Gjërat që nuk i keni ditur rreth aktorit Anthony Hopkins

  • 31 October 2017 - 17:04
Gjërat që nuk i keni ditur rreth aktorit Anthony Hopkins

E FILLOI KARRIERËN NË SKENËN TEATRORE, POR SHUMË SHPEJT U MËRZIT

Hopkins kishte qenë i martuar tri herë

10. Mendimet rreth famës

Edhe pse tani është një aktor tepër i frytshëm, Hopkins kurrë nuk i ka matur fjalët kur ka folur rreth pakënaqësisë së tij me të qenit i famshëm. Në vitin 1998, ai kishte deklaruar se kishte ndërmend që të hiqte dorë nga aktrimi, me qëllim që ta ruante shëndetin e tij mendor. "Aktrimi është i dëmshëm për shëndetin mendor, nuk mund të duroj më", kishte thënë ai asokohe. Por, përkundër kësaj, ai vazhdoi karrierën. 

9. Përgatitja për role

Edhe pse Anthony Hopkins mund të mos jetë në tërësi i kënaqur me jetën e Hollivudit, ai vazhdon me të dhe në çdo rol ai angazhohet maksimalisht. Hopkins është i njohur për faktin që e lexon tekstin e roleve të tij disa herë, por gjatë xhirimeve ai urren të bëjë prova, dëshiron t'i bëjë të gjitha me të parën herë.

8. Jeta e hershme

Philip Anthony Hopkins lindi më 31 dhjetor të vitit 1937, në Margarm afër Port Talbot, Glamorgan. Prindërit e tij, Annie Muriel dhe Richard Arthur Hopkins, punonin në furrë të bukës. Anthony tregon se kur ishte fëmijë ai ishte keqtrajtuar nga fëmijët e tjerë. Interesimi për aktrim i kishte lindur në moshën 10-vjeçare, kur kishte marrë pjesë në një kurs të dramaturgjisë.

7. Edukimi

Një gjë të cilën aktori e pranon pa hezitim, është se nuk ka qenë nxënës dhe student i mirë dhe, shkolla ishte mundim i madh për të. Ai thotë se kishte problem për të mësuar dhe dyshon mos vuante nga ndonjë sëmundje. Ai thotë se ishte i fundit në klasë, për gjithç- ka, por kurrë nuk e la aktrimin. 

6. Rolet që nuk i mori

Anthony Hopkins ka luajtur shumë role të mëdha, por megjithatë i kanë ikur disa role të cilat kishte mundësi që t'i merrte. Njëra ndër franshizat më të mëdha, ku ishte përmendur emri i tij, si aktor, ishte ajo e agjentit sekret James Bond. Por, ai nuk arriti që ta merrte këtë rol, përkundër se ishte njëri ndër aktorët e preferuar. Atij i ishte kërkuar ta luante rolin e Alfred Pennyworthit në filmin e vitit 2005, "Batman Begins", por e refuzoi ato. 

5. Hannibal Lecter

Është e tepërt të thuhet se roli më i dalluar i këtij aktori, është ai i Hannibal Lecterit. Ai u paraqit së pari me këtë rol në filmin e vitit 1991 me titull "The Silence of the Lambs", për të cilin mori çmimin Oskar. Ajo që shumë fansa të tij nuk e dinë, është se, para se ta merrte atë rol, Hopkins kishte braktisur karrierën në Hollivud dhe ishte kthyer në Britani, për të luajtur në dramat e BBC-së. Por, pasi që e pranoi rolin e Hannibal Lecterit, karriera e tij sikur u kthye në binarë. 

4. Problemet me alkool

Fatkeqësisht, sikur edhe shumë aktorë të tjerë, Anthony Hopkins ka pranuar se kishte problem me alkool. Ai thotë se kishte pirë tepër për 15 vjet, para se ta kuptonte se çfarë problemi ishte bërë alkoolizmi i tij. Më pas, ai thotë se kishte arritur në një periudhë të caktuar të jetës, kur i duhej ose ta linte alkoolin, ose jetën. Kishte vendosur ta linte alkoolin. 

3. Jeta personale

Përgjatë viteve, Hopkins kishte qenë i martuar tri herë. Së pari ishte martuar me Petronelle Barkerin në vitin 1966, me të cilën lindën vajzën, Abigail Hopkins, para se të ndaheshin në vitin 1972. Një vit më vonë ai u martua me Jennifer Lyntonin, me të cilën qëndroi në martesë për rreth 30 vjet, deri në vitin 2002. Në vitin 2003 ai u martua me Stella Arroyaven, që merret me antikitete. 

2. Lëndimet gjatë xhirimeve

Me tërë këtë karrierë të pasur, Hopkins nuk mund t'iu ikte edhe lëndimeve në skenë. Në vitin 1996, Hopkins ishte duke punuar në filmin "The Edge" në Alberta, Kanada, kur rrëshqiti dhe ra në një lum të ngrirë. Ai u dërgua në spital për shkak të hipotermisë. Në vitin 1968, ai kishte pësuar një lëndim tjetër, gjatë punës në filmin "The Lion in the Winter", kur theu dorën.  

1. Pasuria neto

Sikur edhe shumë aktorë të tjerë të mëdhenj, Hopkins filloi karrierën në skenën teatrore, por shumë shpejt u mërzit nga rolet dhe filloi kalimin në film. Ai debutoi në film në vitin 1960, me një rol në serinë "A Matter of Degree". Gjatë karrierës së tij mendohet të ketë luajtur 132 role. Kjo karrierë e pasur në Hollivud i ka siguruar atij një pasuri neto prej 160 milionë dollarësh.

(Kosova Sot)