Bota i çmon, KOSOVA I HARRON

  • 06 November 2017 - 08:51
Bota i çmon, KOSOVA I HARRON

ARTISTËT OPERISTIKË, PA VËMENDJEN E INSTITUCIONEVE TË SHTETIT

Mungon infrastruktura për dhënien e shfaqjeve operistike 

Dilaver Kryeziu, profesor universitar dhe njohës i zhvillimeve kulturore në vend, ka thënë se është vetë MKRS-ja, e cila ka obligim dhe barrën për artin operistik në vend, por ajo nuk po bën punën e saj, duke hedhur edhe dyshimet se shumë prej zyrtarëve të saj nuk kanë njohuri mbi operën dhe artistin operistik

Që nga pas lufta institucionet shtetërore në vend janë treguar mjaft të 'pamëshirshme' ndaj artit operistik në vend. Pavarësisht se ka më se një dekadë që Kuvendi i Kosovës ka miratuar një Ligj për Operën dhe funksionimin e saj, fizikisht në vend nuk ekziston ky institucione. Më e keqja është se edhe artistët operistikë, të cilët nuk janë të paktë, nuk marrin vëmendjen e shteti dhe të institucioneve, duke e varfëruar edhe më shumë vendin sa u përket arteve elitare në vend. Për më keq, sot në skenat botërore janë duke shkëlqyer artistët operistikë kosovarë, si rasti i Ramë Lahajt, i cili, pavarësisht sukseseve dhe performancave me tenorët nr. 1 në botë, në vendin e tij pothuajse nuk përmendet, jo vetëm nga ato shtetërore, po as edhe nga ato kulturore. Ndërsa nuk ka nevojë të përmenden këtu edhe sukseset e Merita Junikut, Besa Llugiqit , Marigona Qerkezit, apo artistëve të tjera. 

Performancat operistike nuk kanë ku të shfaqen 

Një situatë e tillë vazhdon për vite dhe vështirë se do të mund të pritet e kundërta në një të ardhme të afërme. Pikërisht edhe për shkak të mungesës së madhe të infrastrukturës, ku performacat e shfaqjeve operistike është e pamundur për t'u shfaqur. Edhe pse në vend janë disa salla teatrosh, ato nuk ofrojnë kushte për një shfaqje opere. Në fakt, për njohës të zhvillimeve kulturore në vend, janë institucionet ato që po lënë anash artin operistik në vend. Sipas tyre, jo vetëm në infrastrukturë, por edhe moszbatimi i ligjit dhe plotësimi institucional dhe ligjor ndaj institucionit të Operës, jo vetëm po e lë vendin pa artin elitar në vend, por edhe po 'detyron' artistët operistikë t'ia mësyjnë skenave të huaja. Dilaver Kryeziu, profesor universitar dhe njohës i zhvillimeve kulturore në vend, ka thënë se janë institucionet ato që mbajnë përgjegjësi për situatën aspak të mirë të artistëve operistikë në vend, dhe trajtimin jo të duhur që u bëhet atyre. Madje, sipas tij, është vetë MKRS-ja, e cila ka obligim dhe barrën për artin operistik në vend, por ajo nuk po bën punën e saj, duke hedhur edhe dyshimet se shumë prej zyrtarëve të saj nuk kanë njohuri mbi operën dhe artistin operistik. "Ata që duhet dhe i kanë përgjegjësitë të zhvillimit të artit skenik, pamor, vizual dhe muzikor nuk e dinë çka është opera apo një operist, të paktën vetëm emrin", ka thënë Kryeziu, duke shtuar se në këtë fushë ka munguar një bashkëpunim në mes shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë, pasi këta të fundit kanë më shumë kushte, përvojë dhe aftësi botërore, çka do të kishin kontribuar shumë në ngritjen e artit operistik në vend. 

Mungon tradita e zhvilluar për operë 

Edhe Avndi Rudaku, njohësi i zhvillimeve socio- kulturore në vend, ka fajësuar institucione për gjendjen e artit të operës dhe për mosrespekt ndaj artistëve operistikë. "Vetëm nëse shihni se si flitet aq shumë për aktorët, në krahasim për profesionistët e operës; vetëm shihni reagimin e MKRS-së rreth pagave të aktorëve dhe shihni Filarmoninë e Kosovës e pagat e tyre... Mjafton këto për t'i krahasuar dhe për të parë se prej krejt arteve, gati se më së paku flitet për operë", ka thënë Rudaku. Po ashtu, ka thënë ai më tej, kjo vjen nga edukimi më i ulët estetik mbi operën dhe baletin të vetë zyrtarëve shtetërorë në krahasim me njohuritë elementare që kanë për teatrin. "Është edhe një dëshmi se sa pak i kushtojnë rëndësi operës, nëse analizoni qe sa kohë objekti i operës dhe baletit mbetet i zvarritur për shumë vjet. Emri po ashtu i këtij objekti po ashtu tregon sa pak i kushtojmë rëndësi operës; në vend të emërtimin me një emër kompozitori, e kemi okupuar me emra politikanësh", ka pohuar Rudaku, duke shtuar se duhet pranuar se mungon edhe një traditë e zhvilluar për operë, sikur bie fjala në Vjenë, ose te fqinjë tanë!

(Kosova Sot)