Shkrimi akademik ekonomizon kohën e kërkimit dhe hulumtimit

  • 04 November 2017 - 14:03
Shkrimi akademik ekonomizon kohën e kërkimit dhe hulumtimit

DALLOJNË SHKRIMET LETRARE PREJ SHKRIMEVE AKADEMIKE SHKENCORE

Disa programe universitare kanë sisteme të veçanta të shkrimit akademik

SHKRUAN: AVNI RUDAKU

Shkrimi akademik nuk i ngjason opinionit, sikur ngatërrojnë shpesh disa autorë apo opinionistë, duke i vënë shkrimet nën titullin: 'shkrime shkencore'

Shkrimi akademik është bërë pjesë e kurrikulës universitare pothuajse në çdo program studimi. Si lëndë, jo vetëm që është e rëndësishme më vete, por ndihmon studentët të jenë të shkathët dhe të njohin rregullat e standardet e shkrimit akademik për secilën lëndë tjetër. Rrjedhimisht, shkrimi akademik u lehtëson punën të gjithë studentëve edhe për lëndët e tjera, përveç si lëndë e pavarur. Por arsyeja e kësaj kolumne është ngatërrimi shpesh i shkrimit akademik me gjuhën dhe letërsinë shqipe. Nuk është shkrimi akademik të mësuarit e gramatikës së një gjuhe, por më shumë se kaq. Shkrimi akademik është shkrim jo vetëm i bazuar në rregullat e drejtshkrimit, por edhe marrëveshje në mes të studiuesve se çfarë formati duhet të jenë shkronjat e tekstit, si duhet të radhiten titujt e nëntitujt, si duhet bërë citimet dhe çfarë sisteme referencash ekzistojnë. Ka dallime të konsiderueshme në mes të shkrimit akademik dhe të njohurit e vetëm të gjuhës, gramatikës e drejtshkrimit shqip. Në shkrimin akademik ne mësojmë se si janë disa standarde të shkrimit të një eseje apo punimi kërkimor shkencor. Nuk ka shkrim akademik pa njohjen e të shkruarit të gramatikës dhe drejtshkrimit shqip si autor shqiptar, por nuk mjafton vetëm kaq. Citimet nuk t'i përcakton gramatika e gjuhës shqipe se si duhet bërë ato. Sistemet e citimit, sikur është alternativa e dhënë në krye të 'word'-it, nën emrin "style"(stili), të jep disa sisteme citimesh: APA (edicioni i gjashtë në word 2016), Chicago, e tjerë e tjerë. Shtoja këtu edhe një sistem tjetër që shpesh kanë të drejtë të ankohen studentët: 'Sistemi i Tekeve të Profesorit', sipas të cilit sistem, citimet janë në rregull vetëm nëse janë në përputhje me 'teket' e profesorit të lëndës përkatëse, në vend se të ishin në rregull, në rast se studentët ishin mbështetur në njërin apo tjetrin model/stil të citimeve. Tekefundit, shumë universitete, drejtues revistash shkencore, etj., kanë hartuar politikat e tyre të shkrimit akademik, sakaq vendosin në mënyrë të pavarur se në çfarë sisteme e modele citimesh, do të pranohen punimet apo shkrimet akademike. 

SHKRIMI AKADEMIK DHE LLOJI I PROGRAMIT

Disa programe universitare kanë sisteme të veçanta të shkrimit akademik. Nëse shohim syllabuset e lëndëve të shkrimit akademik në drejtime të ndryshme, ne vërejmë dallime të mëdha, pavarësisht se mund të ketë plagjiatura në syllabuset e njërit apo tjetrit mësimdhënës. Ne po flasim edhe për syllabuset e universiteteve më të njohura të shkrimit akademik në nivel global dhe programi apo drejtimi akademik e përcakton edhe rrjedhën e disa njësive mësimore të shkrimit akademik. Për shembull, në drejtimin e filozofisë, mësohet përpilimi dhe strukturimi i një eseje filozofike, por aty nuk bëhet fjalë për rregullat e vendosjes së rezultateve të hulumtimit, metodologjisë kuantitative apo kualitative. Aty do të merren dy filozofë e të krahasohen pikëpamjet e tyre filozofike, pa dalë fare në terren. Është më shumë teoritizim i dy pikëpamjeve filozofike, përmes krahasimit dhe mund të mos ketë fare intervista me ndonjë filozof. Ngjashëm mund të ketë me metodologji teorike edhe në programe të tjera, por megjithatë, ka disa dallime të shkrimit akademik varësisht nga disa programe universitare dhe nuk duhet të ngatërrohen. Në punimet e fakultetit të arteve, bëhet dallim në mes të një punim seminari apo diplome, në krahasim me shkencat e natyrës. Vërehen dallime edhe në numrin e faqeve, edhe në mënyrën e ndërtimit përmbajtjesor, etj. Në programet e arteve vizuale, brenda tekstit dhe përmbajtjes së punimit për të marrë titullin e baçelorit, ka krijime të vetë artistit, që i vë punimet brenda strukturës së punimit të tij. Ka dallime po ashtu të sistemit të shkrimit akademik të studentëve në shkencat e tjera natyrore. Po ashtu, ka dallime të konsiderueshme në mes të universiteteve se çfarë standarde kërkojnë nga studentët.

