Studiuesit nga vendet gjermanistike PËRCAKTUAN SHKENCËRISHT AUTOKTONINË E SHQIPTARËVE

  • 27 October 2017 - 09:09
Studiuesit nga vendet gjermanistike PËRCAKTUAN SHKENCËRISHT AUTOKTONINË E SHQIPTARËVE

Dhjetëra albanologë shqiptarë dhe të huaj kanë zbarkuar të enjten në Prishtinë për të marrë pjesë në Konferencën shkencore ndërkombëtare "Studimet albanistike në vendet ku flitet gjermanishtja", e cila është organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Konferenca po mbahet në Ndërtesën e ASAH-ut, ndërsa do t 'i vazhdojë punimet edhe gjatë ditës së sotme. Akademikët shqiptarë dhe të huaj edhe një herë çmuan lart kontributin e gjuhë- tarëve gjermanofolës për shqipen dhe, siç u shprehën, ata hodhën bazat e para dhe të fuqishme për shkencën e albanologjisë. Duke mos harruar edhe të njohurin Robert Elsi, i cili ndërroi jetë kohë më parë.

Nderohet Elsi

Duke veçuar kontributin dhe punën e shkencëtarëve gjermanofolës, studiuesit pjesëmarrës në këtë konferencë çmuan rezultatet shkencore të tyre, duke pohuar se ata ishin të parët që trasuan rrugën albanologjike. Përveç kësaj, ata thanë se ishin studiuesit nga vendet gjermanistike që përcaktuan shkencërisht autoktonin e shqiptarëve dhe vazhdimësinë e gjuhës shqipe nga ilirishtja, si dhe të qenit e saj pjesë e gjuhëve indoevropiane. U çmua roli i Hanit, Joklit, Bopit, Majerit etj., shkencëtarë të albanologjisë, të cilët me rezultatet e tyre shkencore e vënë në vend shqipen, historikun dhe vjetërsinë e saj. Konferenca u hap nga akademik Eqrem Basha, i cili pasi foli për konferencën dhe qëllimin e saj, foli edhe për kontributin që ka dhënë Robert Elsi, jo vetëm për gjuhësinë shqiptare, por në organizimin e kësaj konference. Ai ka thënë se pjesë e këshillit organizativi ishte edhe Elsi, i cili në fillim të këtij muaji u nda nga jeta. "Elsi ishte një filolog, njohës i gjuhëve të gjalla dhe klasike. Elsi herët u interesua për gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare dhe tërë jetën e tij ia kushtoi studimit të shqipes", ka thënë Basha, duke kujtuar edhe punën që ka bërë Elsi për shqipen, historinë e shqiptarëve dhe kulturën e tyre. Më pas akademikët mbajtën një minutë heshtje për Elsin.

Diskutime, studime të gjithanshme për kulturën dhe gjuhën shqipe

Akademik Rexhep Ismajli, në kumtesën e tij "Studimet albanistike në vendet ku flitet gjermanisht" ka veçuar kontributin që kanë dhënë gjuhëtarë të shumtë, sidomos që nga periudha e Austrohungarisë dhe më pas për shqipen dhe rreth shqipes. Akademik Ismajli përmendi emrat e njohur të albanologjisë nga bota gjermanofolëse dhe rëndësinë e punës së tyre shkencore, si të Norbert Joklit dhe qendrat e ndryshme ku u publikuan këto rezultate."Në këto rrjedha roli i Noklit për shqipen do të jetë themelor jo vetëm në botën gjermanofolëse. Dhe me krijimin e Shtetit Shqiptar po vinte edhe brezi i studiuesve që kishin marrë njohuri në qendrat e ndryshme evropiane të shkencës", ka thënë ai, ndër të tjera. Ismajli ka thënë se në botën gjermanishtfolëse janë shtuar ide, diskutime, studime të gjithanshme për kulturën dhe gjuhën shqipe. Ndërsa, gjuhëtari Bardhyl Demiraj, nga Munihu, duke folur në kumtesën e tij "Qendra albanologjike në Munih", ka veçuar punën e madhe që ka bërë Martin Camaj për mbajtjen gjallë të studimeve albanologjike dhe Katedrës së studimeve për shqipen në Munih. Duke veçuar edhe problemet që dalin sot pikërisht për mbajtjen gjallë të saj. Por, mbi të gjitha, sipas tij, pavarësisht të gjithave, në Munih është bërë dhe po bëhet një punë e mirë në studimet albanistike, duke nxjerrë dhe përcjellë edhe shumë studiues. Por, edhe për imazhin e shqiptarëve dhe shteteve të tyre."Dega e Albanologjisë me elektoratin e saj luan një rol jo të vogël për përhapjen e një imazhi për Shqipërinë, Kosovën dhe gjithë hapësirën shqipfolëse në Perëndim, duke shërbyer si urë lidhëse me politikat shkencore dhe universitare. Por, edhe në disa raste është dashur të marrë avokatin mbrojtës, qoftë për prurjet shkencore shqiptare apo edhe për figura si Skënderbeu", ka thënë ai. Folën edhe studiues të tjerë, si: Klaus Steinke, Helmut Wilhelm, Heiner Eichner, Sit Mansaku, Wilfred Fidler etj.

(Kosova Sot)