Dikur bartte rroba të bëra nga thasët, tani ka thasë të tërë me para

  • 06 November 2017 - 19:02
Dikur bartte rroba të bëra nga thasët, tani ka thasë të tërë me para

Është e pamundur që të mos frymëzohesh nga Oprah Winfrey dhe rrugëtimi i saj jetësor. Kjo grua sikur ka përjetuar çdo gjë

Rrugëtimi jetësor i Oprah Winfrey-t me të vërtetë është unik. Si fëmijë, ajo jetonte në një familje të madhe, e cila nuk kishte para për t'i blerë asaj rroba. Në moshën nëntëvjeçare atë filluan ta ngacmonin dajallarët dhe të afërmit e tjerë. E ëma e përzuri nga shtëpia kur Oprah kishte vetëm 14 vjet, posa mori vesh se ajo kishte ngelur shtatzënë. Përkundër të gjitha këtyre, Oprah Winfrey arriti në kulmin e famës dhe pasurisë. Emri i saj tani është sinonim i suksesit dhe talentit.  

"Vajza thes"

Orpah Gail Winfrey lindi më 29 janar të vitit 1954. Tezja e saj ia zgjodhi emrin në bazë të librit të Ruthit, në Bibël, por jo Oprah, por Orpah. Këtë emër ajo vazhdon që ta ketë në këtë formë edhe në certifikatën e lindjes. E ëma e Oprah nuk ishte e martuar dhe ishte e varfër, kështu që Oprah u dërgua që të jetonte me gjyshen, deri në moshën 6 vjeçare. Edhe pse gjatë kësaj periudhe Oprah ishte e rrethuar me dashuri, ajo nuk kishte gjë tjetër. Gjyshja e saj punonte si shërbyese dhe i kishte thënë Oprah-s se edhe ajo, kur të rritej, do të bëhej shërbyese. Gjatë kësaj kohe, për shkak të varfërisë, Oprah vishte rroba të bëra nga thasët e patateve, gjë që bëri që të tjerët ta thërrisnin 'vajzathes'. Kur u kthye që të jetonte te nëna, filloi një tmerr në jetën e saj. Djemtë e familjes e keqtrajtonin seksualisht, kështu që në moshën 14- vjeçare ajo ngeli shtatzënë. Kjo ishte hera e parë kur ajo mendoi që të bënte vetëvrasje. E ëma e përzuri nga shtëpia dhe ajo shkoi që të jetonte me të atin. Ky i fundit ia ofroi asaj një ambient të sigurt.

Fëmija i vdiq

Fëmijën e lindi (djalë), por ai vdiq nga komplikimet, për shkak se kishte lindur para kohe. I ati i tha se ky ishte një shans i dytë, që i ofrohej, që ta bënte një jetë ndryshe. Dhe, ajo e bëri këtë. Është zor të besosh sesi një vajzë me ide për vetëvrasje, që kishte ngelur shtatzënë dhe e kishte humbur fëmijën në moshën 14 vjeçare, të arrinte ta ndërtonte një vetëbesim të tillë, sa që të mund të ngritej në jetë aq shumë dhe aq mirë. Në vitin 1972, kur kishte vetëm 19 vjet, u zgjodh mis zezakja e Tenesisë. Pasi që njëherë arriti të gjendej në qendër të vëmendjes, nuk kishte më kush ta ndalte atë.

(Kosova Sot)