Pas Teatrit, Filarmonia e të tjerët kërkojnë rritjen e pagave

  • 28 October 2017 - 12:23
Pas Teatrit, Filarmonia e të tjerët kërkojnë rritjen e pagave

ME SHKAS GREVËN E AKTORËVE TË TEATRIT KOMBËTAR TË KOSOVËS

Kërkesat e tyre janë edhe reale, në kuptimin e përmirësimit të financave të performuesve kulturorë

SHKRUAN: AVNI RUDAKU

Përnjëmend aktorët e TKK-së duhet të kenë mirëqenie më stabile financiare. Nuk mund të rriten pagat për të gjithë, e kur është fjala për performuesit e kulturës, të mos përmenden fare. Janë rritur pagat e të gjithë shërbyesve civilë, mësimdhënësve, etj., ndërsa pagat e performuesve kulturorë, kurrë nuk kanë qenë aq të qarta, e lëre më të gradohen.

KUSH PO PROTESTON?

Aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës (TKK) kanë vendosur të jenë në grevë, duke kërkuar rritjen e pagave në nivel të profesorëve universitarë, që i bie, të paktën kjo pagë të mos binte nën 1 mijë euro. Në intervistën për një portal kosovar, një aktor grevist i TKK-së, theksoi se paga aktuale neto e një aktori është 298 euro. Sipas rregullores Nr.05/2011 për Gradimin dhe Pagat e Krijuesve dhe Performuesve të Kulturës dhe Punonjësve Profesionalë Të Trashëgimisë Kulturore, përcaktohen këto paga për performuesit e kulturës dhe profesionistët: "1.1. Drejtori artistik 450.00 €; 1.2. Të parët e teatrit 420.00 €; 1.3. Aktorët e dëshmuar 400.00 €; 2.1. Trupa rezidente 350.00 €; 2.2. Dramaturg 340.00 €; 2.3. Skenografë 330.00 €; 2.4. Kostumograf 320.00 €; 2.5. Ispicient 310.00 €; 2.6. Pëshpëritës 300.00 €; 3.1 .Udhëheqësit tekniko artistik 280.00 €; 3.2. Punëtorët tekniko artistik 250.00 €..." Por me këtë rregullore, Ansambli i Baletit, i Valleve, ka edhe më pak: 270 euro për një anëtar të saj. Pastaj vijnë pagat e Galerisë së Arteve: dizajneri 300 euro; fotografi profesional 250 euro, e kështu me radhë. Paga thuajse të ngjashme kanë edhe punonjësit profesionalë dhe performuesit e kulturës në Filarmoninë e Kosovës dhe të gjitha institucioneve vartëse të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport. Nëse do të plotësoheshin kërkesat e grevistëve të TKK-së, realisht do të pritej edhe greva për rritjen e pagave nga Filarmonia, Baleti, Ansambli i Valleve, etj.

KËRKESA REALE

Përnjëmend aktorët e TKK-së duhet të kenë mirëqenie më stabile financiare. Nuk mund të rriten pagat për të gjithë, e kur është fjala për performuesit e kulturës, të mos përmenden fare. Janë rritur pagat e të gjithë shërbyesve civilë, mësimdhënësve, etj., ndërsa pagat e performuesve kulturorë, kurrë nuk kanë qenë aq të qarta, e lëre më të gradohen. Është krejt e paarsyeshme me politikanët kosovarë, të cilët u premtojnë dhe ua realizojnë rritjet e pagave, vetëm disa kategorive, e disa i lënë krejt në shpërfillje institucionale. Pasojat e rritjeve së pagave vetëm për fushata elektorale, janë të manifestuara edhe me grevën e aktorëve të TKK-së. S'po flasim këtu edhe për përfoljet se janë të motivuar për këtë apo atë, sikur u shpreh sindikata teatrore në medie, por në përgjithësi, performuesit e kulturës janë lënë më së fundi në Kosovë. Kjo është e padrejtë! Prandaj, kërkesat e tyre janë edhe reale, në kuptimin e përmirësimit të financave të performuesve kulturorë!

