Asnjë laborator modern për konservim të eksponateve

  • 24 October 2017 - 09:33
Asnjë laborator modern për konservim të eksponateve

TRASHËGIMIA KULTURORE NË GJENDJE TË KEQE 

Vokshi: Për fat të keq, deri më tash shumë pak është punuar në këtë drejtim

"Mund të themi me përgjegjësi se Kosova nuk ka laborator për trajtimin e eksponateve (qeramikë, metale, qelqe, tekstil, dru, etj.) të trashëgimisë kulturore", u shpreh arkeologu Shafi Gashi, aktualisht kryetar i Këshillit të Kosovës për Trashëgiminë Kulturore

Kosova ka një pasuri të madhe të aseteve të trashëgimisë, sidomos të eksponateve, dhe për çdo muaj pasurohet me të reja. Por, për fat të keq, nuk ka një laborator që do të shërbente për restaurim dhe konservim të këtyre eksponateve. Edhe ai ekzistues në kuadër të Muzeut të Kosovës është në gjendje të keqe dhe pothuajse i dalë nga përdorimi. Shkurtimi i fondeve nga ana e MKRS -së, që ishin paraparë për projektin për modernizimin e Laboratorit të Muzeut të Kosovës për konservim dhe restaurim, do ta shtyjë edhe më kohën e bërjes së vendit me një laborator modern për të trajtuar eksponatet e trashëgimisë në vend. Për ekspertët dhe njohës të fushës së trashëgimisë, vendit i duhen disa laboratorë modernë për restaurim të trashëgimisë. Përderisa zyrtarë të MKRS-së dhe ata të Muzeut flasin për projektin për modernizimin e laboratorit ekzistues të Muzeut të Kosovës dhe krijimin e të rinjve.

Gjendja e laboratorëve Arkeologu Shafi Gashi, aktualisht kryetar i Këshillit të Kosovës për Trashëgiminë Kulturore, ka thënë se aktualisht në Kosovë është vetëm një laborator që gjendet në Muzeun e Kosovës. Por, ky laborator nuk është në gjendje aspak të mirë, pasi, siç ka thënë Gashi, pajisjet e tij janë të prishura dhe të amortizuara. "Mund të themi me përgjegjësi se Kosova nuk ka laborator për trajtimin e eksponateve (qeramikë, metale, qelqe, tekstil, dru, etj.) të trashëgimisë kulturore. Po ashtu, kemi nevojë edhe për resurse profesionale humane", ka thënë arkeologu Gashi, duke shtuar se MKRS-ja duhet urgjent të merret në radhë të parë me ndërtimin e një depoje me standarde profesionale ku do të ruheshin eksponatet e trashëgimisë kulturore, si dhe ndërtimin e laboratorëve profesionalë në mënyrë që të ndërpritet dëmtimi i eksponateve. Kurse në një prononcim për "Kosova Sot", Ylber Vokshi, arkitekt dhe ekspert në fushën e trashëgimisë, ka thënë se shteti nuk duhet të kursehet për bërjen e një infrastrukture për trashëgiminë dhe në aftësimin e kuadrove profesionale, sidomos, siç ka thënë ai, edhe në krijimin laboratorëve .

"Për fat të keq, deri më tani shumë pak është punuar në këtë drejtim në vitet e pasluftës, edhe ato kapacitete ekzistuese nga e kaluara shumë pak janë shfrytëzuar në hulumtime dhe mirëmbajtje të tërë asaj trashëgimie me të cilën është e pasur Kosova", ka thënë ai. Sipas tij, në kohën e fundit po vërehen disa lëvizje pozitive, si dërgimi në disa qendra ndërkombëtare për specializim i ekspertëve tonë të rinj si është rasti në Shqipëri (Gjirokastër) apo në Izrael. 

Shkurtimet buxhetore

Në anën tjetër, drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj, duke folur për gjendjen dhe projektin për laboratorin e Muzeut të Kosovës për restaurim dhe konservim, ka thënë se Muzeu është në fillim të zbatimit të projektit për zgjerimin e laboratorit dhe të funksioneve që i kryen. Ai ka thënë se deri më tani është trajtuar qeramika, ndërsa pjesa e metaleve, pjesa e numizmatikës, dhe materialeve të tjera që janë në koleksionet e Muzeut të Kosovës nuk kanë pasur një hapësirë të duhur.

"Ne i kemi dedikuar hapësirat, kemi bërë dizajnimin tyre, dhe jemi në proces të përzgjedhjeve të instrumenteve, pajisjeve dhe solucioneve të ndryshme, të cilat janë të nevojshme për fazën e parë për të pasur laboratorin plotësisht në funksion", ka pohuar drejtori Boshtrakaj, duke shtuar se në kuadër të këtij projekti, planifikohet edhe një hapësirë shtesë për prezantim dhe shitje të replikave të eksponateve, të cilat menaxhmenti i Muzeut do të vendosë për shitje. Ndërsa ka thënë se plani për laboratorin nuk do të mund të zbatohet ashtu siç ishte nisur, pasi, siç ka thënë ai, ka ndodhur një shkurtim buxhetor dhe ky shkurtim ka bërë që të riplanifikohet projekti.

"Por, po shpresojmë që në buxhetin e vitit 2018 të ecim paraparë me të. Kështu që, deri në fund të vitit do të operojmë me mjete që janë dhe llogarisim që me mjete e 2018-s ta rrumbullakojnë projektin për laboratorin", ka thënë Boshtrakaj. Po sipas tij, Muzeu planifikon që në laborator do të ketë edhe një hapësirë të dedikuar për ruajtjen e dokumenteve të rëndësisë së veçantë, ndër të tjerash, me prioritete të veçantë edhe Deklaratën e Pavarësisë. Kurse Samir Hoxha, këshilltar i lartë politik i ministrit të Kulturës, në një prononcim për "Kosova Sot", ka konfirmuar se në planin e Ministrisë është edhe themelimi i disa laboratorëve. 

(Kosova Sot)