MICHELLE PFEIFFER, KRITIKE DHE E ASHPËR NDAJ VETES, KA FRIKË DËSHTIMIN

  • 05 November 2017 - 08:33
MICHELLE PFEIFFER, KRITIKE DHE E ASHPËR NDAJ VETES, KA FRIKË DËSHTIMIN

AKTORJA 59 VJEÇE SHIHEJ HERË PAS HERE NË BOTËN E FILMIT

Aktorja i kthehet profesionit pas një pauze disavjeçare, gjatë së cilës i kishte rritur fëmijët

Michelle Pfeiffer (na) ka munguar!

Aktorja 59 vjeçe shihej herë pas here në botën e filmit, për t'u zhdukur sërish, derisa ishte duke rritur djalë e vajzë, që i ka me burrin, skenaristin TV dhe producentin, David E. Kelley. Tani, pasi që fëmijët janë rritur, ajo i është rrekur me të madhe punës këtë vit. Në filmin "The Wizard of Lies" të rrjetit HBO, ajo luajti rolin e Ruth Madoffit, përkrah Robert De Niro's, i cili ishte Bernie; pastaj Pfeiffer u paraqit edhe përkrah aktores Jennifer Lawrence, ku ishte mikpritësja nga xhehenemi, në filmin triler alegorik të regjisorit Darren Aronofsky, "Mother!" dhe ajo është vejusha seksi në filmin e regjisorit Kenneth Branagh, "Murder on the Orient Express", shfaqja e të cilit do të fillojë më 10 nëntor dhe kritikën e të cilit mund ta lexoni në këtë shtojcë të kulturës. Pas paraqitjes së paharrueshme si "Catwoman" në filmin e vitit 1992 "Batman Returns", ajo do të rikthehet përsëri në botën e librave komikë, vitin e ardhshëm, në filmin "Ant-Man and the Wasp". Dhe, ajo këndon përsëri - është zëri i saj ai në përfundim të filmit të regjisorit Branagh. Por, deri më tani ajo nuk është rikthyer ende në një segment të rëndësishëm të veprimtarisë së saj të mëparshme, si producente. Pfeiffer, e cila dikur kishte një kompani të suksesshme të produksionit, është e kënaqur me aktrim dhe, si duket ai i mjafton. Edhe pse asnjëherë nuk ka punuar me Harvey Weinsteinin, ajo ka shpresë që Hollivudi do të ndryshojë pas akuzave kundër tij.

NËNA VRASTARE

E pyetur në lidhje me rolin e saj në filmin "Mother!", Pfeiffer thotë se Darren Aronofsky ishte shumë i kujdesshëm që të mos bëjë referenca të panevojshme. "Unë isha thjesht një grua, e cila, pas tërë atyre viteve, ende ishte e dashuruar marrëzisht në burrin dhe e cila ka shumë vështirësi familjare". Shtrohet pyetja, sa i pëlqejnë aktorit personazhet që i luan. Në këtë aspekt, Pfeiffer thotë se ajo gjen mënyrë për t'i dashur ato role. "Personazhi i cili ka qenë më i vështirë për mua, ishte nëna vrastare në filmin "White Oleander." Ajo ishte zemërligë, nuk mund të gjeja asgjë që të lidhesha me të. Më kujtohet se i numëroja ditët deri kur do të më duhej që të isha në lëkurën e saj. Ruth [Madoff] është shumë heroike në mënyrën e saj. Ajo është mbijetuese. E kuptoj në tërësi dashurinë e saj për familjen dhe përkushtimin ndaj fëmijëve dhe burrit. Ne nuk kishim mundësi që ta tregonim ngjarjen e saj, meqë filmi bazohet te rrë- fimi i Bernie Madoffit, por e inkurajoj atë që, një ditë, ta rrëfejë edhe ngjarjen e saj. Por, e kuptoj pse ajo nuk do të dojë ta thotë këtë ngjarje". Më pas, Pfeiffer thotë se ka gjëra që i ishin bërë bajat gjatë punës."Më ishte irrituar kostumi i maces, ndoshta pse jam klaustrofobike". Por, gjëja ku përqendrohet më shumë Pfeiffer është rikthimi i saj në profesion, pas atyre viteve të pauzës. "Kam munguar ndoshta pesë vjet dhe bëra filmin "I Could Never Be Your Woman" me Paul Rudd, por ndihesha me të vërtetë 'e ndryshkur'. Kjo ishte befasi për mua, meqë nuk isha mësuar me një gjendje të tillë. tani, kur i jam kthyer aktrimit, jam më e lumtur sesa ndonjëherë më parë. Ndoshta për faktin se nuk kam obligime ditore më".

NUK DONTE QË RRITJEN DHE EDUKIMIN E TYRE T'IA LINTE NË DORË NDOKUJT TJETËR

A i shikon Pfeiffer filmat e saj? "Nuk jam aq e prirë që t'i shikoj filmat e mi. I shikoj një herë, e jo përsëri. Mendoj se është mirë që jam kritike dhe e ashpër ndaj vetes sime". Ka shumë aktorë që me qëllim tërhiqen nga skena për një kohë, në mënyrë që shikuesit ta ndjejnë mungesën e tyre. A është kjo, qoftë edhe pjesërisht e vërtetë edhe për Pfeifferin? Ajo thotë se jo. Kishte pauzuar nga filmi vetëm për shkak se i duhej që të përkujdesej për fëmijët. Nuk donte që rritjen dhe edukimin e tyre t'ia linte në dorë ndokujt tjetër. Ajo thotë se ndoshta gjatë kësaj periudhe ishte bërë paksa nazelie sa iu përket roleve të filmave, meqë donte që të mos ndahej nga fëmijët për kushedi çfarë roli. Në fund, aktorja e vjetër, e re, Michelle Pfeiffer, thotë se gjithmonë ka frikë nga dështimi. "Sapo marr një rol të ri, menjëherë më lind frika se mos po dështoj. Mos po e zhgënjej regjisorin i cili ma ka besuar mua atë rol. Njëherë i thash regjisorit Steve Kloves (regjisorit dhe skenaristit të filmit "The Fabulous Baker Boys"), kur fillova në filmin "Murder", se unë isha duke e prishur filmin. Këtë ia thash me gjithë mendje, por ai vetëm qeshi. Dmth se kishte besim në mua" .

(Kosova Sot)