PAGAT E AKTORËVE TË TEATRIT KOMBËTAR DHE TEATRIT TË QYTETIT

Aktorët e Teatrove të Qyteteve po ashtu kanë protestuar jo për rritjen e pagave, por për të marrë ato që u janë caktuar si subvencione, të cilat i llogarisin edhe si paga. Aktorët e Teatrit të Qytetit, aktualisht janë të kënaqur nëse subvencionet i marrin me kohë dhe komunat nuk u mbesin borxhlinj për disa muaj. Realisht zgjidhja e pjesshme e problemit të financimit të TKK-së, nuk do të ishte korrekte nëse nuk zgjidhen edhe problemet e Teatrove kryesore të qyteteve të Kosovës. Përveç pagës së ulët, nuk e marrin me rregull dhe nuk parashihet po ashtu të jetë pagë, por subvencion në bazë të projekteve të caktuara. Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, ka dështuar të gjejë zgjidhje të qëndrueshme e të përshtatshme për pagat e aktorëve të TKK-së dhe po ashtu duke lënë në mëshirë të komunave, bile teatrot kryesore të qyteteve të Kosovës.

TEATRI KOMBËTAR I KOSOVËS ME KOD TË VEÇANTË BUXHETOR

TKK është institucion vartës i MKRS-së dhe ministria është përgjegjëse edhe për financat e këtij institucioni më të lartë teatror në vend. Madje, TKK ka edhe kod të veçantë buxhetor. Me Ligjin për Teatrot, përcaktohet qartë: "3. Teatri Kombëtar i Kosovës ka kod të veçantë buxhetor dhe menaxhon me buxhetin e vet. 4. Teatri Kombëtar realizon së paku pesë (5) premiera gjatë vitit." Sikur edhe shihet, TKK mund të kërkojë rritjen e buxhetit dhe më pastaj të ndryshohet rregullorja për Gradimin dhe Pagat e Krijuesve dhe Performuesve të Kulturës dhe Punonjësve Profesionalë të Trashëgimisë Kulturore. Nëse një institucion ka kod të veçantë buxhetor, i bie se ka shkallë të lirisë më të madhe për të menaxhuar paratë se si vetëdëshiron. Ligjërisht i bie se aktorët e TKK-së në kërkesën e tyre do të duhej të kishin kërkesë për rritjen e pagave, ndryshimin e rregullores dhe rritjen e buxhetit të TKK-së, në mënyrë që të mundësohet rritja e pagave të tyre.

TEATRI KOMBËTAR ME 30 AKTORË

Po i llogarisim 30 paga për çdo muaj, të paktën me nga 300 euro dhe nëse do të zbatohej ligji që duhet të jenë 30 aktorë si pjesë e ansamblit teatror, atëherë i bie se 9 mijë euro vetëm për pagat mujore të aktorëve, pa përfshirë edhe drejtorin artistik, gradimet e aktorëve sikur i parasheh rregullorja, etj. Teatri Kombëtar dhe teatrot e qyteteve zakonisht e kanë shkelur nenin i cili e përcakton numrin e aktorëve rezidentë. Me nenin 4 të Ligjit për Teatrot, thuhet: "Teatrot kombëtare duhet ta kenë ansamblin rezident prej së paku tridhjetë (30) aktorëve." Ndërsa për teatrot e qyteteve, është bërë një lajthitje gjuhë- sore-ligjore, sepse në vend të 'duhet', është thënë 'mund të ketë', duke u ngatërruar domosdoshmëria me mundësitë.

