< Jetët sekrete të Leonardo da Vinci-t - Kulturë - Kosova Sot
Jetėt sekrete tė Leonardo da Vinci-t

Jetėt sekrete tė Leonardo da Vinci-t

KRITIKË E LIBRIT "LEONARDO DA VINCI", TË SHKRUAR NGA WALTER ISAACSON

Biografia paraqet një njeri të obsesionuar me dituri dhe gati të pamundur për ta njohur

SHKRUAN: CLAUDIA ROTH PIERPONT

"Leonardo që prezantohet nga Isaacson është një figurë moderne, jo vetëm "një njeri", sikur që i pëlqen autorit të thotë, por edhe "ilegjitim, homoseksual, vegjetarian, mëngjarash, lehtë i shpërqendruar dhe herë-herë edhe heretik".


Në Firencen e Renesancës ekzistonin ca kuti të vendosura nëpër tërë qytetin, ku qytetarëve iu mundësohej që, në mënyrë anonime, të bënin denoncimin e shumë krimeve morale. P.sh, në vitin 1461, murgu artist Filippo Lippi ishte akuzuar se kishte bërë një fëmijë me një murgeshë. Por, krimi të cilin qeveria në fakt mundohej ta kontrollonte, ishte sodomia (homoseksualizmi, seksi anal, apo oral), e cila ishte aq e përhapur, sa që homoseksualët asokohe në Gjermani quheshin fiorentinas (Florenzer). Edhe pse i përhapur, ky krim ndëshkohej rëndë. Në vitin 1476, Leonardo da Vinci, pak pa i mbushur të 24-tat, ishte përmendur si njëri nga katër burrat që kishin bërë një krim të tillë me shegertin 17-vjeçar të një argjendari lokal. Nuk ka dyshim se Leonardo ishte arrestuar. Edhe pse koha që ai ishte mbajtur në burg mund të ketë qenë e shkurtër, si dhe edhe pse kjo akuzë ishte hedhur poshtë pas dy muajsh, për shkak të mungesës së dëshmitarëve bashkëpunues, ai kishte kohë të mjaftueshme që ta paramendonte ndëshkimin eventual: një gjobë të madhe, poshtërimin publik, ekzilin, djegien në turrë të druve. Nuk është e mundur të merret vesh mos kjo përvojë e artistit ndikoi te shprehia e tij e mëvonshme, që të blinte zogj në kafaz, vetëm për t'i lënë ata të lirë më pas. Por, ndikoi dukshëm në punën e tij gjatë disa viteve në vijim. Ai ka bërë vizatimin e një pajisjeje për hapjen e burgut nga brenda dhe të një tjetre për heqjen e grilave nga dritaret. Këto vizatime janë pjesë të një thesari të madh të vizatimeve dhe shkrimeve, të cilat zakonisht quhen "fletoret e Da Vincit", e që janë të shpërndara në disa vende.


 PUBLIKIMI I FLETOREVE TË DA VINCIT FILLOI GJATË FUNDIT TË SHEKULLIT XIX

Në këto fletore ai bënte shumë pyetje, sikur p.sh., pse qielli është i kaltër, apo si punon zemra, cili është ndryshimi i presionit të ajrit nën dhe mbi krahët e zogut, si dhe si mundet një zbulim i tillë t'i ndihmojë njeriut që të fluturojë. Në një fletore, ai i detyrohet vetes, duke thënë: "Përshkruaj se çka është teshtima, çka është hapagoja, çka është sëmundja, spazma, paraliza, djersitja, lodhja, uria, gjumi, etja, zilia". Ai donte të botonte libra, por nuk arrinte. Gjatë shekujve vijues humbën më shumë se gjysma e shkrimeve të tij. Por, edhe ajo që ka mbijetuar, është dëshmi e një mendjeje të shkëlqyer njerëzore. Kjo bën që biografët e tij ta kenë një detyrë të vështirë. Ka mosmarrëveshje edhe në lidhje me identitetin e gruas së njohur me emrin Mona Lisa, sikur që mbetet pa përgjigje pyetja, pse Leonardo kurrë nuk ia dha këtë portret burrit të Mona Lisës, i cili edhe e kishte porositur bërjen e tij. Publikimi i fletoreve të Da Vincit filloi gjatë fundit të shekullit XIX. Walter Isaacson, në fillim të biografisë së tij të re, me titull "Leonardo da Vinci" (Simon & Schuster), e përshkruan subjektin e tij si "shpikësin më të madh të njerëzimit", gjë që duket me vend, pasi që Isaacson duket ta ketë marrë idenë e shkrimit të këtij libri nga Steve Jobs, i cili ishte subjekt i një biografie paraprake të shkruar nga ai. Marrim vesh se Leonardo ishte heroi i Jobsit. Isaacson sheh një ngjashmëri midis këtyre dy njerëzve, meqë që të dy punonin në botën midis artit dhe shkencës, njerëzimit dhe teknologjisë, sikur që kishin bërë edhe subjektet paraprake të Isaacsonit, Benjamin Franklin dhe Albert Einstein. Përkundër të gjitha sfidave të veçanta që sjell ky libër, në aspektin historik dhe kulturor, Isaacson trajton një temë të njohur. Sikur gjithmonë, ai shkruan duke sintetizuar inteligjencën në një gamë të gjerë. Rezultat i kësaj është një prezantim i vlefshëm i një subjekti kompleks. Ai si pikënisëse i merr fletoret e Da Vincit, e jo vizatimet e tij. Kapitulli më i gjerë iu kushtohet studimeve të ujit, të bëra nga Leonardo - dredhjeve, vërshimeve, formimit të reve... dhe ai varet nga fletorja e vetme, që ka mbijetuar e plotë deri më tani, e që quhet "Codex Leicester". Kjo fletore aktualisht është në pronësi të Bill Gatesit

.
STUDIM RRETH KREATIVITETIT

Leonardo që prezantohet nga Isaacson është një figurë moderne, jo vetëm "një njeri", sikur që i pëlqen autorit të thotë, por edhe "ilegjitim, homoseksual, vegjetarian, mëngjarash, lehtë i shpërqendruar dhe, herë-herë edhe heretik". Leonardo i Isaacsonit ka fat që ka lindur ilegjitim, meqë nuk pritej nga ai që ta trashëgonte profesionin e të et, si noter. Ai ka edhe fatin që ta ketë vetëm një edukim minimal, në matematikë dhe shkrim, sesa të ishte i shkolluar sipas autorëve latinë. Në këtë mënyrë ai ishte i lirë që të mendonte në mënyrë kreative. Kjo biografi është studim rreth kreativitetit: si të definohet ai, si të arrihet pastaj. Përgjigja e Isaacsonit, që përsëritet shpesh, qëndron mu te refuzimi Leonardesk që të dallohet arti nga shkenca, observimi nga imagjinata dhe te arritja e 'kreativitetit kombinatorik'. Dhe, ky qëllim nuk është vetëm prerogativë e gjenisë, por të gjithë ne mund t'i qasemi atij. Isaacson tregon se, derisa ishte duke punuar në shkrimin e këtij libri, ai kishte mësuar si të ishte më i vëmendshëm. Ky libër sjell edhe risi. 565 vjet pas lindjes së Leonardo's, në vitin 1452, të paktën tani e dimë se kush ishte nëna e tij. deri më tani dihej vetëm emri i saj, Caterina.

(Kosova Sot) 

14 orë e 37 minuta më parë