RREGULLAT E SHKRIMIT AKADEMIK, NË FUNKSION TË 'SYVE'

Pse duhet të jetë formati i zakonshëm i shkronjave për punimet kërkimore shkencore 12, Times New Roman, e tjerë e tjerë? Nuk është vetëm çështje estetike e të duket më tërheqëse për lexuesin, por edhe janë bërë disa studime të oftalmologjisë, mjekimit të syve, se deri në çfarë madhësie shkronjash, lexuesi mund të sheh më mirë, mund të lexon më lehtë, më shpejt dhe më me pak mundim. Nëse shkrimi akademik e përcakton se citimi nga faqja e njëjtë dy herë, nuk ka nevojë të përsëritet në tërësi, por mjafton ta shkruani latinisht apo shqip (ibid, po aty), atëherë është përpjekje për të larguar gjërat e tepërta, përsëritëse, monotone, për të mos e ngarkuar lexuesin, për të mos marrë më shumë kohë për shkruesin, të jetë sa më i shkurtër, e kështu me radhë. Nëse ju mësoni rregullat e citimit, ju mësoni ndershmërinë akademike! Nuk janë gjëra pa vlerë, qofshin edhe rregulla teknike e të mërzitshme! Nëse ju kthejnë punimet, se nuk e keni cituar vitin e botimit, nuk është e hijshme të dëgjohet se për një vit të botimit, ma ktheu punimin! Ja po e ilustrojmë me një shembull se sa me rëndësi është viti i botimit dhe largimi i literaturës së vjetër në kuadër të referencave apo bibliografisë. Për shembull. Jeni duke shkruar një shkrim akademik, i tipit punim seminari, ese argumentuese, apo punim diplome, etj., rreth një teme mbi orientimin seksual dhe subjektin e përkufizuar qartë: Qëndrimet aktuale të psikologëve rreth homoseksualitetit. Ne jemi në vitin 2017, ndërsa ju për këtë subjekt të punimit, keni cituar një libër rreth homoseksualitetit, me vit të botimit, 1954. Në atë libër gjeni se "homoseksualiteti është sëmundje" e lloj-lloj gjërash të tilla që janë të papranueshme sot. Fill pas botimit të vitit 1954, përkatësisht në vitin 1973, Asociacioni i Psikologëve Amerikanë (APA), njëri nga autoritetet më të mëdha po ashtu në rregullat e shkrimit akademik dhe të citimeve, e ka hequr pikëpamjen se homoseksualiteti është sëmundje. Sipas APA-së, homoseksualiteti nuk ndërlidhet me ndonjë krizë të mendimit, gjykimit, etj. E shihni se si viti i botimit nuk është teknik, por është ndër kriteret më të rëndësishme kur i referoheni një apo grup autorëve. Pikëpamjet kanë ndryshuar në mes të profesionistëve, shkencëtarëve dhe autorëve të ndryshëm, prandaj viti i botimit është më se i rëndësishëm për shkrimin tuaj akademik! Nëse ju nuk i referoheni studimeve dhe botimeve më të reja, madje nuk tregoni se edhe cilit botim i takon, atëherë sërish nuk keni bërë një gabim teknik, por një tërësi nisjesh të gabuara, që e bën shkrimin tuaj akademik, amatoresk, jo shkencor, etj. Shkrimet shkencore kërkojnë përcjelljen e literaturës në mënyrë të kujdesshme, qoftë kronologjikisht, qoftë ideologjikisht, etj. Ju mund të hasni edhe në ndonjë autor fetar, ndërsa ju e merrni si autor shkencor. Edhe kjo shpesh ngatërrohet në mesin e shkruesve, studentëve, profesorëve, etj. Pra, të mësosh nga shkrimi akademik se viti i botimit është mjaft i rëndësishëm kur citoni ndonjë libër, nuk është vetëm aspekt teknik dhe krejt i parëndësishëm, sikur mendohet shpesh në mes të studentëve, autorëve të rinj e të vjetër, e kështu me radhë. Shkrimi akademik është në funksion të ruajtjes së ndershmërisë akademike për ta ruajtur pronën e secilit prej nesh! Shkrimi akademik është bërë si një grumbull rregullash e standardesh për të bërë madhësitë e shkronjave në punimet kërkimore, në përputhje me nevojat e syve tanë, për të lexuar me sa ma pak dhembje sysh! Shkrimi akademik është bërë për të na ndihmuar si lexues, të gjejmë sa më shpejt një referencë, ta dimë ku, kur dhe kush e ka thënë. Na ekonomizon kohën e kërkimit dhe hulumtimit! 

