< Kritika për dramën, për t'ia bërë qejfin njëri-tjetrit - Kulturë - Kosova Sot
Kritika pėr dramėn, pėr t

Kritika pėr dramėn, pėr t'ia bėrė qejfin njėri-tjetrit

NË ÇFARË GJENDJEJE GJENDET KRITIKA PËR TEATRIN? 

Kritika mbi teatrin dhe shfaqjet teatrale në vend assesi nuk po mund të dalë nga agonia. Janë të pakta shkrimet dhe artikujt që mund t'i gjesh në shtypin kosovar për një shfaqje teatrale, e edhe më të paktë njerëzit që merren me këtë gjini. Por, edhe atëherë kur shkruhet, shkruhet për t'ia për qefin shokushokut. Këtë mendim ndajnë pjesa dërmuese e krijuesve në vend, njohësve dhe njerëz të teatrit. Fatmir Halimi, shkrimtar dhe studiuesi i letrave shqipe, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se kjo çështje duhet parë më thellë. Sipas tij, për të pasur kritikë të teatrit, së pari duhet ta kemi të zhvilluar dramën apo dramatikën si gjini letrare, e cila, ka shtuar ai më tej, zhvillohet dhe krijohet nga letrarët dramaturgë vetëm për t'u shfaqur në teatër. 

Në teatrot tona vihen në skenë vetëm drama të autorëve të huaj

Më tej, Halimi ka thënë se kjo gjini letrare në letërsinë tonë që disa dekada mungon. "Pra, sot nuk kemi dramaturgë që krijojnë drama për teatër dhe si pasojë e saj mungon edhe diskursi kritik për dramën. Me këtë dua të them se sot në teatrot tona vihen në skenë vetëm drama të autorëve të huaj ose edhe drama shqipe të trajtuara nga njerëzit jokompetentë, siç janë amatorët, e në disa raste edhe regjisorët e teatrit dhe mandej ato i vënë në skenë", ka thënë Halimi, duke shtuar se këto nuk janë drama letrare për teatër, por janë skenarë teatrorë, që nuk i përmbajnë as elementet më themelore të një dramë. Dhe, si pasojë e kësaj, shton shkrimtari Halimi, sot nuk ka as kritikë të teatrit, pasi sot nuk ka as drama për t'u shfaqur në teatër. "Defekti i krejt kësaj është te institucionet tona, të cilat nuk i përkrahin dramaturgët letrarë, ku ne kemi vetëm një çmim për dramën, i cili është 'Katarina Josipi', por që nuk i mbulon nevojat. E them këtë, sepse duhet ta dinë edhe udhëheqësit e institucioneve, se drama si gjini letrare shkruhet vetëm për t'u shfaqur në teatër e jo si romani apo poezia për t'u lexuar", ka thënë ai.

"Ata që bëjnë shfaqje nuk kanë dëshirë të kritikohen"

Për Avni Rudaku, ekspert në çështje socio- kulturore, kritika e teatrit është edhe më larg kritikës letrare. Bile, sipas tij, aty- këtu ka kritikë letrare, ndërsa kritika teatrore mungon shumë. "Ka disa arsye: shkëputemi nga tradita e kritikës teatrore; gjenerata e vjetër e kritikëve teatrorë po vdesin; nuk ka interesim të audiencës teatrore për kritikë, sepse askush nuk ka monopol në interpretim; mungojnë gati tërësisht kuadrot profesionale e të specializuara; specializimi në këtë fushë nuk ngjall interes, pasi nuk është pjesë e shumë kurrikulave universitare, publike e private dhe studentët shkojnë kah drejtimet ku ka treg", është shprehur ai, duke shtuar se miqësia teatrore nuk i lë të bëjnë kritika ndaj miqve regjisorë e dramaturgë. Ndërkaq, regjisori Mahir Musliu ka pohuar se jo vetëm nuk ka kritikë teatri, por mungon edhe ajo për filmin. "Këto profile mungojnë tek ne, duke pasur parasysh se dikur kanë ekzistuar njerëz të këtij profili, të cilët janë marrë me kritikë dhe teori të teatrit. Kanë ekzistuar edhe revista e tabloide enkas për këto disiplina artistike", ka pohuar ai. Shton se nuk e di pse ndodh një gjë e tillë në kohën kur përveçse ka një bum mediatik në vend, në të gjitha fushat, por edhe në produksione teatrore dhe filmime, është e habitshme të mos dalë asnjë që merret me kualitetin e punës artistike. Kjo, ka vazhduar më tej ai, nuk është e paqëllimshme, ngaqë ata që bëjnë shfaqje nuk kanë dëshirë të kritikohen, por vetëm të lavdërohen dhe të marrin ovacione. Musliu ka thënë se shfaqjet dhe filmat këtu nuk i nënshtrohen asnjë kritike, ato bile po vazhdojnë të bëhen për vetë artistët. Më e keqja, ka shtuar ai, bëhet një premierë të cilën shkojnë dhe e shohin ata që e bëjnë, publikun e kemi larg këtyre institucioneve. 

(Kosova Sot)

6 orë e 2 minuta më parë