Shpendi braktis "DODONËN"

  • 25 October 2017 - 10:22
Shpendi braktis

"Në fillim të qeverisjes së Shpend Ahmetit në Komunën e Prishtinës, Teatri "Dodona", si i vetmi në Kosovë i themeluar për fëmijë dhe të rinj, u injorua dhe u braktis në mënyrën më përbuzëse, thuajse është një institucion i atyre që kanë shkuar nga këtu", është shprehur Mustafë Halili

Komuna e Prishtinës e ka lënë jashtë vëmendjes Teatrin e Qytetit "Dodona". Renovimi i stërzgjatur dhe në pjesën më të mirë të sezonit artistik, lënia pa drejtor dhe pa pjesën tjetër, siç parashihet me ligj, po e zbeh gjithnjë e më shumë rëndësinë dhe rolin që kishte dhe ka ky teatër për zhvillimet kulturore në kryeqytet. Për dekada me radhë ky teatër ka qenë një çerdhe e edukimit të fëmijëve për teatrin dhe skenën teatrore në përgjithësi, duke u bërë teatri më i njohur në vend. Bile, vetëm pak vite më parë "Dodona" sa i përket shikueshmërisë linte prapa edhe Teatrin Kombëtar, e lëre më teatrot e qyteteve kosovare. Për njohësit e zhvillimeve kulturore në kryeqytete dhe historikut të këtij teatri, trajtimi që Komuna po i bën teatrit të saj është për çdo kritikë.

Komuna nuk e ka mbështetur asnjë projekt për "Dodonën" Në një prononcim për "Kosova Sot", Mustafë Halili, ekspert në menaxhimet kulturore, ka thënë se që në fillim të qeverisjes së Shpend Ahmetit në Komunën e Prishtinës, Teatri "Dodona", si i vetmi në Kosovë i themeluar për fëmijë dhe të rinj, u injorua dhe u braktis në mënyrë më përbuzëse, siç ka potencuar ai, thuajse është një institucion i atyre që kanë shkuar nga këtu. Mustafa ka thënë se vetë Ahmeti nuk mori për bazë punën e mirë që ishte bërë nga ish- Këshilli Drejtues i "Dodonës", pjesë e të cilit ishte edhe Halili, sipas të cilit deri me ardhjen e Shpend Ahmetit në krye të Komunës Këshilli kishte bërë punë të mirë, duke hartuar Draft Statutin e këtij Teatri, që përcakton Statusin e tij, në bazë të Ligjit për Teatrot dhe elaboratin detal për funksionimin e këtij institucioni si Teatër profesional me të gjitha implikimet buxhetore të Komunës që ishin mjaft modeste. "Asnjëherë askush nga 'dinastia' e Shpend Ahmetit nuk erdhi dhe as që na pyeti se pse jemi ne aty (në Këshill). Kërkuam takim disa herë, vetëm një herë u takuam në zyrën e tij 15 minuta", ka thënë ai, duke pohuar se më pas e shkarkoi Këshillin, para afatit, pa asnjë vendim me shkrim dhe formoi Këshill tjetër. Më pas Mustafa ka thënë se për vite Komuna nuk e ka mbështetur asnjë projekt për "Dodonën", siç ka thënë ai, një institucion të themeluar para 40 vjetësh, të cilin e futi në një thes me OJQ të ndryshme, pastaj duke emëruar këshill pas këshilli dhe drejtor pas drejtori, duke e kandisur "Dodonën" në këtë gjendje, një institucion kaq specifik për Prishtinën dhe Kosovën.

Pagat mizerabël Halili ka drejtuar akuza në adresë të Komunës së Prishtinës edhe për renovimin e "Dodonës", në kohën kur realisht duhet të niste sezonin artistik, sepse, siç ka thënë ai, është duke u renovuar me 'llaç elektoral', pasi rinia tani Shpendit dhe shokëve u duhet nëpër kafene për të organizuar "parti" e jo në teatër. Po sipas tij, "Dodona" është rinovuar tri herë deri tani dhe ato mjete që janë ndarë për renovimin e saj, më mirë do të ishte të shkonin për projekte ose rritje të pagave të punëtorëve të saj, pasi, siç ka potencuar Halili, ato i kanë mizerable. Edhe për kritikun Ilir Muharremi, profesor universitar, gjendjen aktual në të cilën po kalon teatri "Dodona" është për keqardhje. Pasi, sipas tij, dikur "Dodona" ishte një teatër me reputacion të madh, dhe një publik që tejkalonte atë të Teatrit Kombëtar. "Dikur Teatri 'Dodona' kishte më shumë se TKKja, menaxhim profesional dhe, sidomos kur udhëhiqej nga Faruk Begolli, i cili dha kontribut të madh edhe ndaj studentëve, dhe shfaqjet që i bënte enkas për studentët dhe publikun", ka pohuar ai, duke shtuar se për vit në "Dodonë" është bërë një punë dhe një traditë shumë e mirë. Komuna e Prishtinës nuk ka kthyer përgjigje për pyetjen e dërguar. Isa Vatovci

 

(Kosova Sot)