimi kulturore, është krejt e kotë

Shkruan: Avdi Rudaku

"Trashëgimia shpirtërore nuk është as e arkivuar në mënyrë të plotë e sistematike, as realizuar në dokumentarë të shumtë, cd dhe forma më të zhvilluara tekniko-teknologjike të kohës së sotme. Kjo trashëgimi është studiuar më pak dhe ka pasur më pak literaturë për të"


Trashëgimia kulturore materiale dallon në mënyrën se si qëndron në raport me trashëgiminë shpirtërore edhe për nga vetë emërtimi i saj. Ndonëse trashëgimia kulturore materiale është dëmtuar skajshëm, ajo megjithatë ka qenë më e dokumentuar, më e ruajtur dhe më e prekshme edhe për qytetarët, edhe për zyrtarët përgjegjës për mirëmbajtjen e kësaj trashëgimie. Ndërsa trashëgimia shpirtërore ka qenë e ruajtur copëza-copëza, e manifestuar në ndonjë festë kombëtare apo festë tjetër kalendarike; në ndonjë ndejë private a familjare. Trashëgimia shpirtërore nuk është as e arkivuar në mënyrë të plotë e sistematike, as realizuar në dokumentarë të shumtë, cd dhe forma më të zhvilluara tekniko-teknologjike të kohës së sotme. Kjo trashëgimi është studiuar më pak dhe ka pasur më pak literaturë për të. Për të folur rreth trashëgimisë shpirtërore, morëm shkas edhe vendimin e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, për Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme për vitin 2017- 2018, ku ndër të tjerash, janë futur: "Vallet e Karadakut, Jeta dhe Veprimtaria gojore e Xhemajl Abrisë, Kërcimet e Drenicës, Sofra Pejane, Ushqimet tradicionale dhe Lojëra tradicionale." Të gjitha këto pasuri shpirtërore e kolektive janë të rëndësishme jo vetëm të jenë në mbrojtje të përkohshme, por në mbrojtje të përhershme. Janë kapital shpirtëror me veçanti lokale e regjionale. Vallet e Karadakut janë karakteristikë për Anamoravën, Xhemajl Abria dhe kërcimet e Drenicës nga rajoni i Drenicës, dhe sofra pejane nga Peja. Për vallet e Karadakut ka mendime sikur më thoshte një antropolog kosovar, se më mirë do të ishte të thuhet "vallet në Karadak" sesa "vallet e Karadakut", meqë mund të shtrihen përtej Karadakut dhe përtej kufijve aktualë të Kosovës, duke u shtrirë në Maqedoni e Serbi. Ndërsa të tjerë mbrojnë qëndrimin se nuk ka nevojë të tëhollohet kjo çështje, si "vallet e Karadakut", si "vallet në Karadak"! Sa i përket sofrës pejane, janë disa dilema të tjera. Nuk është e njohur vetëm sofra pejane, por edhe sofra gjakovare. Realisht ka pasur në shumicën e shtëpive kosovare sofra, tryeza të rrumbullakëta ku uleshim përreth saj, mbulonim gjunjët me një mbulojë nën sofër, për ruajtjen nga stërpikjet e rrobave me ushqim apo për të mos u shpërndarë shumë trohat e bukës, por në Gjakovë e Pejë janë zhvilluar sofra të ushqimit, rakisë e muzikës. Ato janë bërë të veçanta se janë momente të relaksimit, këndimit e çlirimit emocional, duke u kënduar këngë të ndryshme, besa edhe ashikie. Kam dëgjuar se sofra pejane është më e vjetër, por pavarësisht kësaj, tashmë sofra gjakovare sikur sofra pejane, janë bërë pjesë e trashëgimisë shpirtërore. Prandaj, sikur sofrën pejane, ashtu edhe gjakovare, do ta bëja së bashku nën një togfjalësh, për futjen në listën e trashëgimisë kulturore me mbrojtje të përkohshme: sofra pejane-gjakovare. Dyja sofra do të duhej të ruheshin, qofshin me ngjashmëri të plotë apo dallime të vogla; qofshin sofra të ndikuara nga njëra apo tjetra; qoftë njëra sofër shumë më e vjetër, si ajo pejane, etj. Sa i përket trashëgimisë me fjalë të urta, mesele apo anekdota popullore, e veç- mas njohja me veprimtarinë pleqnuese të Xhemajl Abrisë, edhe kjo është e mirëseardhur. Ndër librat e fundit për këtë personazh e kemi një shtypshkronjë dhe shtëpi botuese private, por mund të bëhen edhe libra të tjerë!

