Tradita mijëvjeçare e folklorit, në rrezik

  • 31 October 2017 - 09:46
Tradita mijëvjeçare e folklorit, në rrezik

ZHVILLIMI I TRADITËS FOLKLORIKE SHQIPE NË SHEKULLIN E GLOBALIZIMIT

Kryeziu: Rreziku po vjen, institucionet ta mbrojnë folklorin 

"Pavarësisht mendimeve të individëve të ndryshëm, të cilët vënë në dyshim ekzistencën e materialit folklorik, unë mendoj se kjo pasuri etnokulturore po vazhdon të shfrytëzohet kulturalisht nga shoqëria jonë. Folklori në përgjithësi po vazhdon të krijohet, bartet, e zhvillohet, domosdoshmërish jashtë konturave nacionaliste dhe me hapa të koordinuar me zhvillimin e përgjithshëm shoqëror", ka thënë etnomuzikologu Visar Munishi

Tradita folklorike në Kosovë vazhdon të kultivohet, pavarë- sisht ndryshimeve të mëdha sociale që po përjeton shoqëria kosovare në dekadat e fundit. Ekspertët e etnomuzikologjisë japin vlerësime të ndryshme rreth zhvillimit të folklorit, duke shpjeguar edhe rrugën e këngës dhe të valles popullore në kushtet e reja të globalizimit. Duke mos heshtur edhe rreziqet që sipas tyre mund të rrezikojnë traditën folklorike në trevat e ndryshme të vendit, si rezultat i trendëve të rinj që po merr muzika. 

Marrja nën mbrojtje

Dilaver Kryeziu, etnomuzikolog, në një prononcim për "Kosova Sot", duke folur për këtë çështje, ka thënë se nevojitet një kujdes më i madh nga ana e shoqërisë kosovare për ta ruajtur dhe kultivuar traditën mijëvjeçare të folklorit shqiptar. Ai ka dhënë alarmin rreth rrezikut që po troket për folklorin, duke dërguar porosi për institucionet që ta ruajnë dhe ndihmojnë kultivimin e tij si dhe mediet që të kenë vëmendje më të madhe ndaj tij. Ai ka drejtuar kritika ndaj zyrtarëve institucionalë që merren me fushat muzikore për moskujdes dhe neglizhencë ndaj trashëgimisë shpirtërore, sidomos traditës etnomuzikore. Duke pohuar se shumëçka nga kjo trashëgimi duhet marrë nën mbrojtje të shtetit. "Folklori shqiptar sot gjendet buzë greminës! Janë disa organizatorë të festivaleve vendore që më sakrificë të madhe po bëjnë çmos që kjo pasuri të mos fundoset", ka thënë ai, duke kujtuar edhe punën e Institutit Albanologjik, i cili, sipas tij, duhet të bëjë edhe më shumë për folklorin, pasi kemi të bëjmë me kulturën e një populli shumë arkaik dhe kulturë dominuese në gadishullin ballkanik. 

Vazhdimësia në rrethana të reja

Visar Munishi, etnomuzikolog, ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot" se folklori shqiptar në Kosovë po vazhdon rrjedhën e vet të natyrshme të krijimit dhe bartjes, me luhatjet e veta në aspektin e sasisë dhe cilësisë. Sipas tij, pavarësisht mendimeve të individëve të ndryshëm, të cilët vënë në dyshim ekzistencën e materialit folklorik, kjo pasuri etnokulturore po vazhdon të shfrytëzohet kulturalisht nga shoqëria jonë."Kjo nuk do të thotë që folklori si materie e vazhdon rrugën e vet të krijimit e bartjes siç ka qenë dikur. Situatat e reja shoqërore dhe ndryshimet e shumë aspekteve të tjera që lidhen me jetën e përditshme kanë bërë që këto krijime të ndërrojnë kohën dhe hapësirën dhe të zhvendosen në kontekstin e sotëm të shoqërisë sonë", ka thënë ai, duke shtuar se me kontekstin e sotëm, në njërën anë, kuptoj mënyrën e krijimit të materies folklorike, format e reja të bartjes dhe jo vetëm ruajtjes së shumë zhanreve përmes shoqërive kulturore e artistike etj. Ndërsa, në anën tjetër, kemi krijime të reja urbane, të cilat nga teoricienët e kohës cilësohen si folklor, qofshin ato himne të grupeve të interesit të përbashkët, art i rrugës apo grafitit, te cilat shprehin kreativitetin e një përkatësie shoqërore e shumëçka tjetër."Folklori në përgjithësi po vazhdon të krijohet, bartet, e zhvillohet, domosdoshmërisht jashtë konturave nacionaliste dhe me hapa të koordinuar me zhvillimin e përgjithshëm shoqëror", ka thënë etnomuzikologu Munishi për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)