SHKRIMI AKADEMIK NË REVISTAT SHKENCORE

Mund të ketë revista në Kosovë dhe gjetiu që e kanë cilësorin 'shkencore', por nuk përmbushin kriteret e të bërit shkencë. Shkrimi akademik nuk i ngjason opinionit, sikur ngatërrojnë shpesh disa autorë apo opinionistë, duke i vënë shkrimet nën titullin: 'shkrime shkencore'. Posedimi i njohurive elementare të mëson se opinionet janë vetëm pjesë e përshtypjeve, emocioneve, mendimeve rreth një çështjeje/dukurive/fenomeni/teme debatuese, por jo edhe shkrime akademike. Shkrimet akademike konsistojnë në grumbullimin, sistematizimin dhe kërkimin e fakteve pavarësisht besimeve personale të autorëve. Ka disa opinione të cilat bazohen edhe në një citim libri, por megjithatë nuk janë shkrime akademike shkencore. Shkrimet akademike shkencore nuk mund të ofrohen vetëm nga të menduarit, pa ia shoqëruar hulumtimet, arkivat, bibliotekat, dokumentimeve, raporteve, etj. Shkrimet akademike nuk janë poetike, sikur ndodh shpesh t'i keqkuptojmë në shoqërinë e gjerë. Mund të keni një shkrim akademik si kritikë letrare ndaj një poezie, duke i bërë analizë e hollë- sishme motivacionit, strukturës së tekstit, qasjeve teorike letrare, e tjerë e tjerë, por jo edhe të shkruarit poetik mbi një poezi. Shpesh kritikët letrarë në Kosovë, në vend të kritikës letrare, bëjnë poezi. Prandaj, nëse diku e fusin esenë letrare në shkrim akademik e shkencor, atëherë ne duhet t'i sqarojmë gjërat: eseja letrare, duke luajtur me fjalë, gjuhë, figura stilistike e retorike mbi qiellin e kaltër a të zi, mund të jetë gjithçka por jo edhe ese shkencore, apo shkrim shkencor akademik. Të vjen keq t'i dëgjosh gjërat e tilla edhe në mesin e atyre që kanë përgjegjësi para të tjerëve, të jenë shtjellues e shpjegues!

SHKRIMI AKADEMIK SI KOKËDHEMBJE

E kam një bindje të përgjithshme se shkrimi akademik është ndër lëndët që shkaktojnë më së shumti kokëdhembje, nuk janë aq tërheqëse për t'i shpjeguar para studentëve, e kështu me radhë, por mbetet ndër lëndët më të rëndësishme për çdo të ri në rrugëtimin e tij studimor, universitar, pasuniversitar dhe të doktoratës. Kokëdhembja shkaktohet nga lodhja e përgjithshme që vjen nga zhytja e thellë në mendime e gjetje raportesh shkak-pasojë; të përcaktuarit e qartë e të saktë të subjektit të punimit; rregullave strikte të redaktimit, korrigjimit, lekturimit e shkrimit në përgjithësi. Kokëdhembja shkaktohet nga hedhja e mendimeve në letër, rishikimi, ndërlidhja e sërishme e paragrafëve, heqja e fjalive të tepërta e të panevojshme, nevoja për një lexim nga një palë tjetër jashtë shkruesit apo autorit, etj. Përnjëmend shkrimi akademik është ndër lëndët që të sjellin në mendje edhe 'paracetamolin', por nuk duhet të shkojmë në barnatore, por në bibliotekë. Na duhet të ndjekim disa standarde etike, gjuhësore e shkencore, të cilat na ndihmojnë edhe neve si autorë, por edhe lexuesve tanë. Të gjitha janë në funksion të lehtësimit të punës suaj te lexuesi/lexuesja. Shkrimi akademik vazhdon të mbetet në nivele të ulëta në hapësirën publike shqiptare, nëse lexojmë shumë punime të hedhura në faqet e ndryshme universitare. Disa punime mund të jetë shkrime letrare, opinione, por kurrë shkrime akademike e shkencore, sikur janë rregullat, standardet dhe kushtet e vëna në mesin e komunitetit të studiuesve. Shkrimi akademik nuk mësohet me dëgjim, por me ushtrim. Prandaj, kjo kolumne i kushtohet pikërisht këtij lloji të shkrimit, për t'ia dhënë një hapësirë shtesë shkrimeve aq dominuese letrare në hapësirat tona publike, edhe atëherë kur e kanë emrin shkrime akademike dhe shkencore!

(Kosova Sot)