GRADIMI I AKTORËVE DHE PAGAT E TYRE Rregullorja nr.05/2014 për Themelimin dhe Funksionimin e Ansamblit Rezident të Aktorëve (ARA) të Teatrove kombëtare dhe Teatrove të Qyteteve, i kategorizon aktorët në disa grupe. "Aktorët e ARA kategorizohen në: 1.1. Të parët e teatrit; 1.2. Aktorët doajenë; 1.3. Aktorët. Të parët e teatrit kanë kontratë të përhershme të punës, të cilën mund ta marrin pasi të kenë kaluar së paku 35 (tridhjetë e pesë) vjet përvojë pune si aktorë, të kenë arritur moshën 60 (gjashtëdhjetë) vjeçare dhe të kenë numër të konsiderueshëm të roleve të para, me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare dhe me vlerësime pozitive nga kritika profesionale dhe audienca teatrore. Aktorët doajenë kanë kontratë të përhershme të punës, të cilën mund ta marrin pasi të kenë kaluar së paku 25 (njëzet e pesë) vjet përvojë pune si aktorë, të kenë arritur moshën 50 vjeçare dhe të kenë numër të konsiderueshëm të roleve të para, me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare dhe me vlerësime pozitive nga kritika profesionale dhe audienca teatrore. Aktorët që kanë kontratë të rregullt punë si aktor në ARA, në momentin e miratimit të kësaj Rregulloreje, marrin kontrata katërvjeçare me mundësi të vazhdimit të atyre kontratave, sipas suksesit dhe angazhimit të treguar. Aktorët që pranohen përmes Konkursit publik dhe audicionit pas miratimit të kësaj Rregulloreje marrin kontrata dy vjeçare me mundësi të vazhdimit të atyre kontratave edhe për dy vjet të tjera, sipas suksesit dhe angazhimit të treguar..."

REAGIMI I MINISTRISË, PA PROFESIONALIZËM

Është thënë për medie nga MKRS-ja se, rritja e pagave të aktorëve nuk mund të bëhet me këtë buxhet të këtij viti, pasi ky veçse është miratuar, por pritet gjatë vitit të ardhshëm. Fatkeqësisht vazhdon tradita e papërgjegjësisë, duke mos llogaritur mirë deklaratat publike dhe duke mos njohur më thellësisht problemet me pagat e të gjithë aktorëve në nivel vendi. Së pari, MKRS-ja duhet ta kuptojë se problemi i aktorëve të TKK-së nuk është i vetmi. Pastaj, nuk janë vetëm aktorët që kanë probleme me paga të ulëta, por edhe stafi teknik dhe administrativ, të cilët punojnë me dekada në TKK dhe teatrot e qyteteve të Kosovës. Kërkesat e tyre po ashtu duhet të merren parasysh. Së dyti, MKRS-ja duhet ta kuptojë se me të gjitha rregulloret e saj, pagat janë gati se të ngjashme për të gjithë punonjësit kulturorë e profesionalë në institucionet e saj vartëse. Së treti, nuk mund të përkrahet TKK, e jo Baleti i Kosovës, apo Filarmonia, etj.! Kush e përcakton se cili institucion është më i rëndësishëm?! Vetëm popullariteti i saj në audiencë, apo edhe vlerat që përçojnë këto institucione veç e veç dhe plotësojnë njëri-tjetrin?! Të gjitha këto institucione janë vartëse të TKK-së dhe duhet të gjitha të kenë trajtim të duhur. Mos të harrojmë se shpesh aktorët më shumë bëhen prioritet i MKRS-së, sesa p.sh., artistët vizualë, apo balerinët. Së katërti, MKRSja duhet të marrë masa të përmirësimit të statusit socio-ekonomik për të gjithë performuesit e kulturës dhe partiakizimit. TKK-ja është politizuar zakonisht në përzgjedhjen e drejtorit artistik dhe atij të përgjithshëm; mënyrën se si rekrutoheshin punonjësit e saj, etj. TKK-ja duhet të merret seriozisht me kërkesat e aktorëve grevistë, por edhe të angazhohet seriozisht në zgjidhjen e problemit financiar jo vetëm të TKK-së, por edhe të interesohet për teatrot e qyteteve, e jo vetëm se kështu ka vendosur ligji, të mbesin në kujdesin vetëm të komunës. Komunat janë shfaqur neglizhente, të pafuqishme e tjerë e tjerë, në përballimin e funksionimit vjetor e të qëndrueshëm të teatrove të qyteteve. Shumica e këtyre teatrove mbesin edhe me probleme menaxheriale e financiare. Pozitat e drejtorit të teatrit politizohen dhe në vend të sjelljes së tyre me konkurs real publik, përzgjedhen përmes politikës partiake. Shihni teatrin e qytetit të Gjilanit, duke shkuar gati krejt mandati, me ushtrues detyre, paligjshëm! Po ashtu, mund të jetë nesër në grevë edhe Filarmonia, Baleti, Ansambli i Valleve, Instituti Arkeologjik, etj.

(Kosova Sot)