Shkrimtarëve tanë nuk ua do fort me romane

  • 07 November 2017 - 08:52
Shkrimtarëve tanë nuk ua do fort me romane

E KONSUMOJNË POEZINË, POR JO EDHE TREGIMET E ZGJERUARA

Halimi: Letërsia shqipe e Kosovës vazhdon të mbetet prapa trendëve letrarë evropianë

"Aty këtu është bërë përpjekje për një letërsi gjithëshqiptare dhe me hapa evropianë, por duhet ende punë, sidomos bashkëpunime të ndërsjella me qendra, klube apo edhe shoqatat e arteve letrare ku ato kultivohen dhe jepen debate të rrepta për trendët letrarë dhe kjo do të na ndihmonte si një busull orientimin të saktë", ka thënë shkrimtari Ismet Tahiri

Pavarësisht kritikave dhe dyshimeve, letërsia shqipe në Kosovë po zhvillohet dhe nuk qëndron mbrapa simotrave të saja evropiane dhe më gjerë. Krijuesit e sotëm kosovarë prekin një gamë të gjerë temash, jo vetëm historike, por edhe ato sociale, dramën, duke mos lënë anash edhe zhvillimet e dy dekadave të fundit. Kështu kanë thënë për "Kosova Sot", krijues dhe studiues të letrave shqipe. Sipas tyre, letërsia shqipe që krijohet në Kosovë është e barasvlershme me zhvillimet e përbotshme te letërsisë. Ndërsa kanë pohuar edhe mangësitë që po e përcjellin letërsinë shqipe kosovare në vazhdimësi, siç janë kontaktet me ato evropiane, përkthimin dhe prezantimin saj para audiencës evropiane.

Letërsia shqipe në Kosovë vijon trajtimin e një game të gjerë temash

Që nga paslufta letërsia shqipe në Kosovë është kritikuar për varfëri tematike, pa ndonjë risi për kreativitete për të bërë për vete lexuesit, por edhe e mbetur mjaft mbrapa letërsive evropiane në trajtimin e tematikave, bile edhe nga emra të njohur të studimeve në fushën e letërsisë. Megjithatë shumë prej krijuesve dhe studiuesve nuk janë dakord. Në një prononcim për 'Kosova Sot", krijuesi Ardian Haxhaj ka thënë se edhe letërsia shqipe që krijohet në Kosovë është e barazvlefshme me zhvillimet e përbotshme të letërsisë. Ai ka thënë se letërsia shqipe në Kosovë vijon trajtimin e një game të gjerë temash. Duke mos lënë anash as dy dekadat e fundit, sidomos zhvillimet dhe karakteristikat sociale që po kalon shoqëria kosovare, për të cilat, ka thënë ai, letërsia shqipe nuk është treguar e mos interesuar."Në qoftë se bëhet fjalë për çështjen e trajtimit të temave dhe motiveve që e kapërthejnë këtë pjesë kohore, natyrisht se letërsia bashkëkohore ka shumë vepra (poezi, prozë dhe drama) që bëjnë fjalë pikërisht për këto tema", ka pohuar Haxhaj, duke shtuar se natyrisht se ka shumë tema e motive që kërkojnë trajtim më të madh në letërsi, por përgjithësisht bashkëkohësia është trajtuar dhe trajtohet në letërsinë tonë. Më tej duke folur rreth trendëve të sotme të letërsisë shqipe në Kosovë dhe pohimeve se kjo letërsi qëndron prapa letërsive evropiane. "Duhet kuptuar se letërsia shqipe në Kosovë merret kryesisht me temat dhe motivet e veta, që është e natyrshme për zhvillimet e letërsisë në secilën gjuhë dhe përkatësi", ka potencuar shkrimtari Haxhaj, për "Kosova Sot".

Letërsia jonë sot çalon në zhanrin e romanit

Kurse shkrimtari Fatmir Halimi ka thënë për "Kosova Sot" se letërsia shqipe në Kosovë këto dy dekada të fundit i ka trajtuar në mënyre shteruese zhvillimet në vend, por vetëm nga aspekti i poezisë. Pra, ka thënë ai, poetet tanë nuk kanë lënë teme pa trajtuar përmes poezisë. Kurse përkundër Haxhajt, Halimi ka thënë se letërsia shqipe e Kosovës vazhdon të mbetet prapa trendëve letrare evropiane. Pasi, siç ka thënë ai, sot në Evropë nuk kultivohet fare poezia, kurse shkrimtarët tanë, sot dinë të shkruajnë vetëm poezi me apo pa vlera letrare. "Letërsitë evropiane sot e kultivojnë tregimin-storiet e shkurtra, novelen dhe në mënyre të zgjeruar romani. Pra të gjitha zhanret e romanit si romanin fantastikoshkencor, romanin social shoqëror për masat e gjëra, kriminalistiko-policor", ka thënë Halimi, duke shtuar se evropianët nuk lënë anash as romanin e dashurisë, romanin psikologjik e shumë të tjera që, siç ka thënë ai, në letërsinë tonë mungojnë. Pra, ka shtuar më tej se letërsia e jonë sot çalon në zhanrin e romanit apo mund të themi se sot nuk kemi fare shkrimtarë që shkruajnë romane, fushë kjo e cila ka më së shumti lexues, si te ne ashtu edhe te vendet e tjera evropiane. Edhe shkrimtari Ismet Tahiraj, duke folur rreth trajtimit të temave të pasluftës, nga ana e krijuesve kosovarë, ka thënë se situata lë shumë për të dëshiruar, duke thënë se shkaqet kanë mbetur pa u trajtuar nga syri i krijuesve tanë. Pasi, sipas tij, në dy dekadat e fundit kanë ndodhur shumë ngjarje të rëndësisë kapitale për kombin, posaçërisht Kosovën."Aty këtu është bërë përpjekje për një letërsi gjithëshqiptare dhe me hapa evropianë, por duhet ende punë, sidomos bashkëpunime të ndërsjella me qendra, klube apo edhe shoqatat e arteve letrare, ku ato kultivohen dhe jepen debate të rrepta për trendët letrarë dhe kjo do të na ndihmonte si një busull orientimin të saktë", ka thënë Ismet Tahiri.

(Kosova Sot)