Fjalamanët e veshur në stilin e gangsterëve

  • 05 November 2017 - 11:08
Fjalamanët e veshur në stilin e gangsterëve

KRITIKË E FILMIT 'MURDER ON THE ORIENT EXPRESS'

KEDA Kenneth Branagh luan përkrah Johnny Depp, Penelope Cruz, Michelle Pfeiffer dhe Judi Dench

Kur dallimi më i madh midis versionit të ri të filmit "Murder on the Orient Express" dhe paraardhësit të tij, 43 vjet të vjetër, ka të bëjë me madhësinë e mustaqeve të Hercule Poirot-së, atëherë lind pyetja, pse është bërë ky film i ri? Duke pasur parasysh natyrën e kufizuar të materialit, si dhe aspektet specifike të periudhës në të cilën zhvillohet ngjarja e këtij filmi, atëherë mundësitë për një riinterpretim me të vërtetë janë të vogla. Për këtë shkak, ky film zor se mund të llogaritë fitime të mëdha nga shitja e biletave të kinemasë, pasi që të fillojë të shfaqet nga 10 nëntori. Të gjithëve na kujtohen emrat legjendarë të ekipit të filmit të parë, si Albert Finney (Poirot), pastaj Ingrid Bergman, Sean Connery, Vanessa Redgrave, Richard Widmark, Lauren Bacall, Anthony Perkins, Jacqueline Bisset, Michael York dhe Wendy Hiller. Por, i shikuar sot, befason fakti që Bergman kishte marrë Oskarin në kategorinë e aktores mbështetëse, meqë as roli, e as performanca e aktores nuk ofrojnë asgjë të veçantë. Për këtë shkak, ndoshta nuk është koincidencë se, duke rishpikur këtë rol dhe duke angazhuar aktoren Penelope Cruz, skenaristi Michael Green duket se ka bërë punë të mirë.

ARGËTUES NË MËNYRËN E TIJ TË VEÇANTË

Ndryshimi tjetër që bie në sy është përfshirja e një aktori 'me ngjyrë', Dr. Arbuthnot, rol që luhet nga Leslie Odom Jr., si zëvendësim për kolonelin e ushtrisë së Connery't. Asnjëri prej këtyre ndryshimeve nuk paraqet ndryshim të madh në skemën më të madhe të gjërave. Në fakt, dallimi më evident midis dy versioneve, është madhësia dhe dizajni i mustaqeve të inspektorit. Libri i shkrimtares Agatha Christie, në të cilën bazohet ky film (si edhe ai parapraku), respektivisht stili i shkrimtares, bën që edhe ky film të jetë argëtues në mënyrën e tij të veçantë. Natyrisht, udhëtarët e fjalës së fundit të trenave luksozë, janë fjalamanë dhe të veshur në mënyrë adekuate (Alexandra Byrne dizajnoi gardërobën), por kjo nuk i bën ata 'ala klas'. Ka dështime edhe sa iu përket emrave dhe markave: Cruz është "Misionarja"; Willem Dafoe luan "Profesorin", i cili ka simpati ndaj nazistëve; Michelle Pfeiffer (rol që, në filmin e parë, e kishte luajtur legjendarja Bacall) shkruan është "Vejusha"; Daisy Ridley (me rolin që dikur e kishte luajtur aktorja Redgrave) bëhet "Guvernatorja"; Judi Dench (në rolin e Hillerit) është në elementin e saj si princesha Dragomiroff; dhe Olivia Colman është "Shërbëtorja" e këtyre të tjerëve (Rachel Roberts e kishte luajtur këtë rol në filmin e parë).

BRANAGH ËSHTË ENERGJETIK DERI NË NIVELIN E FANATIZMIT TË PASIONUAR

Por, ai që dominon në pjesën e parë të filmit, është "Gangsteri", një djalë i ashpër me theks të veçantë, rol që luhet nga Johnny Depp (Widmark kishte sjellë një version më pak të theksuar në filmin e parë); Josh Gad luan rolin e asistentit të tij Motivet e Gangsterit, si dhe ndërveprimet e tij me Poirot, bëhen më komplekse sesa që duket në shikim të parë, por ajo që duket se kanë të përbashkët të gjithë udhëtarët, është një- farë njohurie rreth një familjeje të dalluar amerikane, së cilës ia kishin rrëmbyer fëmijën, i cili më pas gjendet i vdekur, një ngjarje që Christie e kishte thurur bazuar në rrëmbimin e kobshëm të bebes së Charles dhe Anne Lindbergh, në vitin 1932. Komploti i Christie's zyrtarisht bëhet vrasje e mistershme, kur njëri prej personazheve kryesore vritet në vagonin (kabinën) e tij gjatë natës; pastaj ngjarja tjetër vazhdon me Poirotnë që interviston figurat kyçe në tren, duke përdorë aftësitë e tij të jashtëzakonshme për të zbuluar se kush e kishte bërë vrasjen. Me anë të punës së regjisorit, e më tepër edhe me anë të performancës së tij si hetues gjeni, Branagh është energjetik deri në nivelin e fanatizmit të pasionuar. Sikur edhe filmi "Dunkirk" më herët këtë vit, po ashtu edhe ky film është xhiruar në formatin 65 mm. Poirot i regjisorit Branagh është sypatrembur, depërtues dhe argëtues.

(Kosova Sot)