ASHAK-u "bluan" kot paratë e taksapaguesve kosovarë

  • 01 November 2017 - 09:29
ASHAK-u

AKADEMIA E SHKENCAVE DHE E ARTEVE E KOSOVËS E POLITIZUAR DHE NUK BËN ASGJË

Thaçi: Periudha e komunizmit ka krijuar një traditë të dëgjueshmërisë së akademikëve ndaj pushtetit
"Po, rrogat i kanë shumë të majme e nuk punojnë asgjë për të mirën e popullit. Unë nuk njoh ndonjë vepër të mirë që kanë shkruar. Emrin e kanë akademikë, por dituria e tyre nuk është në nivelin akademik. Derisa të kemi akademi politike e partiake, nuk ka shkencë të mirëfilltë dhe s'ka as përparime", ka thënë Zeqir Fazliu

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës vazhdon të shihet me sy kritik në vend, sidomos nga komuniteti kulturor, për pasivitet, si një institucion që nuk bën shkencë dhe që gjithmonë qëndron jashtë vendimeve të mëdha për vendin. Në shumë raste është e paqartë, sepse askush nuk mban mend që ky institucion të ketë qenë ndonjëherë prijës i ndonjë procesi në dobi të vendit, sidomos pas lufte. Ramadan Thaçi, krijues, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se njëra nga obligimet ligjore të Akademisë është ndërmarrja e veprimeve të interesit të veçantë për Kosovën dhe popullatën e saj. Pasi, ka thënë ai, shumë akademi fqinje në të kaluarën u kanë paraprirë ngjarjeve të mëdha të zhvillimeve ekonomike dhe ndryshimeve politike të shteteve të tyre, qoftë edhe me shpifje, propaganda dhe trillime.

"Unë nuk kam dëgjuar se Akademia jonë ka hartuar dhe ka bërë publik ndonjë plan madhor"

Më tej Thaçi ka thënë se njerëzit që punojnë në akademi konsiderohen superstruktura e inteligjencës së një populli, prandaj edhe populli e mbështet besimin për zhvillimin e tij te këto institucione, te këta njerëz akademikë. Por, ka vazhduar ai, periudha e komunizmit ka krijuar një traditë të dëgjueshmërisë së akademikëve ndaj pushtetit, në këmbim të mirëqenies së tyre financiare dhe akomodimit."Megjithëse akademikët janë kështu, ose duhet të jenë të tillë, secili institucion sot në Kosovë është politizuar, pra edhe Akademia përdoret nga politika për mbulimin e gabimeve të të tjerëve, por që kjo nuk duhet të ndodhte, mirëpo kur politika krijon dhe emëron akademikë, atëherë kuptohet edhe niveli intelektual dhe shkencor i këtyre akademikëve", ka thënë ai, duke shtuar se akademikët nuk janë ata që bëjnë vepra të vogla, të çastit dhe të padobishme. Andaj, ka pohuar më tej krijuesi Thaçi, të tillët vetvetes dhe institucionit i bëjnë shërbim të keq, që pastaj nga shkrimtarët dhe historianët kujtohen për të keq, për të ulët, për të ligj, si nga familjet dhe populli i tyre. "Unë nuk kam dëgjuar se Akademia jonë ka hartuar dhe ka bërë publik ndonjë plan madhor me interes të veçantë për Kosovën. Hej, përse kështu. Leonardo Davinçi thotë: O njeri, ashtu në gjumë dukesh i tmerrshëm, i trishtueshëm", ka pohuar shkrimtari Thaçi, njëkohësisht edhe njohës i ligjeve në vend.

Si institucioni më prestigjioz i shkencës dhe kulturës në vend, vazhdon të jetë jashtë rrjedhave

Kur flitet për politizimin e ASHAK-ut, Thaçi ka thënë se duhet së pari të kuptohet ç`është politika. Sipas tij, kjo jona pak ka të bëjë me politikën. "Të jesh akademik duhet të jesh sikurse dielli që ngroh dhe ndriçon dhe i gjithë populli të qëndrojë përballë teje, i kënaqur, i sigurt dhe mirënjohës. Unë mendoj se shumë procese të krijimit të shtetit të Kosovës, sikurse ekonomia, shkenca, kultura, politika, pastaj raportet diplomatike ndërkombëtare, duhet të "gatuhen në furrën e Akademisë" dhe pastaj të përdoren nga institucionet kompetente të shtetit, të fushave të caktuara", ka potencuar ai. Në një prononcim për "Kosova Sot", shkrimtari Zeqir Fazliu ka thënë se Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, si institucioni më prestigjioz i shkencës dhe kulturës në vend, vazhdon të jetë jashtë rrjedhave dhe e mbushur me politikanë. Anëtarët e saj nuk arrijnë të arsyetojnë titullin që e mbajnë dhe rrogat e majme që i marrin. "Po, rrogat i kanë shumë të majme e nuk punojnë asgjë për të mirën e popullit. Unë nuk njoh ndonjë vepër të mirë që kanë shkruar. Emrin e kanë akademikë, por dituria e tyre nuk është në nivelin akademik. Derisa të kemi akademi politike e partiake, nuk ka shkencë të mirëfilltë dhe s'ka as përparime", ka thënë Fazliu.

Akademikët u shërbejnë klaneve të caktuara

Bujar Meholli, krijues dhe njohësi i zhvillimeve kulturore në vend, është shprehur se në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, nga njëra anë, ka profesorë të dëshmuar dhe me bagazh të pasur, si Hamiti apo Mustafa, që janë kontribuues të mëdhenj në zhvillimin e Kulturës në vendin tonë, mirëpo, nga ana tjetër, ai ka mendimin se Akademia po shkon drejt humbjes së kuptimit të saj. Sipas tij, po i afrohet kështu degradimit. Ka shtuar se individë apo grupe të interesit, pa pasur vepra shkencore apo artistike të shquara, futen brenda Akademisë dhe u shërbejnë klaneve të caktuara. Meholli ka thënë se shoqëria duhet të reagojë derisa ky institucion të depolitizohet njëherë e mirë, si dhe të reformohet nga njerëzit që ia duan të mirën Kosovës dhe kulturës së saj. Gazeta ka kërkuar një mendim edhe nga ASHAK-u, por nuk ka marrë përgjigje gjatë ditës së djeshme.

(Kosova Sot)