MODELI I RUAJTJES SË TRASHËGIMISË SHPIRTËRORE

E përsërisim që trashëgimia shpirtërore është e paruajtur në mënyrë të sistemuar, jo e mirëorganizuar si arkiv. Për dallim nga një objekt apo monument, që duhet ruajtur nga shiu, stuhia, prishja nga ndryshku apo plasaritja nga tërmeti, trashëgimia shpirtërore mund të ruhet përmes arkivimit me cd, usb (edhe ruajtja e xhirimeve e shiritit filmik është e ndjeshme), botime librash, sponzorim të veçantë për aktivitete kulturore rreth valleve, këndimit rreth sofrës, etj. Për këngët muzikore, si për të famshmen Tefta Tashko, në Itali ruhen akoma disqet origjinale të zërit të Tashkos. Ashtu duhet të ruhen në mënyrë të plotë dhe origjinale, të gjitha regjistrimet e valleve shqiptare dhe ato të Kosovës, duke u ruajtur sikur ruhen të folurat lokale nga albanologu i ndjerë Robert Elsie. Imagjinoni një faqe interneti apo databazë, ku ruhen të gjitha vallet, emërtohen, shkruhen karakteristikat e tyre në mënyrë profesionale dhe secili prej nesh ka mundësi të njoh dallimet rajonale të valleve të ndryshme, sikur është vallja e Karadakut. Mund të bëhen edhe gjëra më të thjeshta, por shumë me vlerë, sikur dokumentari i Fondacionit suedez - Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB). "CHwB ka organizuar dy pilot aktivitete mbi trashëgiminë shpirtërore në Ferizaj dhe Gjilan në kuadër të Projektit të Përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës "Përkrahja për Promovimin e Diversitetit Kulturor"(PDKK Në dokumentar mund të shihen vallet e Karadakut, të luajtura nga burrat dhe trajnimet mbi këto valle të nxënësve parauniversitarë, duke dhënë një shembull se si shkollat mund t'i mësojnë nxënësit për zotërimin e këtyre valleve. Vallet e Karadakut, sikur tregohen edhe në dokumentar, kanë pasur kontekstin e tyre historik dhe lokal: "Vallet e Karadakut janë valle tradicionale burimore të lindura si rezultat i rrethanave specifike politike, ekonomike dhe shoqërore në regjion. Janë valle të veçanta në troje shqipfolëse, ku veçantia kryesore është ekspresiviteti i valltarëve dhe përjetimi gati në nivel të një loje teatrale. Këto valle janë përdorur për të shprehur kërkesën për liri dhe njëkohë- sisht trimërinë e komunitetit. Në fund të çdo valleje shprehet një dinamizëm i çlirimit apo shpërthimit të gëzimit, lumturisë dhe lirisë."(po aty, minuta 2:02). Po ashtu, linku i dokumentarit, na dërgon edhe në broshurën e rëndësishme që e ka botuar CHwB në tri gjuhë (shqip, serbisht dhe anglisht) vetëm për vallet e Karadakut. "Regjioni i Karadakut përfshin komunën e Gjilanit, atë të Vitisë, një pjesë të rajonit të Gollakut, disa fshatra të Kamenicës, Kaçanikut e deri në fshatin Mjak në kufi me ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë." Brenda broshurës tregohen tipet e ndryshmeve të valleve të Karadakut, shoqërohen me disa foto hapat e vallëzimit, etj. "Vallet e Karadakut kanë ngjashmëri mes vete sepse të gjitha kërcehen në tri takte. Ato ndahen në tri grupe të mëdha: 1. Vallet burrërore - të kapur shokë më shokë apo bel për bel; 2. Vallet e trimërisë - të kapur krah për krah; 3. Vallet lirike të kapur dorë për dore. Në kuadër të valleve burrërore hyjnë këto valle: vallja Deli Agushi, vallja Janja, vallja e Topallit, vallja e Çene Kalaja, vallja e çobanit, vallja e kaçakëve etj. Në kuadër të valleve të trimërisë bëjnë pjesë këto valle: vallja 2, 3 dhe 4, vallja e Gjilanit, vallja e Preshevës, vallja e Fujzës, vallja e Bilaçit, vallja e gajdes, etj. Në kuadër të valleve lirike bëjnë pjesë vallet e grave sikurse: vallja e Hatixhes, vallja pembe-pembe, vallja e Çerqekut, vallja e Hallës Maloke, etj." (po aty)


RUAJTJA E TRASHËGIMISË SHPIRTËRORE

Pasi veç u futën disa asete spirituale në listën e trashëgimisë kulturore me mbrojtje të përkohshme nga MKRS, tash e tutje, nuk duhet vetëm të figurojnë në këtë listë dhe pastaj të mendohet se tashmë do të ruhen sigurt. Nuk mjafton vetëm futja në listë, për ta shpëtuar një aset material e shpirtëror të trashëgimisë. Ngjashëm me faqet në internet të Robert Elsie-t, historisë gojore të Rrjetit të Grave të Kosovës (Prishtinë) dhe The New School for Public Engagement (New York), ashtu mund të ruhen, të regjistrohen dhe të publikohen onllajn edhe vallet e Karadakut, kërcimet e Drenicës, sofrat pejane-gjakovare, lojërat tradicionale, ushqimet tradicionale, etj. Aty mund të ruhen si tekst, si audio, si audio-vizual, etj. Mund të shtohen edhe ndryshimet e reja koreografike-popullore, në rast se dikush fillon t'i modelojë e përpunojë në forma kreative-artistike, duke u vendosur edhe regjistrime të reja audio-vizuale. Përveç kësaj forme të ruajtjes, mund të bëhet një muze vetëm për trashëgiminë shpirtërore, ku vizitorët do të mund t'i shihnin përmes multimedias së zhvilluar dhe teknologjisë bashkëkohore, duke u ulur e pushuar në stole brenda muzeut, përmes kufjeve, etj. Ka shumë modele të këtyre muzeve. Aty mund të vendoseshin në një projektor si ka qenë sofra pejane me dy-tri pika muzikore, sofra gjakovare, vallet e ndryshme të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe vallet e Karadakut, kërcimet e Drenicës, etj. Mbrojtja e trashëgimisë shpirtërore do të bëhej jo duke anashkaluar organizimet e sofrës pejane, nga drejtoria për kulturë e këtij qyteti, sikur ka ndodhur më herët.


 FUNDI PESIMIST

Për mua dhe shumë të tjerë nuk na jep shpresa të mbrojtjes së trashëgimisë shpirtërore vetëm se diçka futet në listë të trashëgimisë me mbrojtje të përkohshme apo të përhershme. Madje, ka pasur qindra objekte të mbrojtura edhe nga UNESCO dhe janë shkatërruar, apo janë vënë në rrezik. Nëse nuk merren masa konkrete, nuk ndahen buxhete për investime në trashëgimi kulturore, etj., është krejt e kotë!